Rikthime të bujshme në "Top Fest 5"
"Top Fest", festivali i vërtetë i muzikës moderne në Shqipëri, po shkon drejt fundit. Për të pestin vit radhazi, ekrani i "Top Channel" ka përcjellë performancat e larmishme të dhjetëra artistëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia apo diaspora, të cilët këtë vit kanë shënuar një numër rekord. Sipas organizatorëve, për herë të parë në historinë e "Top Fest"-it, pritet që deri në fund të programit, më shumë se 200 artistë të kenë prezantuar produksionet e tyre muzikore në të vetmen plate ku ka vend për çdo lloj rryme apo moshe.
Vit pas viti, skena prestigjioze e këtij festivali ka mirëpritur me qindra artistë të rinj, që janë afirmuar nëpërmjet saj, e shumë emra të tjerë të njohur të skenës muzikore, të cilët janë kthyer e ritkthyer, të joshur nga popullariteti dhe standardet perëndimore të këtij evenimenti.
Java e shtatë dhe e parafundit e "Top Fest 5", edhe pse me një programacion të reduktuar, që lidhet me tragjedinë e Gërdecit, u mbizotërua si zakonisht nga prurje të mëdha dhe produksione mjaft cilësore, që premtojnë të kthehen në hite. Kjo është edhe cilësia më e mirë e "Top Fest"-it, lançimi dhe promovimi maksimal i prodhimeve më të spikatura, që ashtu sikur ka ndodhur edhe në të kaluarën, mbeten gjatë në kujtesën e adhuruesve të muzikës.
Një rikthim të suksesshëm ka bërë në "Top Fest" Anjeza Branka dhe Bertan Asllani, me një duet surprizë. Të dy janë artistë të mirënjohur të kësaj skene dhe me siguri pjesë e pamohueshme e historisë 5-vjeçare të festivalit muzikor. Që në pjesëmarrjen e saj të parë, Anjeza fitoi nëpërmjet "Top Fest"-it qindra adhurues, të cilët deri në ditët e fundit të edicionit të parë i dhanë votat maksimale për baladën e saj romantike "Të lutem eja". Por popullaritetin më të madh, Anjeza mundi ta shijojë nëpërmjet bashkëpunimit me Nikun, në "Top Fest 3", kur u prezantua me një prodhim ‘regaton‘ të Stines, "Me ngadalë". Shumë shpejt kënga u kthye në një prej hiteve më të kërcyera nëpër diskoteka. Por e zhgënjyer nga fakti se nuk u vlerësua as këtë herë me një çmim, Branka shprehu publikisht keqardhjen, duke nënkuptuar se nuk do të rikthehej më në skenën e evenimentit muzikor. E pyetur rreth këtij fakti, Anjeza shpjegon se pas mungesës në edicionin e vitit të kaluar e kishte marrë malli të performonte në një skenë të tillë e se nuk kishte mundur t‘i rezistonte më asaj.
Sa i përket duetit me Bertan Asllanin, protagonist i "Top Fest" për 3 vite me radhë, fitues edhe i çmimit "DigitAlb" në edicionin e parë, bëhet fjalë për një këngë ritmike, me të cilën dyshja është e bindur se do të pushtojë diskotekat.
Malda Susuri, artistja e re nga Kosova që u vlerësua si "Best New Artist" në "Top Fest 3", shkel për të tretën herë në festivalin e muzikës moderne. Këtë herë, vajza me një look interesant paksa prej djali, preferon të konkurrojë me një pjesë rok, që i dedikohet heronjve të Kosovës.
E pyetur mbi veshjen e saj, që në ndryshim me atë të shumicës së femrave që performojnë në skena muzikore është mjaft e rezervuar dhe e thjeshtë, Malda tregon se për të është e rëndësishme që publiku të vlerësojë këngën e jo veshjen e saj. Pjesa me të cilën artisja prezantohet këtë vit është e rrymës pop-rok.
