E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursat e shkollimit, afatet e aplikimit për nxënësit dhe studentët



Jonida Tashi

Studentët e viteve të para do të kenë afat deri në datën 15 dhjetor, për të kryer aplikimin për bursë, në të kundërt, pavarësisht plotësimit të kritereve ata do të humbasin të drejtën e përfitimit. Sipas vendimit të marrë para pak kohësh nga qeveria, për bursat e nxënësve dhe studentëve gjatë vitit 2009-2010, afati përfundimtar i shqyrtimit dhe miratimit të bursave për vitet e para është data 15 dhjetor e këtij viti, ndërsa për vitet e dyta e lart është data 30 nëntor. Në raste të veçanta, kur Këshilli i Bashkisë apo i Komunës nuk mund ta miratojë, brenda këtij afati numrin e bursave të dhëna, mbetet kompetencë e Ministrisë së Arsimit shqyrtimi i këtyre vendimeve, rast pas rasti. Brenda muajit nëntor në universitetet publike të vendit do të mbërrijë numri i saktë i bursave, nga të cilat do të përfitojnë studentët. Për vitin 2009-2010, qeveria ka vënë në dispozicion të studentëve plot 1600 bursa, po kaq do të jetë numri i bursave edhe për nxënësit e arsimit parauniversitar. Nxënësit, që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët, që ndjekin një program studimi, të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Arsimit nëse plotësojnë disa kritere. Kriteri ekonomik si dhe rezultatet e larta në shkollë janë dy kushtet kryesore për të përfituar bursë. Por nga përfitimi i bursës nuk përjashtohen nxënësit ose studentët që kanë fituar Statusin e Jetimit.
Nxënësit
Bursat e nxënësve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga Këshilli i Bashkisë dhe Komunës, sipas vendndodhjes territoriale e administrative të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Nxënësit, që në vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të Këshillit të Bashkisë apo Komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Bursat për nxënësit, të cilët studiojnë në shkollat profesionale, në degët parësore për zhvillimin e ekonomisë, si në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të, planifikohen dhe shpërndahen nga Ministria e Arsimit.
Studentët
Bursat e studentëve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga institucionet e arsimit të lartë. Studentët e viteve të dyta e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund ta përfitojnë atë brenda planit të bursave. Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët, që përfitojnë bursë sipas ligjit, është deri në 130, në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave, të dhëna për vitin shkollor 2009-2010. Institucionet e arsimit të lartë paraqesin, në Ministrinë e Arsimit, kërkesat për studentët, që përfitojnë bursë. Ministria e Arsimit harton planin e shpërndarjes, të cilin ia dërgon për ekzekutim institucioneve të arsimit të lartë. Studentët, që, gjatë vitit të parë, kanë përfituar bursë me vendim të Këshillit të Bashkisë apo Komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Në rast se secili prej tyre nuk arrin të kalojë vitin akademik ose shkollor e drejta e bursës humbet.
Bashkitë
Nga plani i bursave të miratuara për këtë vit shkollor, Bashkisë së Tiranës i janë dhënë vetëm 10 bursa për studentët, që vijnë nga familjet apo shtresat sociale në nevojë, pavarësisht kriterit të studimit larg vendbanimit. Ndërsa bashkive të tjera, të cilat në vendndodhjen e tyre territoriale kanë institucione të arsimit të lartë publik, u janë dhënë 5 bursa për këtë kategori studentësh. Sipas vendimit të qeverisë, do të jenë këshillat bashkiakë që do të vendosin për dhënien e bursave sipas kritereve ekonomike të përcaktuara, duke u dhënë përparësi shtresave sociale në nevojë. Jashtë kriterit ekonomik do të marrin bursë fëmijët e punonjësve të policisë apo forcave të armatosura që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës. Ndërkaq, është parashikuar që të përfitojnë bursë studentët, të cilët vazhdojnë studimet në specialitetin e Matematikës dhe Fizikës pas përfundimit të plotë të kursit të parë, të cilët, në vitin paraardhës arrijnë një notë mesatare mbi 8. Po ashtu, gjatë këtij viti është vendosur t’u jepet bursë 25 nxënësve me rezultate më të mira në provimet e Maturës Shtetërore të shpallur nga Ministria e Arsimit sipas rezultateve të arritura.
Bursat
Niveli i bursave që nxënësit dhe studentët do të përfitojnë gjatë vitit 2009-2010, do të jetë i njëjtë me atë të një viti më parë. Konkretisht, masa e bursës për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të jetë 6 mijë lekë në muaj, ndërsa gjysmëbursa 3 mijë lekë. Kurse nxënësit që mësojnë në shkollat e Mjeshtërisë Sportive dhe nxënësit e arsimit special, do të përfitojnë një bursë të plotë në masën 6500 lekë në muaj dhe një gjysmëbursë në masën 3750. Nxënësit jetim të shkollave bazë dhe të mesme do të marrin vetëm bursë të plotë në që është 6500 lekë në muaj. Bursat e miratuara nga qeveria për studentët do të jenë më të larta se ato të arsimit parauniversitar. Kështu, bursa e plotë për studentët e universiteteve, Akademisë së Arteve dhe shkollat e tjera të larta do të jetë 8500, kurse bursa e pjesshme sa gjysma e bursës së plotë. Studentët e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve do të marrin bursa më të larta për vitin e ri akademik. Bursa e plotë për këta studentë do të jetë 9 mijë lekë në muaj, kurse gjysmëbursa 4500.

