BE kundër “Dosjeve”, Qeveria nuk tërhiqet
ADI SHKEMBI
Ligji për dosjet ngre shqetësime si mbi procedurën ashtu edhe mbi përmbajtjen. Një ditë para se ligji i miratuar në Kuvend vetëm me votat e maxhorancës të hyjë në fuqi, Bashkimi Evropian pozicionohet sërish kundër tij. Në një deklaratë për shtyp presidenca çeke e BE-së konfirmon shqetësimet e ngritura disa herë radhazi, para se maxhoranca ta kalonte ligjin në Parlament, në dhjetor të vitit të kaluar. BE thekson përmes komunikimit me mediat se: "Ligji i ri "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve" ngre shqetësime në lidhje me disa aspekte si mbi procedurën, ashtu edhe mbi përmbajtjen". Kjo deklaratë e Bashkimit Evropian është në të njëjtën linjë me shqetësimin e vazhdueshëm të faktorit ndërkombëtar ndaj iniciativës së maxhorancës për të miratuar një ligj vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe në një moment kur disa prokurorë po hetojnë çështje të rëndësishme, ku janë përfolur anëtarë të kabinetit qeveritar. Në deklaratën prej katër pikash BE-ja shprehet se do të zhvillojë një takim me qeverinë shqiptare për t'i bërë asaj të qartë pozicionin, lidhur me këtë ligj të debatuar së fundi nga institucionet ndërkombëtare. Gjithashtu, Bashkimi Evropian i kushton një rëndësi të madhe dialogut politik përgjatë spektrit politik. Ky është një nga kriteret politike me rendësi thelbësore për pranimin në BE. "Në të njëjtën mënyrë, ne i kushtojmë një rëndësi të madhe një gjyqësori mirëfunksionues dhe politikisht të pavarur", vijon më tej deklarata e Bashkimit Evropian. Me gjithë insistimin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve, që maxhoranca të mos nxitohej për të miratuar ligjin e Dosjeve, kjo e fundit nuk u tërhoq nga qëndrimi i saj, duke e kaluar ligjin të hënën e 22 dhjetorit në Kuvend. Pas miratimit të tij, shumica në pushtet i kërkoi disa herë radhazi kreut të shtetit që ta dekretonte ligjin, në mënyrë që të niste procedura e verifikimit të zyrtarëve të lartë. Nga ana e tij kreu i shtetit shfrytëzoi të gjithë kohën prej 20 ditësh për t'u konsultuar, por në fund ai nuk e ktheu ligjin dhe as e dekretoi, duke zgjedhur pikërisht rrugën e mesme, atë të miratimit në heshtje.
Deklaraata e BE-së:
Bashkimi Evropian i kushton një rëndësi të madhe dialogut politik përgjatë spektrit politik. Ky është një nga kriteret politike me rendësi thelbësore për pranimin në BE.
Në të njëjtën mënyrë, ne i kushtojmë një rëndësi të madhe një gjyqësori mirëfunksionues dhe politikisht të pavarur.
Ligji i ri "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve" ngre shqetësime në lidhje me disa aspekte si mbi procedurën, ashtu edhe mbi përmbajtjen.
Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian do takohet me Qeverinë, që të bëjë të qartë pozicionin e BE-së.
