Nga skandali në skandal, Apeli i FSHF e bën baltë
TIRANE- Nuk mjaftoi skandali i çështjes “Andi Lila”, për të cilin u dhanë në mënyrën më të pakuptimtë dy vendime të ndryshme brenda pak ditësh. Apeli i Federatës së Futbollit konfirmoi në dy ditët e fundit se vetëm me dhënien e drejtësisë, qoftë kjo edhe në sport, nuk ka asnjë lloj lidhje. Shembull i “arrogancës” dhe talljes me publikun është bërë kryetari i këtij Komisioni Bujar Musta, një gjyqtar në Elbasan. Pasi shkeli me të dyja këmbët rregullat në çështjen e Andi Lilës, të premten në mbrëmje ai ka dhuruar spektaklin e radhës përsa i përket funksionimit të Komisionit të Apelit, të cilit ai i drejton, duke dhënë një vendim pa pyetur dy anëtarët për çështjen e lojtarëve të Skënderbeut. Në fakt, kanë qenë të shpeshta rastet kur ky organ i Federatës ka kundërshtuar haptazi Komisionin e Disiplinës, duke i bërë të gjithë të mendojnë se njëri prej këtyre komisioneve ka patjetër brenda “anëtarë të lajthitur”. Seanca e gjyqit Të premten, çështja kryesore për shqyrtim ishte ajo e futbollistëve të Skënderbeut Shkëmbi, Gjondeda, Rukavina e Djarmati, të cilët në mbledhjen e Apelit ishin paraqitur me avokatët e tyre. Ata kërkojnë largimin për te Besa duke pretenduar se nuk janë paguar, por nuk lejohen nga klubi për shkak se janë ende nën kontratë dhe se pagimi i rrogës lejon afate pak më të gjata. Por, e premtja në FSHF ka qenë “Musta shou”. Sapo një nga lojtarët e Skënderbeut ngrihet të flasë, ai e ka urdhëruar menjëherë të ulet, pa dëgjuar pretendimet. E ndërsa dy anëtarët e tjerë i kanë kërkuar shpjegime dhe e kanë lutur që të dëgjojnë palën tjetër, gjykatësi Bujar Musta ka marrë në telefon drejtuesit e Skënderbeut, duke iu thënë “fituat gjyqin, lojtarët do të kthehen te ju”. “Gjëja e parë, nuk mund ta bësh një gjë të tillë gojarisht, sepse vendimi u komunikohet klubeve nëpërmjet Federatës”, ka thënë shefi i Sektorit të Garave Ilir Shulku. Shto këtu faktin se dy anëtarët ishin kundër, vendimi nuk mund të merrej. Duke parë kundërshtimet, Musta e ka lënë gjithçka në gjysmë dhe është larguar nga ambientet e FSHF. Dy anëtarët e tjerë më pas e kanë shtyrë çështjen për dje në mëngjes. Por, kryetari i Komisionit edhe dje është larguar menjëherë, duke thënë se ka punë. Kjo ka bërë që çështja të shqyrtohet nga dy anëtarët e tjerë, që e kanë shtyrë për një mbledhje tjetër për të analizuar faktet. Sa i përket kryetarit, ai nuk dontë në asnjë mënyrë të ishte në mbledhje, një veprim më shumë se i çuditshëm ky. VENDIMET 1. Komisioni i Apelit vendosi pro Tiranës në lidhje me 3 lojtarët Pema, Fish e Abraham, që pretendonin rroga të prapambetura deri në 18 mijë euro në total. Kërkesat për Eleandro Pemën dhe Abada Fish janë bërë nga agjenti Gëzim Mançe, që sipas Apelit nuk legjitimohet për këtë çështje. 2. Prishet vendimi i Disiplinës për dy lojtarët e Skënderbeut Guerrib e Tomasiç, që tashmë i përkasin sërish Skënderbeut. 3. Shtyrjen për një mbledhje tjetër të vendimit për 4 lojtarët e Skënderbeut Bledi Shkëmbi, Gentjan Gondeda, Antonio Rukavina dhe Matko Djarmati (të premten kryetari Musta njoftoi Skënderbeun se ata i përkisnin këtij klubi). (e.n/BalkanWeb)