Dokumentet që duhen dorëzuar për të përfituar bursë
Kërkesë me shkrim nga nxënësi, studenti ose prindi;
Certifikatë e përbërjes familjare të nxënësit apo studentit;
Vërtetim që është nxënës i vitit të parë të shkollës së mesme apo të lartë;
Vërtetim banimi nga bashkia, njësia bashkiake, ose komuna ku jeton;
Fotokopje të noterizuar të Statusit të Jetimit, për personat që e gëzojnë këtë status;
Vërtetim që janë fëmijë të punonjësve të policisë ose ushtarakë, të cilët kanë humbur jetën në detyrë ose për shkak të detyrës;
Vendim të gjykatës për ato raste që kanë kujdestarinë prindërore;
Fotokopje të noterizuar të Medaljes së Artë, të fituar në mbarim të shkollës së mesme;
Statusin e Invalidit, Paraplegjikut dhe Tetraplegjikut etj.;
Certifikatë për më të mirët e Maturës Shtetërore, për vitin 2009 nga Ministria e Arsimit;
Deklarata ekonomike
Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e trungut familjar:
Vërtetim pagë mujore, si dhe shtesat për pagesën familjare, për prindërit që janë në marrëdhënie pune;
Në rast se nuk janë në marrëdhënie pune, vërtetim nga zyra e përkrahjes sociale për ndihmë sociale dhe kompensime për anëtarët në ngarkim;
Vërtetim nga zyra e punësimit, nëse figuron i regjistruar si i papunë, si dhe vërtetim nga zyra e përkrahjes sociale nëse nuk merr kompensime për çdo person të certifikatës familjare që ka mbushur moshën 18 vjeç. Vërtetimet të kenë numrin e kartelës së personit;
Në rast se prindërit janë në pension, vërtetim nga dega e Sigurimeve Shoqërore, duke përcaktuar pensionin dhe shtesat e tjera. Vërtetimi i pensionit të ketë dhe numrin e kartelës së personit;
Vërtetim nga zyra e Tatimeve nëse ka veprimtari private;
Vërtetim nga shkolla për motrat dhe vëllezërit, të cilët janë në marrëdhënie shkolle;
Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zotërim prone fitimprurëse.
Vërtetim nga institucionet përkatëse për pjesëtarë të familjes, të cilët janë ushtar, jashtë shtetit, etj.

Kushtet ekonomike të nxënësit dhe studentit për dhënien e bursës
Përbërja familjare Bursa Gjysmëbursa Me pagesë
Për familjet me 2 persona Deri 3200 lekë 3200-4600 Mbi 4600
Për familjet me 3 persona Deri 3100 lekë 3100-4500 Mbi 4500
Për familjet me 4 persona Deri 3000 lekë 3000-4400 Mbi 4400
Për familjet me 5 persona Deri 2900 lekë 2900-4300 Mbi 4300
Për familjet me 6 persona Deri 2800 lekë 2800-4200 Mbi 4200
Për familjet me 7 persona Deri 2700 lekë 2700-4100 Mbi 4100
Për familjet me 8 persona Deri 2600 lekë 2600-4000 Mbi 4000
Shënim: Nxënësit dhe studentët nga fshati përfitojnë bursë, kur familja përfiton ndihmë ekonomike, në varësi të masës së kësaj ndihme, brenda planit të akorduar për secilën njësi të pushtetit vendor.

Niveli i bursës për nxënësit
Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme
Bursa 6000
Gjysmëbursa 3000
Shkolla e Mjeshtërisë Sportive dhe nxënësit e arsimit special
Bursa 6500
Gjysmëbursa 3750
Nxënësit jetim
Bursa 6500

Niveli i bursës për studentët
Universitetet, Akademia e Arteve dhe shkollat e tjera të larta
Bursa 8500
Gjysmëbursa 4250
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve
Bursa 9000
Gjysmëbursa 4500

20 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›