Ligji për Pastërtinë e Figurave hyn sot në fuqi
Ligji "Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve", merr sot fuqi të plotë juridike dhe prej ditës së nesërme i hapet rruga ngritjes së Autoritetit të Kontrollit të figurave. Sipas legjislacionit shqiptar, një ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe ky afat është pikërisht ora 16.00 e ditës së sotme. Pas nisjes së veprimit të ligjit, Kuvendi do të nisë procedurat për emërimin e pesë anëtarëve të Autoritetit, i cili do të kontrollojë zyrtarët e lartë. Pika 4 e nenit 6 të këtij ligji parashikon se dy anëtarë të Autoritetit do të zgjidhen nga maxhoranca, dy nga opozita dhe i pesti, i cili do të jetë kryetari, do të zgjidhet me konsensus. "Anëtarët e Autoritetit miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rast se vendi i një a më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh, ose për pamundësi zgjedhjeje, sipas pikës 4 të këtij neni, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile", thuhet më tej në pikën 5 të këtij neni. Paraprakisht, çdo kandidat për anëtar i Autoritetit i propozuar i nënshtrohet procedurës së verifikimit të pastërtisë së figurës sipas këtij ligji. Verifikimi kryhet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit të propozimit nga Kuvendi. Rezultatet e verifikimit të anëtarëve të Autoritetit bëhen publike. "Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të njihet me të dhëna personale, në lidhje me atë që përmbajnë dosjet e Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji", thuhet në nenin 26 të këtij ligji.
Neni 20
Rezultatet përfundimtare të procedurës së verifikimit
1. Në përfundim të procedurës së verifikimit, Autoriteti:
a) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i papërfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji, vendos për lëshimin e dëshmisë së pastër të figurës morale. Kjo dëshmi plotësohet sipas formularëve të aneksit "A" dhe "A/1" bashkëlidhur këtij ligji dhe nënshkruhet nga kryetari apo në mungesë të tij nga nënkryetari. Dëshmia i komunikohet kërkuesit të procedurës së verifikimit, si dhe subjektit të verifikuar.
b) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i përfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 4, vendos të lëshojë dëshminë e verifikimit të figurës morale sipas formularit të aneksit "B/1" bashkëlidhur këtij ligji. Kjo dëshmi, e nënshkruar nga kryetari ose në mungesë të tij nga nënkryetari, i njoftohet subjektit të verifikuar si material konfidencial. Pas marrjes së dëshmisë sipas kësaj germe, subjekti i verifikuar ka të drejtë të njihet me aktet e përfshira në dosjen e tij pranë Autoritetit nëpërmjet nënshkrimit të "formularit për mbrojtje të informacionit të klasifikuar".
2. Kur zyrtari nuk është dakord me rezultatin e parashikuar në shkronjën "b", të pikës 1, të këtij neni, ai ka të drejtën të paraqesë pretendime me shkrim dhe dokumente provuese për çështjen brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit.
3. Komisioni shqyrton pretendimet dhe dokumentet e subjektit dhe brenda 10 ditëve nga paraqitja e tyre të vendos:
a) të njoftojë subjektin kërkues brenda 3 ditëve për rrëzimin e pretendimeve të tij; ose
b) lëshimin e dëshmisë sipas shkronjës "a", të pikës 1, të këtij neni.
Britania kërkoi shtyrjen e 'dosjeve'
Ambasada e Britanisë së Madhe me anë të një deklarate publike i kërkoi Parlamentit shqiptar të mos e votojë projektligjin "Për hapjen e dosjeve". Ambasada Britanike u shpreh shqetësuar në lidhje me votimin e parashikuar nga Kuvendi, duke kërkuar shtyrjen e tij. "Mbretëria e Bashkuar, së bashku me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë, shprehet e shqetësuar për votimin e afërt në Parlament të projektligjit "Për Pastë-rtinë e Figurës". Ka shumë rëndësi që një ligj me pasoja kushtetuese kaq serioze të shqyrtohet dhe diskutohet gjerësisht në një kohë të mjaftueshme, duke përfshirë në këtë proces dhe ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtar", thuhej në deklaratën për shtyp.
