E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kërkon zgjidhjen përfundimtare të kthimit dhe kompensimit të pronave

BE mbledh ekspertë ndërkombëtarë për të diskutuar mbi çështjen e pronave
Ditën e djeshme përfaqësuesi i BE në Tiranë zoti Lohan bëri të qartë se pa zgjidhur problemi i pronave, Shqipëria do të ketë probleme me integrimin evropian.  Më në fund BE reagon fuqimisht për çështjen tashmë më problematike gjatë tranzicionit, kthimin dhe kompensimin e pronave. Tashmë edhe pronat vihen nën fokusin e BE, e cila nëpërmjet deklaratave të djeshme nëpërmjet ambasadorit të saj zotit  Lohan, sqaroi përfundimisht pozicionimin e saj në mbështetje të kthimit dhe kompensimit  të pronave. Duke folur për rëndësinë e çështjes së të drejtave të pronës në Shqipëri, Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmuth Lohan theksoi se "Përforcimi i së drejtës së pronës dhe zgjidhja për çështjet e lëna varur të kthimit, kompensimit dhe legalizimit janë qartazi themeltare për mirëqenien e përgjithshme të Shqipërisë. Tituj të qartë pronësie dhe siguritë ligjore janë parakushte thelbësore për një zhvillim të suksesshëm të vendit, tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, paqen sociale si edhe për procesin e integrimit evropian të vendit,- u shpreh Lohan.
Aktiviteti
Organe qeverisëse, agjensi donatore si edhe ekspertë ndërkombëtarë për çështjet e pronës janë mbledhur në Tiranë për seminarin e mbështetur nga Bashkimi Evropian "E drejta e pronës. Instrumente dhe zgjidhje të mundshme për qeveritë për të zvogëluar kostot e shkëmbimit nga pikëpamja e investimeve të huaja të drejtpërdrejta". Seminari do të zgjasë dy ditë dhe synon të gjenerojë zgjidhje për çështjet kryesore që lidhen me pronën në sistemin ligjor shqiptar, konkretisht më regjistrimin e pronës, kthimin dhe kompensimin, si edhe legalizimin. Ndërsa Zëvendës/ministri i Ekonomisë Eno Bozdo tha se duhet të pohojmë se ky vazhdon të mbetet një problem i cili për fat të keq nuk ka për të patur një zgjidhje të shpejtë në kuadër të 1, 2 apo 3 vjetëve, kjo sepse e kaluara shqiptare ka qenë komplekse. Problematika e titujve të pronësisë është ndër më komplekset që mbetet për tu zgjidhur dhe këtë problematike pavarësisht e qeverive që do të jenë në vend do të mbartet, kjo është një kosto që ja paguajmë të kaluarës. Por pavarësisht çështjes ende të pazgjidhur të pronave, qeveria është optimiste në tërheqjen e kapitalit të huaj, sipas Zëvendës/ministri i Ekonomisë Bozdo, gjatë këtij viti pritet që fluksi i investimeve të huaja të kalojë shifrën e 600 milion eurove. Ekspertë  nga vende të ndryshme të BE-së, përfshirë ata të vendeve ish-komuniste si Republika Çeke dhe Polonia, do të shkëmbejnë përvojat e vendeve të tyre duke paraqitur studime të rasteve mbi tema si blerja e tokës në mbështetje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në zonat industriale në Republikën Çeke, traktate dypalëshe investimi si një garanci për të drejtat e pronësisë së investitorëve, kuadri ligjor polak për blerjen e tokës nga investitorë të huaj, blerja e tokës në kuadër të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Poloni, blerja e tokës për qëllime publike në Poloni, si edhe procesi i blerjes së tokës nga vendasit dhe të huajt në Greqi. Nevoja për përforcimin dhe lehtësimin e kushteve të volitshme për krijimin e biznesit dhe rritjen nuk është thjesht një kërkesë që vjen nga Partneriteti Evropian, por mbi të gjitha një parakusht për mirëqenien e vetë Shqipërisë. Një zgjidhje e çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave, për shembull, do të nxiste zhvillimin ekonomik dhe tregun e tokave në Shqipëri, duke e bërë atë më tërheqës për investitorët e huaj. Seminari që po mbahet synon të diskutojë pikërisht çështjen e pronës në Shqipëri në lidhje me investimet e huaja të drejtpërdrejta. Qëllimi është që të gjenden instrumenta për të siguruar të drejtat e investitorëve vendas dhe të huaj kundrejt regjistrimit të shumëfishtë, falsifikimeve dhe pretendimeve të mundshme mbi tokën. Për këtë arsye, seminari është ndarë në dy pjesë, analizën e gjendjes së tanishme në Shqipëri dhe në përvojën e vendeve të tjera në zgjidhjen e të njëjtës çështje.

Email This Klikime: 395

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›