BE kërkon shfuqizimin e paktit Nano-Pauell
TIRANE-Marrëveshja e nënshkruar në 2 maj të vitin 2003 mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në bazë të së cilës u njihet imunitet shtetasve amerikanë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, e ka vënë aktualisht Tiranën zyrtare përpara një momenti nga më të vështirët dhe më me pasoja për të ardhmen afatgjatë të vendit. Gazeta Shqiptare ben te ditur se shkak eshte pikerisht fakti se Bashkimi Europian në mënyrë të përsëritur i ka bërë thirrje Shqipërisë ta shfuqizojë apo amendojë këtë marrëveshje, pasi nuk përputhet me axhendën e integrimit europian të vendit tonë. Por, nga ana tjetër, shfuqizimi apo amendimi do të cenonte marrëdhëniet e shkëlqyera me partnerin strategjik të vendit tonë, sikundër janë SHBA-të. Pra, në balancë qëndron nga njëra anë dëshira mbarëkombëtare për integrim në familjen europiane, dhe nga ana tjetër interesat strategjike të sigurisë dhe demokracisë, të lidhura ngushtësisht me SHBA-të. Por, tani që vendi ynë është më afër se kurrë familjes europiane, Tirana zyrtare e ka të detyrueshme të bëjë një zgjedhje. Kjo, për shkak se në pyetësorin e Komisionit Europian, përgjigjet e së cilit do të shënojnë një hap domethënës drejt integrimit në BE, vendit tonë i kërkohet të sqarojë hapat që ka marrë në drejtim të zbatimit të të ashtuquajturit, Statuti i Romës, për Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Konkretisht, në pyetjen me numër 120, Tiranës zyrtare i drejtohet pyetja se: “çfarë hapash keni ndërmarrë për të ratifikuar dhe zbatuar në ligjin shqiptar, Statutin e Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale? A ka ndonjë përjashtim që Shqipëria bën në aplikimi e këtij Statuti, duke përfshirë marrëveshjet dypalëshe që synojnë përjashtimin nga juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare Penale? Ju lutem, sillni shembuj”. Statuti i Romës Gjykata Ndërkombëtare Penale, e krijuar me Traktatin e Romës të datës 18 korrik 1998, është një organizëm i rëndësishëm ndërkombëtar në ruajtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut nëpërmjet ndëshkimit penal të akteve barbare kundër qenieve njerëzore si genocidi, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe agresioni. Sipas statutit, kjo Gjykatë ushtron funksionet dhe kompetencat e veta në territorin e shteteve palë, mes të cilave është edhe Shqipëria. Neni 27 i tij parashikon se: “ky Statut do të zbatohet njësoj ndaj të gjithë personave, pa asnjë dallim të bazuar në pozitën zyrtare. Në veçanti, pozita zyrtare si shef i shtetit, i qeverisë apo parlamentit, përfaqësues i zgjedhur i qeverisë apo zyrtar i qeverisë, në asnjë rast nuk do të përjashtojë një person nga përgjegjësia penale sipas këtij Statuti, as që ai, nga vetja të krijojë bazë për reduktimin e dënimit”. Ndërkohë, i gjithë debati midis vendeve anëtare të BE-së dhe administratës amerikane, bazohet në interpretimin që SHBA kërkon t’i bëjë një tjetër neni të Statutit, dhe pikërisht atij me numër 98. Ky nen parashikon që, Gjykata nuk mund të veprojë me një kërkesë për dorëzim ndaj një shteti, kur kjo e çon këtë shtet në një shkelje të një marrëveshjeje ndërkombëtare me një shtet të tretë. Mbështetur pikërisht në nenin 98 të Statutit të Romës, është nënshkruar edhe marrëveshja e vitit 2003 mes Nanos dhe Pouell. Konkretisht, ajo parashikon që, qeveria shqiptare është e përjashtuar nga detyrimi i paraqitjes së shtetasve amerikanë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, të cilët mund të jenë të dyshuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit, si dhe krime lufte. Pra, në rastin hipotetik të ekzistencës në territorin e Republikës së Shqipërisë të një shtetasi amerikan të dyshuar për krime lufte, Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund të kërkojë ekstradimin e tij, pasi ekziston një marrëveshje me SHBA-të për këtë qëllim, që bazohet në nenit 98 të Statutit të Romës. Por, sipas pjesës dërrmuese të vendeve të BE-së, qëndrimi amerikan është i papranueshëm, sepse bie në kundërshtim flagrant me frymën e nenit 27 të Statutit të Romës. (d.b/BalkanWeb)