E Diel, 1 Nëntor 2026

Mijëra parisienë dalin në "barrikada"

Parisi ka përjetuar dje një ditë
të vështirë, ndërsa qindra
mijëra mësues, infermierë,
punëtorë dhe nëpunës të ndryshëm
kanë dalë në rrugët e qytetit
të dritave për të kërkuar rritje të
pagave dhe më shumë siguri për
vendet e punës. Demonstratat
ishin pika kulmore e një dite greve
kombëtare, e thirrur nga tetë
sindikatat më të mëdha e kryesore
të vendit, qëllimi i së cilës ishte
kërkesa ndaj Presidentit të vendit
dhe drejtuesve të bizneseve të
mëdha për më shumë ndihmë
ndaj njerëzve të zakonshëm për të
kaluar këto momente të vështira
të krizës ekonomike. Megjithëse
nga shumëkush kjo u cilësua si "e
enjtja e zezë", greva nuk solli
ndonjë ndalesë të madhe të aktivitetit
të përditshëm të Parisit,
pasi ndryshe nga herët e tjera,
pati vazhdimësi të transportit
publik, edhe pse ai ishte më i
reduktuar se zakonisht. "Qeveria
mori masa për të shpëtuar bankat
nga falimentimi, por tani janë
punëtorët ata që po vuajnë më
shumë dhe po heqin në kurrizin
e tyre grykësinë dhe gabimet e
atyre që vazhdojnë të jetojnë me
miliona", deklaroi një punëtor
grevist. Sipas një tjetër pjesëmarrësi
në grevë, kriza erdhi nga Shtetet
e Bashkuara, prej bankave të
këtij vendi, dhe nuk duhet që për
këtë të vazhdojnë të paguajnë si
gjithmonë njerëzit e thjeshtë.
Kryeqendra e demonstratës ishte
Place de la Bastille në Paris,
vendlindja e Revolucionit
Francez. Sindikatat, të bëra bashkë
si rrallë herë më parë, hartuan
një listë të përbashkët kërkesash
për qeverinë dhe kompanitë. Së
pari ato i kërkuan Sarkozisë që të
hiqte dorë nga reformat që janë
bërë kërcënuese për ta dhe i propozuan
që të krijonte paketa
stimuluese jo vetëm për bankat,
por edhe për konsumatorët. Ndër
kërkesat specifike mund të rendisim
rritjen e rrogave, përmirësimin
e kushteve për punëtorët e
transportit dhe heqjen dorë nga
plani për reformimin e sektorit
shëndetësor, atë arsimor etj.
Ndërsa sektori publik ka qenë më
prezent në grevën e djeshme, përfaqësuesit
e sektorit privat kanë
qenë më të rrallë. Për sa i përket
reagimit të qeverisë, ajo u shpreh e
vendosur që të vazhdonte me reformat:
"Qeveria nuk do të ndalet
në projektet e saj për reforma në
ata sektorë që janë të nevojshme",
deklaroi ministri i Arsimit francez.
Franca, edhe pse nuk ndodhet në
atë situatë të rëndë ekonomike si
Britania e Madhe apo Spanja, ka
një shkallë të papunësisë që sa vjen
e po rritet. Vetëm në muajin nëntor,
në Francë numëroheshin 2.7
milionë të papunë. "Unë po protestoj
kundër pagave aktuale, që
nuk kanë pësuar asnjë lloj rritjeje
edhe pse jetesa është shtrenjtuar
shumë. Nuk është e drejtë që gjithmonë
punëtorët dhe shtresa e
mesme të vuajnë. Mendoj se sot
situata është shumë e rëndë. Për
mua është greva e parë që marr
pjesë edhe pse kam 20 vjet që
punoj", ka deklaruar një greviste.
Sipas sindikatave, pjesëmarrja në
protesta ishte shumë e madhe dhe
ato u zhvilluan jo vetëm në Paris,
por edhe në qytete të tjera të
Francës. Në Place de la Bastille,
punonjësit e spitaleve u bënë bashkë
me stafin e Air France dhe
punonjësit e transportit publik
kryeqytetas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›