Inter-Milan kryendeshja e javës në Serinë A
ROME- Të dielën do të luhet Inter-Milan, derbi më i rëndësishëm i Serisë A italiane. Përballë do të jenë dy skuadrat kryesuese të kampionatit, që këtë herë vijnë në një gjendje të ndryshme nga derbi i fazës së parë, ku Interi fitoi 4-0. Trajneri Murinjo nuk do të ketë të gatshëm Stankoviç, i cili nuk ka mundur të rekuperohet, ndërsa Shnajder, Tiago Mota dhe Muntari janë në dispozicion. “Ky është një derbi special dhe në ndeshje të tilla nuk ka shumë rëndësi klasifikimi. Janë ndeshje komplet jashtë kontekstit dhe pa logjikë”, deklaroi Murinjo në prag të këtij takimi. Interi është në krye të Serisë A me 46 pikë, 6 më shumë se Milani që ka luajtur një ndeshje më pak. Milani megjithatë gëzon një formë të jashtëzakonshme në këto momente. Fitorja 4-1 ndaj Sienës javën e kaluar e konfirmoi një gjë të tillë, ndërsa lojtari lider i skuadrës kuqezi është bërë Ronaldinjo. Pas një nisje shumë të dobët, ai është rikthyer te forma e tij e mirë, duke shënuar në çdo ndeshje dhe duke u kthyer në udhëheqës të ekipit. Po kështu, marrja e Devid Bekham e ka bërë Milanin një skuadër më të ekuilibruar. “Nuk e nis kurrë një ndeshje për barazim dhe nuk do ta bëj këtë as këtë herë”, deklaroi trajneri Leonardo në prag të këtij takimi. Milani nuk do të ketë të gatshëm Sedorf dhe Pato për këtë ndeshje, ndërsa ka rekuperuar në momentet e fundit Alesandro Nestën. Sa i përket ndeshjes, të gjitha biletat në San Siro janë shitur, duke treguar rivalitetin mes dy klubeve. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)