Juna, e dyta që del nga shtëpia
Juna është banorja e dytë që del nga shtëpia e "Big Brother". Kjo ndodhi mbrëmë në "Top Channel", me dy javë vonesë pas anulimit të spektaklit të së shtunës së kaluar, për shkak të tragjedisë së Gërdecit. Madje, edhe shtëpia e "Big Brother" ishte paksa pjesë e tragjedisë, sepse ajo u dëmtua në disa vende, ndërsa banorët u mbërthyen nga paniku në çastet e shpërthimeve të pazakonta. Kjo për shkak se shtëpia ndodhet 500 metra në distancë në vijë ajrore nga vendi i tragjedisë.
Pjesa e mbrëmshme nisi me një intervistë të shkurtër me të eliminuarën e parë, Ingridin, e cila u pasua me dy lojëra ku u përfshinë banorët. Më pas, erdhi dhe çasti i eliminimit që siç u pa, i takoi Junës.
Por çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit në shtëpi?
Shkëlqimi, tashmë arriti të linte dhomën jeshile pa gjumë. Ai përmend Ingridin, duke thënë se "ishte ai që e lejonte të fliste ashtu, duke i thënë "po". Ai mendon se në këtë mënyrë është përpjekur të ndërtojë një urë lidhëse. Shkëlqimi thotë gjithashtu se Leonardi ishte nën ndikimin e Ingridit.
Çimi vazhdon monologun për disa minuta, deri kur Arbri i thotë se Ingridi ishte shumë inteligjente, por i merrte gjërat shumë seriozisht.
Dhoma blu, ndërkohë ka mbetur vetëm me Titin që fle, pasi Najada, Romi dhe Olsi dalin jashtë të pinë nga një cigare. Ata biseduan dhe për spektaklin e mbrëmshëm. Romi e pyeti se sa veta mund të dilnin. Ata nuk e përfillën, por vazhduan bisedën për flokët e Najadës (ajo po mendonte për stilin e veshjes gjatë spektaklit). Romi këmbëngul në pyetjen e saj. Olsi i thotë: "Hajt se ta themi te krevati".
Në dhomën jeshile, biseda bie te Romina. Julinda thotë se ata e kishin tepruar. Visi "mendon" se audienca jashtë shtëpisë e vlerëson secilin prej tyre. Julinda i thotë se ata duhet ta lënë të qetë, por Ervisi nuk kupton se çfarë thotë Juna.
Visi përmend Gitin si shembull i kësaj përzgjedhjeje që bën publiku. Ai flet me shumë tendencë për Romin.
Biseda që monopolizohet nga Juna në dhomën jeshile bëhet e qetë dhe nxitëse. Juna thotë se ata kanë kaluar më mirë seç duhet. Arbi dhe Juli. Ina dhe Poli flasin për kohën që do të dalin nga shtëpia. Të gjithë bien dakord se kjo është dhe do të mbetet një nga përvojat më të veçanta dhe më të bukura në jetën e tyre.
Kundërshtari është Çimi, që thotë se "Big Brother" është një xhungël me 14 persona brenda.
Natën e kaluar, Olsin e ka zënë gjumi te Najada, por në mëngjes ai lëviz te krevati i Junës. Ajo, ende në gjumë, e përkëdhel te flokët dhe pastaj kthehet nga ana tjetër dhe flë sërish.
Astriti ndërkohë është zgjuar, ka rregulluar krevatin dhe ka bërë tualetin e mëngjesit. Ai pi kafen i vetëm në kuzhinë dhe duket i menduar. Astritit i shkon në mendje të pastrojë në kuzhinë dhe në sallon. Ai vendos rregull gjithandej, duke përfituar nga zbrazëtia e shtëpisë në mëngjes.
