E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: “Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve do të jenë 56.1 milionë lekë”



Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore gjatë vitit 2009 parashikohet të arrijnë në 56.191 milion lekë. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, se parashikimet janë bazuar në efektet e reformës së re të uljes së normës së kontributeve me 5 për qind të pjesës që paguan punëdhënësi, e cila do të hyjë në fuqi në 1 janar 2009. "Rritja e parashikuar e të ardhurave nga kontributet do të jetë rrjedhojë e rritjes ekonomike, formalizimit të tregut të punës ndërmjet përmirësimit të regjistrimit me anë të pajisjes me kartë identiteti, si edhe eliminimit gradual të raportit midis normës së kontributeve që paguan punëdhënësi dhe asaj që paguan punëmarrësi, për të arritur në nivelin e vendeve të tjera", nënvizoi Shehu. Në 1 janar 2009, reforma në sigurime do të prekë përqindjen e paguar nga punëdhënësi, e cila do të ulet nga 20 për qind në 15 për qind. Në projektbuxhet është parashikuar që të ardhurat e kontributeve do të jenë 56.191 milionë lekë, nga të cilat 49.812 milionë lekë kontribute shoqërore, ose 4.7 për qind e PPB-së në vitin 2009, krahasuar me 4.6 për qind në vitin 2008. Numri i kontribuesve për vitin 2008 është 400.000 persona, ndërsa si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve në biznesin e madh me rreth 6 për qind dhe numrit të kontribuesve në biznesin e vogël me rreth 45 mijë, parashikohet një rritje prej 56.400 kontribues të rinj në skemë.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›