E Diel, 1 Nëntor 2026

Përqendrimi i investimeve publike për fushatë rrezikon inflacionin



Përqendrimi i investimeve publike dhe kryesisht i atyre në infrastrukturë në fillim të vitit të ardhshëm, si pasojë e nisjes së fushatës elektorale, rrezikon thellimin e inflacionit në vend. Sipas specialistëve të ekonomisë, kjo skemë, e cila është ndjekur edhe më parë nga qeveritë e ndryshme, ka ndikuar gjithmonë negativisht në nivelin e inflacionit që për vitin e ardhshëm parashikohet të rritet. Në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 parashikohen të investohen rreth 1 miliard lekë për sistemim dhe asfaltim rrugësh. "Një shumë prej 1 miliard lekësh nga financimi i brendshëm janë parashikuar për një numër të konsiderueshëm të projekteve me shtrirje në të gjithë vendin për sistemim asfaltim dhe riveshje, qëllimi i të cilave është të përmirësojnë gjendjen teknike të rrjetit rrugor kombëtar", - bënë të ditur ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

Qeveria kërkon sërish kredi për rrugën “Rrëshen-Kalimash”

Ministria e Financave ka marrë garanci nga Banka e Shqipërisë se sistemi bankar në vend është i aftë të japë kredi për financimin e “Rrëshen-Kalimash”. Financimi i këtij aksi, rreth 60 kilometra i gjatë, llogaritet në rreth 30 miliardë lekë, shifër rekord për sa i takon infrastrukturës rrugore. Kjo shumë do të përdoret për pjesën e parë të vitit 2009, pasi në qershor është caktuar në kontratë përfundimi i punimeve. Fakti që qeveria nuk e ka gjetur ende burimin për financimin e rrugës, në një kohë kur Kuvendi po diskuton buxhetin 2009, ka vënë në lëvizje ekspertët e Ministrisë së Financave. Sipas tyre, do të përdoren të gjitha variantet e mundshme për të siguruar kredinë, përfshi dhe burimet e brendshme. Sipas përfaqësuesve të Ministrinë e Financave, paratë për ndërtimin e rrugës mund të gjenden nga bankat që operojnë në tregun vendas, duke ndjekur të njëjtin model të një viti më parë, kur dy banka greke dhanë rreth 230 milionë euro kredi tregtare. "Kemi folur edhe me Bankën e Shqipërisë, e cila ka dhënë garanci se bankat e kanë mundësinë për të dhënë kredi deri në 30 miliardë lekë (afro 350 milionë dollarë)", thanë përfaqësues të Financave. Mjet tjetër burimi do të jetë hedhja në treg e eurobondit, por fakti i përfshirjes nga kriza i disa institucioneve financiare në botë e ka zbehur disi këtë variant. I gjithë buxheti 2009 parashikon një nivel huaje prej 51 miliardë lekësh, ku vetëm një pjesë e vogël do të financohet nga burimet e brendshme. Një pjesë e kontratave janë lidhur që në 2008-n, ndërsa institucionet financiare që do të japin kredi për 2009-n, do të vijojnë të jenë BB-ja, BERZH-i, BEI, Kooperacioni Italian etj. Përveç mungesës së burimit të financimit, qeveria "Berisha" mund të hasë në një problem tjetër, lidhur me aspektin makro. Fakti se për gjashtë muajt e parë të vitit do të hidhen në treg afro 30 miliardë lekë vetëm për “Rrëshen-Kalimashin”, pa përmendur këtu financimet e tjera, të domosdoshme edhe nga vetë situata zgjedhore, paraqet një situatë rreziku për sa i takon stabilizimit të çmimeve. Deri tani, FMN-ja nuk është shprehur kundër projektit të “Rrëshen-Kalimashit”, por ka kërkuar më shumë kujdes te financimet. Aksi rrugor, pjesë e autostradës “Durrës-Kukës”, ka marrë nga buxheti i shtetit deri tani afro 45 miliardë lekë.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›