Ligji i Dosjeve, Qeveria refuzon BE-në
ADI SHKEMBI
Me gjithë kundërshtimin e hapur të BE-së e SHBA-ve për ligjin e Dosjeve, qeveria nuk tërhiqet nga zbatimi i tij. Pak orë pasi presidenca çeke e Bashkimit Evropian ngriti sërish shqetësime për këtë ligj, zv.kryeministri Genc Pollo i konfirmoi Trojkës Evropiane, se ekzekutivi nuk ka aspak ndërmend të ndryshojë qëndrim lidhur me këtë çështje. Numri dy i qeverisë priti në zyrën e tij përfaqësuesit e Trojkës, e cila përbëhet nga ambasadorja e Çekisë, Marketa Fialkova, e ngarkuara me punë e Suedisë, Elisabet Stam dhe shefi i delegacionit të Komisionit Evropian Helmut Lohan, ku në qendër të bisedimeve ishte pikërisht ligji i Dosjeve. Sipas njoftimit për shtyp të kabinetit të zv.kryeministrit, Pollo ka garantuar palën evropiane se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar të zbatojë këtë ligj. Sipas tij të gjithë qytetarët që rezultojnë të kenë funksione të papajtueshme, e thënë ndryshe, të jenë me dosje, kanë mundësi t'i drejtohen tre shkallëve të gjyqësorit në Shqipëri, si dhe Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg për ta apeluar vendimin e Autoritetit të Kontrollit të Figurave. "Zëvendëskryeministri Genc Pollo i siguroi bashkëbiseduesit se Qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e të paanshëm të këtij ligji, se çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të tre shkallët e gjyqësorit dhe vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë. (Ankimimi mund të vijojë eventualisht edhe në Gjykatën Evropiane të së Drejtave të Njeriut në Strasburg). Ky ligj ka një afat veprimi 5-vjeçar dhe pushon së vepruari më 31.12.2014", thuhet në njoftimin për shtyp. Si për ironi të fatit, njëri prej përfaqësuesve të Trojkës është pikërisht ai çek, ku modeli i këtij vendi ka shërbyer për ligjin shqiptar. Ndërkohë, zv.krye-ministri Pollo tha në takim se qeveria mirëpret pjesëmarrjen e opozitës në këtë proces, përmes emërimit të dy anëtarëve të Autoritetit të Kontrollit të Figurave, ndërkohë që sipas ligjit, anëtari i pestë do të zgjidhet me konsensus mes partive në Parlament. "Gjithashtu, Pollo tha se është e mirëpritur pjesëmarrja e përfaqësuesve të opozitës në Autoritetin e Kontrollit të Figurës, i përbërë nga 5 anëtarë, nga të cilët opozita përcakton 3 të tillë. Kjo përfshirje që është jo vetëm detyrë ligjore, por dhe përgjegjësi publike kontribuon në besueshmërinë e procesit", thuhet më tej në njoftim. Megjithatë, megjithëse pala e BE-së e ka shprehur disa herë radhazi qëndrimin e saj kundër këtij ligji, zv.kryemi-nistri ka falënderuar përfaqësuesit e Brukselit për mirëkuptimin ndaj këtij procesi. "Pollo e falenderoi Trojkën për mirëkuptimin e BE mbi nevojën e Shqipërisë për t`u ballafaquar me të shkuarën, nën një regjim komunist dhe domosdoshmërinë për t`u ndarë përfundimisht prej tij, bazuar në normat morale të gjithëpranuara; ai mirëpriti gjithashtu, monitorimin e zbatimit të këtij ligji nga ana e BE-së", theksohet në deklaratën për shtyp. Ndërkohë, në njoftim është pasqyruar vetëm qëndrimi i zv.krye-ministrit Pollo rreth kësaj çështje, kurse për Trojkën Evropiane nuk është bërë e ditur se çfarë qëndrimi ka mbajtur gjatë bisedës. Kryeministri Berisha ka mbrojtur që nga momenti i parë ligjin e votuar në Kuvend, duke u shprehur se "ligji nuk është disproporcional. Në të nuk është parashikuar asnjë rekursion social. Vende të tjera kanë përcaktuar edhe sanksione të qarta sociale. Ne i jemi përmbajtur parimit të Këshillit të Evropës se ndaj atyre që preken nga ligji nuk mund të përdoren ato parime, që ata kanë përdorur kur kanë kryer krime apo kanë shtypur të tjerët. Ka vende që i kanë përdorur edhe në vitin 2007, madje po e diskutojnë edhe tani për t'iu përgjysmuar pensionin etj., por ne nuk kemi hyrë deri këtu".
