Udhëzimi i Kules: Pedagogët do të paguhen 100 % për orët shtesë
Jonida Tashi
Pedagogët e Universitetit të Tiranës, qofshin të brendshëm apo të jashtëm do të paguhen 100 për qind për orët shtesë. Rektori i këtij universiteti, Dhori Kule, ka vendosur të marrë masa për zgjidhjen e këtij “ngërçi” në institucionin që ai drejton, duke nxjerrë një udhëzim të posaçëm për pagesën e pedagogëve të tij. Por, urdhri i sapo nxjerrë nga rektori i Universitetit të Tiranës, përveç zbatimit për vitin akademik 2009-2010, do të ketë edhe efekt prapaveprues. Në udhëzimin për pagesën e pedagogëve, që mban firmën e Dhori Kules, përcaktohet që: “Të kryhet pagesa në masën 100 % për tejkalimin e ngarkesës mësimore të realizuar nga personeli akademik efektiv i Universitetit të Tiranës për vitin akademik 2008-2009”. Por ndërsa nga njëra anë rektori Kule ka plotësuar nevojën e pedagogëve për t’u paguar sa më mirë për orët shtesë, nga ana tjetër, ai ka bërë të ditur edhe masat ndëshkimore që do të merren nëse udhëzimet do të “shkelen”. Pikësëpari bëhet fjalë për moszbatimin e udhëzimit për të mos dhënë mësim edhe në një universitet privat, i cili është pasuar me këtë të pagesës për orët shtesë. Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, nëse udhëzimet do të shkelen, masa ndëshkimore është pushim nga puna.
Urdhri
Urdhri i Kules, për t’i paguar pedagogët maksimalisht për orët shtesë është lajm shumë i mirë për mbi 900 pedagogë të Universitetit të Tiranës, pasi sipas udhëzimit ende në fuqi të Ministrisë së Arsimit për ngarkesën mësimore të personelit akademik, që pritet të ndryshojë, për orët shtesë pedagogët paguheshin vetëm në masën 30 për qind. Udhëzimi për t’i paguar pedagogët në masën 100 për qind për orët shtesë është marrë fill pas nxjerrjes së vendimit po nga rektori i Universiteti të Tiranës, për të mos i lejuar pedagogët që të jepnin mësime dhe në privat. Nëpërmjet këtij udhëzimi, rektori Kule kërkon që t’i jepet zgjidhje interpretimit të ligjit “Për arsimin e lartë”, e mbi të gjitha udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, për pagesat e stafit akademik kur tejkalohet ngarkesa mësimore. Ky i fundit është kundërshtuar jo pak nga trupa akademike e universiteteve. Pas nxjerrjes së udhëzimit të ri për pagesën e pedagogëve, Rektorati i Universitetit të Tiranës ka urdhëruar drejtuesit e tetë fakulteteve në varësi të tij si dhe kancelarët që të zbatojnë Kodin e Punës sa i përket orëve mësimore në ditët e pushimit, ku pagesat do të jenë minimalisht dy herë më të larta se në ditët normale. Po ashtu, atyre do t’u lihen hapësira edhe për të caktuar tarifa të veçanta për një orë mësimi në fakultete.
