E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Procesi i kartave në rrugën e duhur

Zhvillimi i deritanishëm i pajisjes së qytetarëve me karta të reja identiteti është vlerësuar pozitivisht nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Duke vlerësuar punën mjaft të mirë nga ana e qeverisë për arritjen e këtij premtimi, ministri Nishani ka vlerësuar edhe qytetarët për pjesëmarrjen e tyre. Çështja e kartave është shumë e rëndësishme dhe u përket të gjithëve. Do të thosha që realizimi i këtij premtimi dhe projekti nga ana e qeverisë është një arritje që do vlerësuar dhe besoj se qytetarët kanë dhënë një vlerësim maksimal me pjesëmarrjen në proces, ka deklaruar Nishani në një emision televiziv. Sipas tij, procesi për hartimin e dizajnit të letërnjoftimeve është bërë në konsultim me institucione ndërkombëtare, të cilat kane dhënë asistencën e tyre. Gjatë fjalës së tij, Ministri i Brendshëm ka përmendur edhe konsultimet me dy institucionet e rëndësishme si; Drejtoria e Kartave të Identitetit me seli në Hagë dhe sekretariati i përgjithshëm i INTERPOL-it me seli në Lion, që dhanë asistencën e tyre derisa u arrit në printimin e këtyre dokumenteve. Ministri i Brendshëm ka theksuar se vëmendje i është kushtuar edhe procesit të konkurrencës, duke nënvizuar se u bë një përzgjedhje mes 7 kompanive. Ishte një proces që kërkon transparence për konkurrencën. Pasi u arrit të ofroheshin oferta nga 7 konsorciume, përfshirë atë fitues, iu kushtua një kujdes i veçantë kostos. Ky proces, jo vetëm që ka nisur aplikimin, por edhe prodhimin me të gjitha kapacitetet e ofruara nga koncesionari, ka nënvizuar Nishani. Ai e ka vlerësuar procesin e pajisjes se qytetareve me karta edhe si një domosdoshmëri për procesin zgjedhor të qershorit dhe ka theksuar se qeveria mori parasysh edhe kërkesat e opozitës. Jemi pranë zgjedhjeve dhe një problem për to ka qenë gjithmonë mjeti i identifikimit. Por, procesi i pajisjes me letërnjoftim filloi dhe pas disa propozimeve të opozitës, u vendos që procesi ë pezullohet për qytetarët që kanë pasaporta dhe të punohet për ata qytetarë që nuk kanë pasaporta, ka nënvizuar Nishani. Ndër të tjera ministri ka përmendur edhe fillimin e procesit të aplikimit në mes të muajit shkurt në qytetet kryesore të vendit, ndërsa në fillim të muajit prill ky proces sipas tij do të shtrohet në komunat më të largëta.

Email This Klikime: 9

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›