Instituti i krimeve të komunizmit
Pas miratimit të ligjit "Për pastërtinë e figurës", qeveria nxjerri vendimin për krijimin e Institutit të studimeve të krimeve të komunizmit. Ky Institut do të analizojë mënyrën se si u vendos regjimi komunist në Shqipëri dhe personat që e ndihmuan atë. "Instituti analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre, që bënë rezistencë kundër këtij regjimi", thuhet në nenin 4 të vendimit.
Bosch: Qeveria të reflektojë pas deklaratës së BE për Dosjet
Pas deklaratës së Bashkimit Evropian, ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch theksoi se qeveria shqiptare duhet të reflektojë ndaj komenteve të bëra. Sipas tij, ligji "Për verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë", duhet të respektojë shtetin ligjor, pavarësinë e gjyqësorit, por edhe Gjykatën Kushtetuese. "Do t'i bëja thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë seriozisht mbi komentet e bëra në deklaratën e Bashkimit Evropian. Unë e kam thënë edhe më parë se ndonëse nuk jam kundër në parim për një ligj për pastrimin e figurave, një ligj i tillë duhet të bazohet tek shteti ligjor, respektimi i pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe në respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare", u shpreh Bosch pak orë pas publikimit të deklaratës së Bashkimit Evropian. Ambasadori Bosh shprehu më tej gatishmërinë e OSBE-së për të ndihmuar autoritetet shqiptare me aspektet teknike për këtë çështje. OSBE i ka bërë thirrje qeverisë në muajin dhjetor të mos e miratojë ligjin e Dosjeve, pasi sipas tyre, ligji ka implikime kushtetuese. "Kryetari i prezencës së OSBE-së, ambasadori Roberti Bosch dhe drejtori i zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODHIR), ambasadori Janez Lenarçiç, nxitën sot Parlamentin shqiptar që të marrë parasysh shtyrjen e votimit të planifikuar të projektligjit mbi "Pastërtinë e figurave", në mënyrë që të lihet kohë e mjaftueshme për konsultime më të gjera", thuhej në një njoftim për shtyp të zyrës së marrëdhënieve me Publikun në OSBE.
Rama: Ligji rrezikon statusin me BE
Aristir Lumezi
Kryesocialisti Rama e cilësoi dje ligjin e “Dosjeve” si antikushtetues dhe jashtë frymës evropiane. Kryetari i Partisë socialiste konfirmoi edhe njëherë dje faktin se selia rozë do t’i drejtohet për këtë ligj Gjykatës Kushtetuese. “Miratimi i një ligji dosjesh me verbërinë e një shumice të thjeshtë, jashtë frymës evropiane, jashtë kornizës së vlerave e parimeve të Bashkimit Evropian, jashtë kufijve kushtetues të Republikës së Shqipërisë dhe me arrogancën provinciale që Sali Berisha tregoi pa kursim ndaj kritikave që erdhën nga të gjitha anët e tjera, brenda e jashtë vendit, ka bërë që sot 27 vendet e Bashkimit Evropian të lëshojnë sinjalin më shqetësues të mundshëm”, tha Rama. Kreu socialist i bëri thirrje qeverisë të mos pengojë vendin në marrjen e statusit si kandidat për në BE. Gjatë një konference të shkurtër për media pasditen e djeshme, kryesocialisti theksoi se Bashkimi Evropian reagoi ashpër dhe i shqetësuar për këtë ligj, i cili hyn në fuqi ditën e enjte, pasi skadon afati 15 ditor nga dita kur Presidenti i Republikës Bamir Topi, përmes heshtjes së tij, i dha fuqi ligjit të lustracionit.
