BE, këmbëngulëse për lirinë e lëvizjes

Gjërat duket se po ecin mirë sa i përket implementimit të marrëveshjeve që janë arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, në tetë raunde bisedimesh në Bruksel.
Ndonëse shumica e këtyre marrëveshjeve janë vonuar nga Serbia, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme Ashton, Maja Kocijanciç thotë se gjërat po ecin rrugës së duhur.
“Më datën 26 dhjetor ne do të dalim me deklaratë për mediat, ku presim të njoftojmë nisjen e implementimit të marrëveshjes për lirinw e lëvizjes. Megjithëse vëmendje po i kushtohet implementimit të të gjitha marrëveshjeve, në raundin e fundit, ne e kemi bërë të qartë që ekziston një interesim shumë i madh për lirinë e lëvizjes”, ka thënë përmes telefonit pwr “Zwrin” Kocijancic.
Bashkimi Evropian, që zyrtarisht thuhet se po e lehtëson dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, është duke punuar me grupet punuese të të dyja palëve për nisjen sa më parë të implementimit të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Janë dy marrëveshje, të cilat qeveria e Kosovës i ka publikuar si sukseset më të mëdha të këtij dialogu, marrëveshja për “pikat e kalimit” në veri të Kosovës, dhe marrëveshja për lirinw e lëvizjes.
Të dyja ende nuk kanë nisur së zbatuari. Kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, të martën e ka pranuar zyrtarisht librin e parë të skanuar dhe të certifikuar të regjistrit civil. Këtë libër zëvendëskryeministres Tahiri ia dorëzoi Andi Sparks, udhëheqës i Grupit të punws për zbatimin e marrëveshjes për regjistrat civilë, dhe njëherësh dhe zëvendësshef i misionit të EULEX-it.
Zëvendëskryeministrja e Kosovws Tahiri tha se ky është një kontribut i mirë për pasurimin e të dhënave, porse Kosova nuk ka hequr dorë nga marrja e regjistrave origjinalë, dhe këtë e konsiderojmë si fazë kalimtare, e cila është një masë e përkohshme deri te koha e kthimit të regjistrave origjinalë, pasi librat ato nuk i përkasin Serbisë, por Republikës së Kosovës, thuhet në një njoftim të publikuar për mediat nga zyra për informim e zëvendëskryeministres sw Kosovws.