Duket se ritmet e rokut kanë joshur shumë artistë këtë vit, që për hir të një prodhimi më profesional, kanë braktisur muzikën e ashtuquajtur komerciale. Këtë e konfirmon këngëtarja e re, Samanta Karavello një ish-finaliste e spektaklit "Ethet".
E vlerësuar gjithnjë për talentin e saj, Karavello na tregon se është pjekur artistikisht e së shpejti do të hedhë në treg albumin e saj të parë.
"Dua që në përmbledhjen time të parë muzikore të ketë një larmishmëri rrymash. Këtë vit lashë pas R&B-në për t‘u paraqitur me një baladë rok, e cila është shumë profesionale", - tha Karavello.
Edhe Elinara Shehu, një pjesëmarrëse tjetër besnike e "Top Fest" zgjedh rokun për të konkurruar në "Top Fest 5".
Mise apo modele që preferojnë të mos limitohen thjesht me shfaqje bukurie, duke debutuar edhe në fushën e muzikës kemi parë shumë kohët e fundit. Kësaj kategorie i shtohet edhe një tjetër bukuroshe, Miss Kosova 2002, Drenusha Latifi. Ajo shpjegon se duke qenë thjesht një mis, provon edhe këngën. "S‘të kam faj" quhej kënga me të cilën Drenusha konkurron për të parën herë në "Top Fest".
Edhe ajo është një imazh i rregullt pasarelash. Ka qenë mis, modele dhe prej disa kohësh këngëtare. Disa e kanë cilësuar si Paris Hilton shqiptare. Natyrisht jo për aspektin financiar, pasi miliardere nuk është, por për faktin se përndiqet rregullisht nga paparacët, ndoshta edhe për aktivitetin e zgjeruar artistik. Bëhet fjalë për Rezarta Shkurtën. Ajo na thotë se nuk i vjen aspak keq ta krahasojnë me personazhe të tilla si Hilton. Sa i përket këngës me të cilën prezantohet në "Top Fest", Rezarta tregon se u dedikohet femrave shqiptare, të cilat ende nuk kanë arritur të çlirohen nga burgosja e dashurisë.
Është kthyer sërish në "Top Fest", pas disa vitesh mungesë edhe Ariela Krasniqi. Me të njëjtën paraqitje ashtu siç e mbajmë mend nga debutimi i saj i fundit, Krasniqi ka prezantuar gjatë javës sërish një këngë baladë që flet për një tradhti në ditën e ditëlindjes. "Ditëlindje" quhet ajo, që me sa duket nuk ka të bëjë aspak me Arielën, që siç na rrëfeu shijen e tradhtisë nuk e ka provuar asnjëherë.
Ndër artistët e rinj që spikatën gjatë kësaj jave ishte edhe Orgesa Zaimaj. E zbuluar në një prej spektakleve të ashtuquajtur "Talent Show", Orgesa është prezantuar denjësisht në "Top Fest 5", me një këngë alternative, që siç tregon i përshtatet mjaft temperamentit të saj prej rokereje. Shumë artistë të tjerë konkurruan në javën e shtatë e të parafundit të "Top Fest 5", mes të cilëve Dorina, grupi "Omerta", "Golden Age", grupi "Magma", Vicky, Dora, Elsjon etj.
Bojken Lako, regjisori i ngahershëm i evenimentit muzikor ka vlerësuar artistët e prodhimet cilësore, që janë prezantuar edhe në këtë javë. Lako na ka rrëfyer edhe emrat e disa prej artistëve që duhet të presim në javën e fundit, që për shkak të prurjeve të mëdha e të reduktimit të programacionit si rrjedhojë e tragjedisë që tronditi shqiptarët, pak ditë më parë do të shtyhet edhe dy ditë të tjera. Mes tyre do të jenë Çiljeta, Soni, Adrian Gaxha, finalistët e spektaklit "Ethet" etj.
SSSASS