Si ti drejtoheni gjykatës së Strasburgut
Laureta Rryçi
Nëse mendoni që arsyet e ankimit tuaj kanë të bëjnë me shkeljen e një nga të drejtave të garantuara nga Konventa, ose nga njëri prej Protokolleve, dërgoni më parë tek Sekretari i Gjykatës së Strasburgut një letër që përmban të dhënat e radhitura më poshtë. Kjo letër duhet t’i adresohet: Le Greffier de la Cour européenne des Droits de l’Homme Conseil de l’Europe F-67075 STRASBOURG CEDEX FRANCË. Letra juaj mund të shkruhet në gjuhën shqipe ose ndonjë gjuhë tjetër të huaj dhe duhet të përmbajë: Një përmbledhje të shkurtër të arsyeve të ankimit tuaj si dhe citimin e së drejtës ose të të drejtave të garantuara nga Konventa dhe që i vlerësoni se janë shkelur. Këtë do ta bëni pasi të keni lexuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të gjeni nenin përkatës p.sh. ndalimi i torturës (neni 3), e drejta për një proces të rregullt (neni 6), ndalimi i diskriminimit për shkak të origjinës kombëtare, fesë, etj (neni 14) etj. Ankesat (rekurset) që keni bërë p.sh. në Gjykatën e Apelit apo Gjykatën e Lartë.
Listën e vendimeve të dhëna për çështjen tuaj nga një autoritet publik, duke saktësuar për çdo vendim: datën, përmbajtjen e tij të përmbledhur dhe organin që e ka dhënë. Bashkëngjitini letrës tuaj një kopje të këtyre vendimeve. (Këto dokumente nuk do t’ju kthehen. Si rrjedhim, është në interesin tuaj të dërgoni vetëm kopje dhe jo origjinale).Ankesa mund të bëhet nga ju personalisht ose avokati i autorizuar prej jush ose çdo person tjetër i autorizuar me shkrim prej jush. Sekretari i Gjykatës do t’ju përgjigjet. Do t’ju kërkohen ndoshta dokumente, të dhëna ose shpjegime plotësuese lidhur me ankimin tuaj. Mund t’ju informojnë mbi mënyrën se si është interpretuar Konventa në raste të ngjashme. Në rastin kur pranimi i ankesave tuaja ka ndonjë pengesë evidente, do t’ju bëhet e njohur. Nëse nga korrespondenca juaj me Sekretarin del që ankesa juaj mund të regjistrohet si një kërkesë në Gjykatën e Strasburgut dhe nëse ju dëshironi që ajo të jetë e tillë, Sekretari do t’ju dërgojë formularët që përdoren për të paraqitur formalisht kërkesën tuaj. Pasi t’i keni plotësuar dhe drejtuar ato Sekretarit, kërkesa juaj do t’i paraqitet Gjykatës. Ju do të viheni në dijeni të ecurisë së Procedurës nga Sekretari. Kjo procedurë, të paktën në fillim, zhvillohet me shkrim. Kështu që, ju apo personi i autorizuar nga ju, nuk ka pse të paraqitet në selinë e Gjykatës. Nëse është e mundur, është më mirë që të ngarkoni një avokat të paraqesë kërkesën tuaj. Më vonë, gjatë procedurës, nëse duhet, ju mund të merrni ndihmë gjyqësore, në qoftë se nuk dispononi mjetet për të shpërblyer një avokat. Por, kjo ndihmë nuk mund të jepet që në momentin e paraqitjes së kërkesës, por pasi ankesa
të jetë pranuar për shqyrtim nga Gjykata e Strasburgut.
Rregullore e Gjykatës së Strasburgut
Çdo ankesë e formuluar sipas nenit 33 ose 34 të Konventës duhet të paraqitet me shkrim dhe duhet të nënshkruhet nga ankuesi ose nga personi që e përfaqëson. Kur ankesa është paraqitur nga një organizatë jo qeveritare ose nga një grup individësh, ajo nënshkruhet nga persona të njohur ligjërisht për të përfaqësuar
organizatën ose grupin. Dhoma ose komiteti përkatës vendosin të verifikojnë nëse personat që kanë nënshkruar një ankesë kanë pasur kompetencë. Kur ankuesi është i përfaqësuar, në përputhje me nenin 36 të kësaj Rregulloreje, përfaqësuesi ose
përfaqësuesit e tij duhet të paraqesin një prokurë ose një
mandat me shkrim.