“Për t’u hequr një orë e më parë shqiptarëve e shqiptareve kufijtë ndarës me Bashkimin Evropian dhe për ta futur sa më shpejt Shqipërinë në programet e mëdha të zhvillimit evropian, nuk na duhet një ligj që hap dosjet e komunizmit barbar, për të mbyllur dosjet e kapitalizmit klanor, duke na ndarë më shumë me Evropën, po një ligj lustracioni që flet gjuhën e Evropës dhe respekton vlerat e parimet e Bashkimit Evropian; nuk na duhet një drejtësi nën presion dhe pa efektshmëri që mbyll sytë përpara malit të korrupsionit qeveritar apo që s’e pyet as Policia e Shtetit, kur me urdhër të qeverisë duhet të dhunojë një gazetar, po një shtet i së drejtës ku pushteti gjyqësor garanton barazinë e shtetasve përpara ligjit dhe ku ndarja kushtetuese e pushteteve, së bashku me liritë e të drejtat kushtetuese të njerëzve, nuk mund as të diskutohet e jo më të cenohet nga maxhoranca qeverisëse e nga kryeministri i radhës”, tha Rama.
Sipas kreut socialist, vendi asnjëherë nuk do të jetë pjesë e BE-së pa respektuar parimet bazë, gjë e cila po anashkalohet me papërgjegjshmëri nga ana e maxhorancës aktuale. Sipas tij, deklarata e sotme e Bashkimit Evropian, në lidhje me “Ligjin për pastrimin e figurës” është një sinjal shumë shqetësues, i cili do të paguhet me shtyrjen e statusit të Shqipërisë, për integrimin në BE. Ndër të tjera, kreu i Partisë Socialiste ka evidentuar mënyrën e reagimit të Kryeministrit Berisha, në lidhje me kritikat e drejtuara ndaj tij, duke i paralelizuar me një arrogancë provinciale.
Haxhinasto: “Dosjet”, godet ligjshmërinë në vend
Ligji i lustracionit është goditja më e fundit që kjo maxhorancë i bën ligjshmërisë në vend. Kështu është shprehur Kryetari i KDK-se së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto. Përmes një deklaratë për shtyp, ai theksoi se kundër këtij ligji tashmë janë shprehur partnerët tanë ndërkombëtarë, Freedom House dhe vetë Këshilli i Evropës, i cili është gardiani i standardeve demokratike në kontinentin tonë dhe më gjerë. “Nuk ka asnjë dyshim se ligji për dosjet nuk është bërë për t’u zbatuar. Jo më kot Bashkimi Evropian, ndër kritikat më serioze për Shqipërinë, ka cilësinë e dobët të ligjeve dhe mos-zbatueshmërinë e tij” u shpreh ai.