Pagesa
Me ndryshimet e fundit, mesatarisht një pedagog do të marrë në një vit akademik rreth 300 mijë lekë mbi pagën. Urdhri që mban firmën e Rektorit Dhori Kule është dhënë bazuar në situatën faktike të konstatuar për problemin e pagesës së personelit akademik për tejkalimin e ngarkesës mësimore për vitin akademik 2008-2009, si dhe pagesën e pedagogëve të jashtëm për ngarkesën e realizuar. Përsa i përket lekëve që do të nevojiten për pagesën e orëve shtesë, në udhëzimin e Kules saktësohet se përballmi i shpenzimeve për pedagogët efektiv do të kryhet deri në masën 30 për qind nga fondet e buxhetit të shtetit, të miratuara për këtë drejtim dhe pjesa tjetër nga të ardhurat e Universitetit të Tiranës. Kështu, në rastet kur nuk do të mjaftojnë fondet e buxhetit të shtetit, për të përballuar pagesat deri në 30% të tejkalime të stafit pedagogjik efektiv, atëherë do të përdoren të ardhurat e vetë Universitetit të Tiranës. Sipas Rektoratit, në këtë mënyrë rritet motivimi dhe krijohet fleksibilitet në trajtimin e stafit akademik. Ndërkohë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj po shqyrton udhëzimin e majit të vitit 2008 për ngarkesën mësimore të pedagogëve në universitete. Ndërsa përsa i përket lejimit të pedagogëve të Universitetit të Tiranës që të japin mësim edhe në privat, rektori Kule ka sqaruar dje se universitet private duhet të bëjnë kërkesë zyrtare për emrat nominalë të stafeve që duan të angazhojnë për ciklet e para të studimeve.
Odiseja e udhëzimit për ngarkesën mësimore të personelit akademik
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka pranuar të shqyrtojë udhëzimin për ngarkesën mësimore të pedagogëve, i cili është kundërshtuar nga trupa pedagogjike e universiteteve. Pas kërkesave të herëpashershme që rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i ka bërë ministrave të Arsimit për rishikimin e këtij udhëzimi, Tafaj ka vendosur ta shqyrtojë atë për të marrë më pas edhe vendimin final për këtë çështje. Deri në marrjen e vendimit të ri për ngarkesën mësimore, qindra pedagogë jo vetëm të Universitetit të Tiranës, do t’i shtyjnë ditët e punës me një mbingarkesë orësh në auditorë, falë udhëzimit që Ministria e Arsimit ka lëshuar për të dytin vit radhazi “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”. Konvertimi i mësimdhënies së normuar vjetore në orë mësimore është një nga pikat kryesore që pedagogët kundërshtojnë në këtë udhëzim, e cila sipas tyre, është tepër abstrakte. Udhëzimi aktual për ngarkesën mësimore të pedagogëve është firmosur nga ish-paraardhësi i Fatos Bejës, në Ministrinë e Arsimit, Genc Pollo, në maj të vitit 2008, ndërsa zbatimi i tij në praktikë u vë në jetë në vitin akademik 2008-2009. Menjëherë pedagogët ngritën zërin për kundërshtimin e tij, pasi puna e tyre si orë kohore nuk mund të koeficentohej me asnjë shifër, për të nxjerrë se sa kohë ata duhet të qëndronin në auditor e për rrjedhojë edhe me sa lekë do të paguheshin. Megjithë përpjekjet e drejtuesve të universiteteve për të gjetur një zgjidhje me ministrin e Arsimit të asaj kohe, Genc Pollo, asgjë nuk u arrit të realizohej, kjo aq më tepër për arsye se pak më shumë se një muaj pas nënshkrimit të udhëzimit, Pollo la postin e dikasterit të Arsimit. Kështu, pas largimit të Pollos nga Ministria e Arsimit dhe zëvendësimit të tij nga Fatos Beja, në ditët e para të muajit korrik të vitit 2008, krerët e universiteteve nuk nguruan t’i kërkonin atij rishikim të udhëzimit për ngarkesën mësimore të pedagogëve. Por edhe këtë herë nuk u arrit asnjë rezultat, megjithëse fillimisht u duk sikur ish-ministri i Arsimit, Fatos Beja do të merrte në dorë zgjidhjen e situatës. Tashmë, me ardhjen ish-këshilltarit të kryeministrit për Arsimin, në krye të Ministrisë së Arsimit, universitetet i kanë kërkuar Tafajt që të rishikojë udhëzimin e shumëpërfolur në trupën pedagogjike, duke gjetur edhe një zgjidhje për këtë problem.
20 Nentor 2009