E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE jep 3.5 miliardë euro për Ballkanin

Integrimi i vendeve të Ballkanit do t‘i kushtojë jo pak Brukselit, i cili duhet të disbursojë më shumë se 3.5 miliardë euro brenda 5 viteve për të përgatitur hyrjen e këtyre vendeve në BE. Një plan investimesh prej gati 900 milionë euro në vit, që ka filluar të zbatohet që nga viti 2007. Kjo është oferta që Bashkimi Evropian ka vendosur në tryezë për 7 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Bosnja, Mali i Zi dhe Serbia do të kenë mundësi të thithin investime nga ky superplan i BE-së. Çdo qytetar i këtyre vendeve do të përfitojë rreth 30 euro në vit nga fondi i BE-së.

Ky është investimi më i madh për frymë i aprovuar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian. Por, kësaj shifre i shtohet edhe kontributi i Bankës Evropiane të Investimeve, që ka deklaruar se do të shtojë financimet me kredi për Ballkanin, nga 1.9 miliardë euro për periudhën 2005-2007, në 2.8 për 2008-2010. Një fluks i madh investimesh, që gjithsesi është më i vogël nga ai që u përdor për zgjerimin e parë të BE-së në lindjen e Ballkanit, ku u përdorën rreth 10 miliardë euro. Kjo, edhe për shkak të popullsisë së madhe që kishin Polonia, Rumania, Bullgaria etj. Aktualisht vendet e paintegruara ballkanike kanë së bashku një popullsi prej 21 milionë banorësh.

Plani i investimeve

Bashkimi Evropian njoftoi se plani do të diskutohet nga 27 ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në datën 28 dhe 29 mars në një takim informal në Brdo të Sllovakisë. Kjo ngjarje vjen vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës dhe vetëm pak ditë përpara Samitit të Bukureshtit ku vendet e A3, Kroaci, Maqedoni dhe Shqipëri pritet që të marrin ftesën zyrtare për të hyrë në BE. Analistët e huaj thonë se Ballkani është rikthyer në qendër të skenës politike në Evropë. Vetë Komisioni Evropian e konsideron vitin 2008 si një vit kyç për të ardhmen e zonës.

Ndërhyrjet

Ndërhyrjet me financime të Bashkimit Evropian do të përqendrohen në fushat kryesore si reforma administrative dhe ajo gjyqësore, bashkimi ekonomik rajonal, lufta ndaj korrupsionit e krimit të organizuar dhe tranzicioni ekonomik. Një bilanc paraprak i Bashkimit Evropian nxjerr në krye të listët Kreacinë, e cila është në një fazë shumë të avancuar negociatash dhe ka përmbushur sakaq dy nga 35 kapitujt e domosdoshëm për hyrjen e parashikuar në vitin 2010. Ekspertët thonë se pas Kroacisë vijnë Shqipëria dhe Maqedonia, të cilat frenohen nga reformat e mangëta dhe nga kundërshtimi i fortë i Greqisë për emrin e Maqedonisë. Sa u takon vendeve të tjera, integrimi do të varet shumë nga ecuria e çështjes Kosovë-Serbi dhe progresi i Bosnjës.

Integrimi

Kryefjala tashmë është të përshpejtohet integrimi. "Megjithatë kjo nuk do të thotë se do të bëjë skonto në kushtet që duhet të përmbushen", raporton e përditshmja e njohur italiane "Panorama". Sipas saj, vendet duhet të intensifikojnë reformat, por përballë incidenteve në Beograd, problemeve në Kosovën e Veriut dhe rënies së qeverisë serbe, Evropa do që të evitojë rrezikun e destabilizimit të rajonit.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›