Socialistët dorëzojnë nesër kërkesën në Gjykatën Kushtetuese
Partia Socialiste pritet të depozitojë të premten ankimin në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e “Pastërtisë së figurave”. Sot, në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit, deputetët socialistë do të hedhin firmat e tyre në kërkesën që do t’i shkojë Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar atë. 15 ditë pas vendimit të Presidentit Topi, për të mos u shprehur në lidhje me këtë çështje, ky ligj hyn automatikisht në fuqi sot më 29 janar. Partia Socialiste, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka pritur afatin ligjor për të depozituar ankimimin e saj në Gjykatën Kushtetuese për refuzimin e këtij ligji. Kërkesa e socialistëve përbëhet nga dy pika, e para ka të bëjë me shfuqizimin si antikushtetues të këtij ligji, ndërsa tjetra ka të bëjë me pezullimin e zbatimit të këtij ligji, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga kjo gjykatë. Kjo do të thotë që deri në shpalljen e kërkesës kryesore të deputetëve socialistë nga kjo gjykatë, ky ligj të mos fillojë të zbatohet duke sjellë për pasojë dhe largime nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë mandate kushtetuese. Të parët që preken nga ky ligj janë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë ushtruar këtë detyrë gjatë viteve të monizmit, në ato raste kur ata kanë tejkaluar kompetencat ligjore në dënimet e dhëna. Socialistët e kanë kundërshtuar këtë ligj si antikushtetues dhe kanë kërkuar hapjen e të gjitha dosjeve të ish-sigurimit të shtetit. Sipas tyre, Parlamenti shqiptar duhet t’i përmbahet një rezolute të miratuar me shumicë absolute në Kuvend, që dënon krimet e komunizmit. Ka qenë një grup ekspertësh që kanë punuar me kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa, sipas tyre, mban në vetvete nëntë pika mbi të cilat ekspertët socialistë bazohen për të argumentuar pse Ligji i Dosjeve është antikushtetues. Partia Socialiste ngre kundërshti të forta edhe lidhur me mënyrën e ngritjes dhe të funksionimit të komisionit të verifikimit, i cili sipas tyre merr kompetencat e një organi gjyqësor e si i tillë krijon precedent për funksionarët që rezultojnë të lidhur me dosje të caktuara.
Berisha:“Kushtetuesja do ribëhet”
Kryeministri Berisha paralajmëroi në fund të vitit të kaluar se Gjykata Kushtetuese mund të ribëhet nëse provohet se anëtarë të saj preken nga ligji i sapomiratuar në Parlament “Për pastërtinë e figurës”. I pyetur nëse ky organ ka konflikt interesi, kur të shqyrtojë ligjin e Dosjeve, kreu i qeverisë tha se, “nëse Gjykata Kushtetuese do e kthejë ligjin, ne do të marrim parasysh vërejtjet dhe do e votojmë prapë. Por nëse ligji prek ndonjë anëtar të kësaj gjykate, atëherë ka konflikt interesi, gjykata do të ribëhet”. Kjo deklaratë e kreut të qeverisë vjen pasi opozita nuk dha konsensusin në Kuvend për miratimin e ligjit të Dosjeve.
Kushtetuesja “ngrin” për 10 ditë
Aristir Lumezi
Sipas një protokolli të hartuar kohë më parë, të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese shqiptare janë të ftuar nga Gjykata Kushtetuese gjermane, për të marrë pjesë në një seminar që kjo gjykatë zhvillon javën e ardhshme. Ftesa e bërë nga kjo Gjykatë përcakton takime të shumta, me qëllim shkëmbimin e përvojës dhe ballafaqim me legjislacionin gjerman. Takimet do të zhvillohen në qytetin Karlstruh. Këtij delegacioni do t’i mungojnë dy gjyqtarë, Gjergj Sauli, i cili për shkak të një problemi shëndetësor e ka të pamundur udhëtimin me avion. Sauli mbetet në detyrë, edhe pse ka mbushur moshën, deri në zëvendësimin e tij. Ndërsa gjyqtarja Vitore Tusha, ndodhet në