Elton Deliu, vrasja nga "komshinjtë"
Etleva Delia
Grupi hetimor hedh dritë mbi rrethana të reja të vrasjes së Elton Deliut dhe nënës së tij, rreth një muaj më parë në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Dosja e vrasjes së dyfishtë, e cila është rikthyer në polici për t'u rihetuar është plotësuar menjëherë me informacione të reja në lidhje me ngjarjen 27 dhjetorit 2008, kur Elton Deliu dhe nëna e tij u vranë brenda apartamentit të tyre në katin e gjashtë të pallatit. Sipas policisë dyshohet se autorët e vrasjes së Elton Deliut dhe nënës së tij, Flutura Deliu, mund të kenë qenë komshinj të tij, të cilët kishin marrë një apartament me qira ngjitur me apartamentin e viktimave. Burime të rezervuara nga policia e Tiranës bënë të ditur për gazetën "Panorama", se sipas dëshmisë nga e fejuara e 32-vjeçarit, dy persona kanë marrë me qira një apartament një vit më parë, por nuk kanë jetuar asnjëherë aty. Apartamenti ishte ngjitur me shtëpinë ku banonte Deliu, madje fare lehtë mund të kalohej nga njëri ballkon në tjetrin. Ky është një fakt që mund të shpjegojë rrethanat e largimit të autorëve nga vendi i ngjarjes pa u vënë re nga dëshmitarët.
Dëshmia e të fejuarës
Personi që ka parë të gjallë për herë të fundit Elton Deliun, ka qenë e fejuara e tij, të cilës ai i ka kërkuar ndihmë, pasi ishte qëlluar nga atentatorët. Ajo është marrë në pyetje nga policia ku ka deklaruar momentet e fundit kur ka qenë me të. Ajo ka thënë se ishin kthyer makinë për në shtëpi dhe pasi e kanë parkuar mjetin, Eltoni është ngjitur lart me ashensor, ndërsa ajo duke qenë se ashensori ishte i bllokuar është ngjitur nga shkallët. Në momentin që ajo ka qenë përballë derës së apartamentit të tyre ka parë Eltonin, që po mbahej në derë dhe që i dilte gjak nga qafa. Ai i ka thënë që e kishin qëlluar dhe i kishte kërkuar ndihmë për të lajmëruar ambulancën, por nuk ka mundur të japë asnjë shpjegim në lidhje me autorët, pasi ka vdekur në vend nga plagët e shumta që kishte marrë. Sipas saj, për kohën e shkurtër që ka ndodhur ngjarja, personat që kanë qëlluar mbi Deliun dhe nënën e tij, nuk kanë pasur asnjë rrugë tjetër për t'ia mbathur, përveçse nga ballkoni, që ishte ngjitur me apartamentin e tyre. Ky ka qenë dyshimi kryesor i saj, pasi në atë moment ashensori ka qenë i hapur, por as nga shkallët nuk kishte zbritur njeri. Kjo ka qenë një dëshmi mjaft e rëndësishme për oficerët e policisë, të cilët janë duke hetuar në këtë drejtim, por ende nuk janë identifikuar personat, që kishin marrë me qira apartamentin.
Atentati i dështuar
Në qershor të vitit 2005, Elton Deliu i shpëtoi një atentati, të organizuar nga dy miqtë e tij, pasi sipas policisë kishin pasur debate në prishje pazaresh në trafikun e drogës. Policia në atë kohë arriti të arrestonte atentatorët, por jo ata që kishin organizuar gjithçka. Vetëm një vit pas atentatit, RENEA mundi të arrestonte në Kavajë dy miqtë e Deliut, Kild Kodrën dhe Erald Bakallin, të cilët kishin organizuar edhe atentatin ndaj tij.
Hetohet "hileja" me përzierësin e drogës
TIRANE - Prokuroria, e cila po drejton hetimet për zbardhjen e vrasjes së Elton Deliut, dyshon se atentati ndaj tij është organizuar pas mosmarrëveshjeve që viktima ka pasur me persona të tjerë, të implikuar në trafikun e drogës. Në vitin 2006, në bulevardin kryesor të Tiranës, Elton Deliu u ndalua ndërsa në makinë bashkë me të ndodheshin edhe dy persona të tjerë që po transportonin rreth 5 kilogramë pluhur, të dyshuar si lëndë narkotike. Policia e Tiranës, bazuar në të dhënat e saj operative, ndaloi makinën dhe arrestoi të tre personat ndërsa pak ditë më vonë Elton Deliu u la i lirë, edhe pse ishte kapur me një armë pa leje. Nga të dhënat e burimeve zyrtare, u mësua më pas se një pjesë e konsiderueshme e sasisë së pluhurit që u gjet në makinë, në fakt nuk kishte qenë drogë por thjesht lëndë përzierës që përdoret për të rritur masën e dozave narkotike. Megjithatë personat të tjerë dyshohet se kishin paguar tek Elton Deliu për "mall të pastër" ndërsa viktima e vrasjes së dyfishtë fundvitin e kaluar dyshohet se nuk pranoi të kthente mbrapsht paratë shtesë që kishte marrë nga trafikantët. "Një konflikt i tillë është duke u verifikuar nëse ka qenë motiv i vrasjes së Elton Deliut', tha prokuroria. t.s