Olsi është çuar bashkë me Junën (e cila gjendet në banjë) dhe e takon Astritin në sallon, duke rregulluar. Ai e ngacmon Olsin duke e pyetur se përse ndenji aq shumë në banjë, ku ndodhej edhe Juna. Ai i jep një përgjigje sa për të kaluar radhën, pastaj i thotë se Juna do që të vishet dhe se ai duhet të bëhet gati bashkë me të.
Olsi shkon në oborr për të ngrënë mëngjesin. Ai është vetëm.
Banorët duhet të bëhen gati për provën e kostumeve siameze, ndaj zgjimi nga "Big Brother" bëhet më shpejtë se zakonisht.
Ina dhe Poli hapin sytë, por nuk lëvizin nga krevati. Ata bisedojnë lidhur me nominimet.
Romina shkon në kuzhinë dhe Olsi që është kthyer i uron mëngjesin me një puthje. Ai i thotë se po e puth, sepse është dita kur njëri prej të nominuarve do të ikë. I nominuari që do të dalë sipas Olsit mund të jetë Romina.
Juna, Ina dhe Poli bisedojnë, ndërsa presin që të tjerët në dhomë të zgjohen. Juna imiton me një gërhimë mënyrën se si fle Poli. Ata qeshin.
Nis muzika. Juna kërcen mbi krevat. Të tjerët janë duke u zgjuar një e nga një.
Kjo është ditë shumë e rëndësishme për banorët dhe ata e përjetojnë si të tillë që në mëngjes. Zgjohen dhe u drejtohen tualeteve, duke rregulluar pamjen. Arbri rruan mjekrën me shumë kujdes.
Romina ka një bisedë të shkurtër me Olsin, i cili kërkon ta bëjë të ndihet mirë, duke i thënë se asnjë nga ata që janë brenda shtëpisë nuk janë më të mirë sesa ajo. Romina i përgjigjet që e di këtë. Ata shkojnë jashtë për një cigare, por Rominës nuk ia ka shumë qejfi të rri aty. Ajo ikën brenda te dhoma e Julit dhe Junës dhe nis të kërcejë me ta.
Olsi kthehet brenda te dhoma ku Najada është duke fjetur dhe futet në shtrat me të. Ai e zgjon duke i kënduar te veshi.
Zgjohet Çimi dhe i ngacmon të dy. Olsi largohet.
Najada me Visin e Çimin flasin për Astritin që është zgjuar herët. Çimi i thotë Najadës se ai kishte ikur sepse kishte dëgjuar ata të dy natën. Çimi shton se Titi është bërë pak nevrastenik. Ata të tre tallen me Titin, duke e imituar.
Ata të dy, duke rregulluar krevatet e duke u veshur, flasin për Rominën. Visi flet me shumë hidhësi për Rominën, duke thënë se "ajo ka rrëshqitur".
Pak para se të shkojë ora 11:00, shumë prej tyre janë ulur të hanë mëngjes. Mungon Olsi, që po bën ushtrime për barkun, Nardi që pi cigare vetëm në oborr, Najada që është duke u veshur dhe Arbi që ende nuk ka mbaruar tualetin dhe Romina që është ulur mbi krevatin e saj dhe rri serioze dhe bën makijazh.
Ndjenjat e Ervisit për Rominën nuk mund të shprehen ndryshe, veçse me përçmim. Ai ka bërë thashetheme me të tjerët për Rominën gjithë mëngjesin. Ai thotë se Romina po e acaron tej mase. Ai tregon se ishte duke pastruar dhomën, kur hyn Romina, merr një cigare edhe ikën. Ai pretendon se Romina nuk ka konceptin e higjienës dhe në momentin që do t‘ia ngrejë prapë nervat do t‘ia shkuli flokët.
Punët e shtëpisë janë ndarë dhe Inës dhe Polit i ka rënë larja e enëve. Ndoshta kushtet nuk janë të përshtatshme, por Ina me Polin e shfrytëzojnë bukur çdo çast që janë vetëm. Ina lan, Poli shpëlan. Ata të dy bëjnë shaka dhe qeshin të shpenguar.
SSSASS