(Përmbajtja e një ankese individuale)
Çdo ankesë e depozituar sipas nenit 34 të Konventës, pasqyrohet në formularin e dhënë nga sekretariati me përjashtim të rasteve kur Kryetari i seksionit përkatës vendos ndryshe. Formulari duhet të ketë: a. emrin, datën e lindjes, kombësinë, seksin,
profesionin dhe adresën e ankuesit; b. në se duhet, emrin, profesionin dhe adresën e përfaqësuesit të tij; c. palën (shtetin) ose Palët kontraktuese, (shtetet) kundër të cilave është drejtuar ankesa; d. paraqitje të shkurtër të fakteve;
e. paraqitje të shkurtër të shkeljes ose shkeljeve të Konventës dhe të argumenteve përkatëse; f. paraqitje të shkurtër të rrugës procedurale të ndjekur nga ankuesi në bazë të nenit 35 § 1 për
pranueshmërinë e kërkesës (ndjekja e të gjitha rekurseve të brendshme dhe respektimi i afatit prej gjashtë muajsh); g. objektin e ankesës si dhe në vija të përgjithshme kërkesën për zhdëmtim të drejtë që ankuesi mund të formulojë sipas nenit 41 të Konventës; Formulari duhet të shoqërohet me: h. me kopje të gjitha dokumenteve përkatëse dhe në veçanti me vendimet gjyqësore ose të tjera, që kanë të bëjnë me objektin e ankesës. Përveç këtij formulari, çdo ankues duhet: a. të paraqesë të gjithë elementët, konkretisht dokumentet dhe vendimet e përmendura në
paragrafin 1 h të këtij neni që lejojnë të provohet se janë të gjitha kushtet për pranueshmërinë e ankimit, cituar në nenin 35 § 1 të Konventës; b. të bëjë të ditur nëse ka paraqitur ankesat e tij në ndonjë instancë tjetër ndërkombëtare hetimore ose
vendimore. Ankuesi që nuk dëshiron të bëjë të njohur publikisht identitetin e tij duhet të saktësojë një gjë të tillë dhe të japë një përmbledhje të shkaqeve që justifikojnë
përjashtimin nga rregulli normal i bërjes publike të procedurës përpara Gjykatës. Kryetari i dhomës mund të autorizojë anonimatin në raste të veçanta dhe më se të përligjura. Në rast mosrespektimi të detyrimeve të paraqitura në paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni, ankesa mund të mos regjistrohet dhe të mos shqyrtohet nga Gjykata. Si rregull i përgjithshëm, ankesa quhet e hapur që nga data kur ankuesi ka bërë komunikimin e parë të objektit të kërkesës së tij – qoftë edhe shkurtimisht. Megjithatë Gjykata, nëse e gjen me vend, mund të vendosë të mbajë një datë tjetër. 6. Ankuesi duhet të njoftojë Gjykatën e Strasburg për
çdo ndryshim të adresës së tij dhe të çdo fakti të rëndësishëm në shqyrtimin e ankesës së tij. Këshilloheni të mos mërziteni sepse zakonisht çështjet në Gjykatën e Strasburgut zgjaten me muaj e me vite. E rëndësishme do të jetë për ju në qoftë se ju njoftojnë se
kërkesa juaj është pranuar për shqyrtim.
Kushtet e pranueshmërisë
1. Gjykata nuk mund të vihet në lëvizje përveçse kur
janë shterur mjetet e brendshme ligjore ashtu siç kuptohet
sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare përgjithësisht
të pranuara, dhe brenda një afati prej gjashtë muajsh nga
data e vendimit të brendshëm përfundimtar.
2. Gjykata nuk pranon një kërkesë individuale të
paraqitur sipas nenit 34 kur a) ajo është anonime; ose
b) ajo është në thelb e njëjtë me një kërkesë të shqyrtuar
më parë nga Gjykata ose që i është shtruar për zgjidhje një instance tjetër ndërkombëtare hetimore ose vendimore, dhe kur ajo nuk përmban fakte të reja. 3. Gjykata deklaron të papranueshme çdo kërkesë individuale të paraqitur në zbatim të nenit 34, kur çmon se kërkesa nuk pajtohet me dispozitat e Konventës ose të
Protokolleve të saj dhe është haptazi e pabazuar ose abuzive.
4. Gjykata rrëzon çdo kërkesë që e çmon si të
papranueshme në zbatim të këtij neni. Ajo mund të
vendosë në këtë mënyrë në çdo fazë të procedimit.
Ndërhyrja e të tretit
1. Në çdo çështje para një Dhome ose Dhomës së Madhe, një Palë e Lartë Kontraktuese, shtetasi i së cilës është kërkues, ka të drejtë të paraqesë vërejtje me shkrim dhe të marrë pjesë në seancat.
2. Në interes të miradministrimit të drejtësisë, kryetari i
Gjykatës mund të ftojë çdo Palë të Lartë Kontraktuese që
nuk është në gjykim ose çdo person të interesuar, të ndryshëm nga kërkuesi, të paraqesë vërejtje me shkrim ose të marrë pjesë në seancat.
Çregjistrimi
1. Në çdo moment të procedurës, Gjykata mund të
vendosë të çregjistrojë një kërkesë kur rrethanat lejojnë
të arrihet në përfundimin se: a) kërkuesi nuk ka ndërmend ta ndjekë më çështjen; ose b) mosmarrëveshja është zgjidhur; ose
c) për çdo arsye tjetër, ekzistencën e së cilës e konstaton
Gjykata, nuk përligjet më vazhdimi i shqyrtimit të
kërkesës. Megjithatë, Gjykata vazhdon shqyrtimin e kërkesës kur
këtë e kërkon respektimi i të drejtave të njeriut të garantuara
nga Konventa dhe Protokollet e saj.
2. Gjykata mund të vendosë riregjistrimin e një kërkese
kur çmon se e përligjin rrethanat.
20 Nentor 2009