E Diel, 1 Nëntor 2026

Erion Isufi: “Pasuritë po më mbahen padrejtësisht në sekuestro”



Laureta Rryçi

Tiranë - Llogaritë bankare të bllokuara të Erion Isufit, kunatit të Lulzim Bashës, i lidhur me bizneset e Damir Fazlliçit, shkaktuan dje debate të forta në Gjykatën e Tiranës. Avokati mbrojtës, Ardjan Leka, ka kërkuar të shpallet e pavlefshme shkresa e prokurorisë për bllokimin e llogarive, ndërkohë që sipas prokurorisë, llogaritë janë bllokuar për shkak verifikimi. Kërkesa e avokatit e ka detyruar gjyqtarin e çështjes ta shtyjë seancën gjyqësore për t’u shprehur në lidhje me kërkesën e avokatit. Vetëm çështja e Isufit dhe e Fazlliçit nuk është pushuar ende. Më me fat duket se ka qenë Dionis Teqja, ndaj të cilit ishte bërë e njëjta kërkesë.
Hetimet
Dy ditë pas nisjes së hetimeve ndaj serbo-boshnjakut Fazlliç, prokuroria vendosi sekuestrimin e të gjitha pasurive në emër të tij. Hetuesit kërkuan informacion nga bankat për gjendjen e llogarive bankare dhe transaksionet e kryera nga biznesmeni dhe nga hipotekat, për të mësuar të gjitha pronat e regjistruara në emër të serbo-boshnjakut. Njësia e specializuar e Task-Forcës kërkoi informacion nga doganat për të verifikuar nëse shoqëritë e Fazlliçit kanë kryer ndonjë import-eksport malli. Por doganat ende nuk i janë përgjigjur interesit të prokurorisë. Deri tani në duart e hetuesve gjenden vetëm përgjigjet e bankave, ku rezulton se biznesmeni nuk ka vetëm disa “kacidhe” në llogaritë bankare. Por janë zbuluar disa transaksione, të cilat mund të jenë një provë e fortë për të vërtetuar dyshimet për pastrim parash.
Shitblerja
Shitja e kompanisë “Croun Acquisitions sh.p.k”, me një vlerë prej 1.7 milionë eurosh kompanisë “Altaria Research Limited” po në emër të Fazlliçit, përbën, sipas prokurorisë, provën më të fortë që serbo-boshnjaku ka bërë pastrim parash në Shqipëri. Por, për të vërtetuar dyshimet, prokuroria po heton dhe kryen verifikime të shumta. Deri tani prokuroria ka sekuestruar një sërë dokumentesh, të cilat po i shqyrton me qëllim që të nisë nga marrja në pyetje e personave që kanë bashkëpunuar me Fazlliçin. Erion Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, që ka qenë administrator i të paktën tri shoqërive të Fazlliçit, si dhe avokatja Flutura Kola, do të jenë dy personat e parë që do të japin shpjegime në organin e akuzës.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›