LSI: PS të heqë dorë nga gjuha destruktive, të hyjë në Kuvend
TIRANë- Lëvizja Socialiste për Integrim ftoi sot Partinë Socialiste të zerë vendin e saj në Kuvend. Përmes një deklarate për shtyp, Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama theksoi se PS duhet të distancohet nga gjuha destruktive dhe sic tha ai të heqë dorë nga tonet kërcënuese për marrjen e pushtetit me dhunë. "Dialogu politik në institucionet legjitime të vendit, para së gjithash në Kuvend, është hapi i domosdoshëm për zgjidhjen dhe kapërcimin e ngërçit politik" theksoi Rama. Sipas LSI dialogu politik është shenjë e sjelljes evropiane ndërsa sfida e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është sfidë vetëm e mazhorancës qeverisëse. "Kjo është një sfidë për gjithë shoqërinë shqiptare dhe padyshim është në radhë të parë sfidë për klasën politike të vendit, pra edhe për opozitën", u shpreh Luan Rama. "Përmes dialogut politik në Kuvend do të gjejmë së bashku zgjidhjen më të mirë të mundshme, dhe kështu do të kontribuojmë realisht edhe për liberalizimin e vizave dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptare në Bashkimin Europian, por edhe për realizimin e të gjithë reformave të rëndësishme në funksion të anëtarësimit të vendit në BE", përfundon deklarata për shtyp e LSI-së. (e.n/BalkanWeb)