Itali, edhe ajo për arsye shëndetësore. Por edhe nëse socialistët do të depozitojnë kërkesën e tyre sot, ose ditën e premte, para mbylljes së orarit zyrtar, anëtarët e saj e kanë të pamundur marrjen në shqyrtim të kërkesës së socialistëve para nisjes së tyre për në Gjermani. Shkak për këtë pamundësi është mungesa e kuorumit të nevojshëm për të shqyrtuar një kërkesë që mbërrin në protokollin e këtij institucioni. Përveç dy anëtarëve të sipërpërmendur, Tusha dhe Sauli, që mungojnë për arsye shëndetësore, në këtë gjykatë mungojnë edhe tre anëtarë të tjerë. Xhezair Zaganjori dhe Sokol Berberi, të cilët ndodhen në Afrikën e Jugut në një aktivitet ndërkombëtar që zhvillohet në kryeqytetin e largët afrikan. Gjithashtu, jashtë vendit ndodhet që sot edhe një tjetër anëtar i gjykatës, Kujtim Puto, i cili udhëton për në Francë në ceremoninë e nisjes së vitit gjyqësor në Paris. Këto mungesa bëjnë të pamundur krijimin e kuorumit të saj, për të marrë në shqyrtim kërkesën e socialistëve, edhe nëse do të ekzistojë vullneti i plotë për t’i dhënë një përgjigje sa më të shpejtë njërës prej pikave të kërkesës, “pezullimit të zbatimit të vendimit deri në vendimin përfundimtar të saj”. Kërkohen të paktën 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese për të pranuar një kërkesë për shqyrtim. Gjykata Kushtetuese nuk ka një afat të përcaktuar se brenda sa ditëve apo javëve duhet të marrë në shqyrtim një kërkesë që mbërrin në zyrat e saj, siç nuk ka afat dhe për dhënien e vendimeve të saj. Pritet që për nga rëndësia që ka ligji për “Pastërtinë e figurave” Gjykata Kushtetuese të veprojë me shpejtësi, duke e marrë shpejt në shqyrtim atë dhe për të dhënë në kohë një vendim paraprak, për pezullimin e zbatimit të tij. Në fakt ky ligj prek dhe anëtarë të kësaj gjykate, një pjesë e të cilëve kanë punuar si gjyqtarë gjatë viteve të monizmit dhe nuk i kanë shpëtuar gjykimeve politike mbi bazën e legjislacionit në fuqi.
Gjykata Kushtetuese
Vladimir Kristo, Kryetar
Gjergji Sauli, anëtar
Fehmi Abdiu, anëtar
Kujtim Puto, anëtar
Petrit Plloçi, anëtar
Xhezair Zaganjori, anëtar
Vitore Tusha, anëtare
Sokol Sadushi, anëtar
Sokol Berberi, anëtar
Precedenti në 2002, Gjykata bllokoi “Majkon” brenda ditës
Në shkurt 2002, kur qeveria “Majko 2” priste të merrte miratimin e saj nga Kuvendi, kreu i opozitës së atëhershme Sali Berisha iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për ta quajtur antikushtetues dekretimin e kabinetit qeveritar nga ana e Presidentit, pa marrë më parë votëbesimin në Kuvend. Kërkesa e PD-së u administrua menjëherë nga Gjykata Kushtetuese, e cila u vu menjëherë në lëvizje. Kryetari i asaj kohe i kësaj gjykate, Fehmi Abdiu, mblodhi trupën e gjyqtarëve dhe vendosi pezullimin e paraqitjes së qeverisë së re në Parlament, ndërsa shqyrtoi më pas kërkesën e opozitës mbi kushtetutshmërinë e dekretimit të saj nga Presidenti i asaj kohe, Rexhep Meidani. Në vullnet të plotë për të vepruar shpejt në kushtet e një bllokimi që i bëhej atëherë krijimit të qeverisë, Gjykata mori vendimet e saj në një kohë shumë të shkurtër. Gjykata i hapi dritën jeshile qeverisë së Kryeministrit Pandeli Majko, duke e quajtur të drejtë procedurën e dekretimit të saj nga Presidenti i Republikës. Parlamenti rifilloi diskutimet për qeverinë e re, pasi Majko në postin e kryeministrit paraqiti përbërjen dhe programin e qeverisë së tij. Gjykata Kushtetuese e pezulloi të mërkurën paraqitjen e qeverisë së re në Parlament, për të shqyrtuar kërkesën e opozitës mbi kushtetutshmërinë e dekretimit të saj nga presidenti. Gjykata Kushtetuese vendosi se procedura e ndjekur për emërimin e kryeministrit ishte e drejtë.