Derbi Tirana-Dinamo mund të luhet me drita
TIRANE- Rikthehen shanset që derbi mes Tiranës dhe Dinamos të luhet me drita. Presidenti i klubit Tirana Refik Halili ka blerë një transformator të ri duke zëvendësuar atë të djegurin dhe të dielën Federata do të diskutojë mes palëve në mënyrë që ndeshja të çohet sërish në orën 18 të ditës së hënë, që ishte orari i parë për të cilin ishte rënë dakord. Prokuroria ndërkohë ka lejuar punime në kabinën e stadiumit, që pasi ishte cilësuar si vendi i ngjarjes për hetimet e ikjes së dritave me Realin, ishte vendosur nën sekuestro. Orari i derbit mes Tiranës dhe Dinamos, deciziv për fatet e kampionatit, u ndryshua për shkak se në stadium nuk kishte drita. Vendosja e transformatorit të ri mund t’i japë fund kësaj situate. Federata ndërkohë bëri të ditur se në fillim do të marrë garanci nga stadiumi Qemal Stafa përpara se të vendosë që derbi të luhet në mbrëmje. Në fakt, zhvillimi i ndeshjes në orën 14 rrezikon që stadiumi të jetë bosh, duke qenë se e hëna është një ditë pune. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)