E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, lumë kritikash për Financat: “Transparenca në përdorimin e taksave, e dobët”

Deklarata vjen prej shefit të delegacionit të KE-së, Helmuth Lohan. Përdorimi i fondeve publike do të monitorohet nga KE-ja

Bashkimi Europian ka deklaruar: “Shqipëria është ende mbrapa me transparencën që duhet të tregojë në përdorimin e parave të taksapaguesve nga institucionet shtetërore”. Kjo gjë është bërë e ditur dje gjatë prezantimit të projektit të binjakëzimit prej 1 milion eurosh për Kontrollin e Brendshëm Financiar të Fondeve Publike (Public Internal Financial Control II) nga Komisioni Europian, që do të vazhdojë deri në korrik 2010. Edhe në Raport-Progresin e KE-së për këtë vit, Shqipëria është ende mbrapa me transparencën në përdorimin e parave të taksapaguesve nga institucionet shtetërore. “Përveç mungesës së një sistemi të fortë kontrolli në këtë fushë, ka gjithashtu një mungesë njohurie dhe ekspertize në nivel drejtues”, - tha shefi i delegacionit të KE-së, Helmuth Lohan, gjatë prezantimit. Më tej, shefi i delegacionit të KE-së në Shqipëri, ambasadori Lohan, foli edhe për rëndësinë e zbatimit dhe qëndrueshmërisë së këtij projekti dhe të ligjeve e politikave të mirformuara në fushën e kontrollit të brendshëm publik. Ai theksoi: “Ndryshimet në pushtet nuk duhet të çojnë në ndryshime të strukturave dhe personelit të auditimit të brendshëm”.

Projekti

“PIFC II” vjen pas një projekti të parë të financuar po nga KE-ja që u zbatua gjatë periudhës 2005-2006 dhe u përqendrua në përforcimin e strukturave të brendshme të auditimit pranë institucioneve shtetërore. Në përputhje me standardet e BE-së, ky ligj duhet të përcaktojë role dhe përgjegjësi të qarta në sektorin publik përsa i përket përdorimit të fondeve. Mes të tjerash, “PIFC II” do t’i adresojë këto mangësira nëpërmjet ndihmës me një ligj për Kontrollin e Menaxhimit Financiar. Për më tepër, do të përgatitet një manual, i cili do të shpjegojë se si mund të kontrollohet përdorimi i fondeve publike, do të mbahen seminare me qëllim ndërgjegjësimin si edhe trajnime për administratën publike. Projekti “PIFC II” do të zbatohet nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Mbretërisë së Bashkuar (National Audit Office UK), së bashku me partnerin e saj, Ministrinë polake të Financave. Projekti "Zhvillimi dhe kontrolli i brendshëm financiar publik", i financuar nga BE, ka nisur që në vitin 2005 me projektin e parë.

Marrëveshja

Ministria e Financave, në bashkëpunim me Komisionin Europian, nënshkruan marrëveshjen për financimin e projektit të kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit financiar publik. Në tërësi, ky projekt synon krijimin e një kuadri ligjor, rregullues dhe të praktikave që garantojnë përdorimin me efektivitet të administrimit të taksave. Ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh: “Një nga kërkesat kryesore për anëtarësimin në Bashkimin Europian është forcimi i kontrollit financiar në sektorin publik”. Sipas Bodes, “Ministria e Financave po drejton reformat e financave publike dhe e ka rikonfirmuar mbështetjen e saj të fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm të Kontrollit të Brendshëm Financiar të Fondeve Publike në Shqipëri. Është e rëndësishme që Shqipëria t’u afrohet përvojave më të mira të shteteve anëtare si edhe standardeve ndërkombëtare, të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin e përgjegjësisë dhe transparencës në shpenzimin e lekëve të taksapaguesve”. Ambasadori i Komisionit Europian, Helmuth Lohan, mbështeti rëndësinë e kësaj marrëveshjeje dhe përmbajtjen e projektit. Në fushën e përmirësimit të sistemit të kontrollit financiar janë realizuar ligjet për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe ai për auditimin e brendshëm dhe si rrjedhojë janë krijuar dy qendra të pavarura të legjislacionit financiar.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›