E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet një peshk i rrallë në Radhimë, peshkatarët nuk e njohin me emër

Një peshk i llojit të veçantë është kapur mbasditen e djeshme në ujërat pranë fshatit turistik të Radhimës, në afërsi të qytetit të Orikumit në rrethin e Vlorës. Peshku ka mbetur pa emër, pasi asnjë peshkatar nuk ia di atë, ndonëse nga kureshtja për ta parë peshkun janë afruar pothuajse të gjithë peshkatarët e vjetër të qytetit bregdetar. Ai është rreth 60 kilogramë, 1 metër i gjatë dhe 60 centimetra i gjerë. Sipas peshkatarit Njazi Mustafa, i cili bëri të mundur dhe kapjen e këtij peshku, rreth orës 16:30 minuta ai kishte parë se në largësinë rreth 200 metra nga bregu po notonte një peshk, që dukej që kishte përmasa të mëdha. Pa asnjë hezitim, ai është zhveshur dhe është hedhur ne det, duke iu  afruar peshkut. Me shumë vështirësi, ai ka mundur ta nxjerrë peshkun në breg, teksa ka mbetur jo pak i habitur pasi nuk kishte parë asnjëherë një peshk të tillë. Peshku është i tipit pllakë, me pendë shumë të mëdha, me ngjyrë të kuqe. Ai peshon 60 kg dhe është 1 m i gjatë. Karakteristikë tjetër e peshkut është gjaku i tij, në një ngjyrë shumë të kuqe. Sipas Babale Mustafës, një nga peshkatarët më me emër në gjithë pellgun e Vlorës, peshku është i llojit të veçantë, por e rëndësishme është se ai nuk përbën rrezik për njerëzit, duke qenë se çditërisht nuk kishte dhëmbë. Babalja tregon se peshku mund të ketë ardhur nga erërat e forta që kanë fryrë këto ditë në bregdet, sepse sipas tij, ai është peshk i thellësive të mëdha. Edhe peshkatarë të tjerë të vjetër që e kanë parë më pas peshkun, kanë treguar se asnjëherë më parë, në historinë e peshkimit vlonjat nuk ishte parë një peshk i tillë. Në këto rrethina po ndodhin këto gjëra të papara më parë. Pak kohë më parë, në po këtë zonë është kapur edhe një breshkë uji, e llojit të veçantë. Peshkatarët që kapën peshkun, kanë lajmëruar edhe në Ministrinë e Bujqësisë, prej nga kanë marrë premtimin se që dje aty do të mbërrinin specialistë të peshkut, për ta parë dhe studiuar nga afër atë.

Email This Klikime: 15

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›