“Mjaft”: Kryebashkiaku të japë dorëheqjen. Bime nuk pranon
TIRANË - Lëvizja “Mjaft” kërkoi dje dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, institucioni i të cilit dhe ai vetë janë përgjegjës për këtë tragjedi. Por kreu i Bashkisë së Gjirokastrës as që ka ndërmend ta ndërmarrë një hap të tillë. Ai deklaroi dje në konferencën për mediat se do të ishte në dispozicion të hetimeve por nga posti që ka. Lëvizja “Mjaft” ndër të tjera ka akuzuar ashpër kryetarin e kësaj bashkie si të përfshirë në biznesin e ndërtimit në këtë qytet. “Mjaft” verifikoi në terren fakte që vërtetojnë njëanshmërinë e z. Bime si kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit Gjirokastër për firmat e ndërtimit, të cilat janë në pronësi të të afërmve të tij dhe sidomos të kunatit të tij, Zihni Isaraj”, - shkruhej dje në njoftimin për shtyp të kësaj organizate. Sipas “Mjaft”-it është e pafalshme që ankesat e vazhdueshme të qytetarëve nuk janë marrë kurrë parasysh nga Bashkia dhe z. Bime. “Zëri i anëtarëve të tjerë të KRRT-së, që kundërshtojnë për objekte që paraqesin rrezikshmëri, nuk dëgjohet fare. Votat e tyre nuk përfillen pasi “dora” e z. Bime përbën shumicën absolute në KRRT”, - njoftoi dje kjo lëvizje. “Mjaft”-i kërkoi kontrollin e menjëhershëm të të gjitha objekteve si më poshtë, që paraqesin rrezikshmëri për jetët e banorëve në Gjirokastër dhe për të cilat ka ankesa të vazhdueshme. “Qendër tregtare dhe ambiente banimi - buzë rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë te ish-zona e Postbllokut me investitor “Boci SHPK”, ku terreni është njësoj i rrëshqitshëm me terrenin në të cilin u rrëzua pallati 5-katësh dje. E gjithë kodra mbi të është e banuar. Lejet e ndërtimit të dhëna pa kriter buzë Lumit Drino. Shtrati i këtij lumi herë pas here përmbyt zonën përreth. Hapja e nyjes së qarkullimit pranë spitalit rajonal jashtë çdo kriteri dhe kushti teknik ndërtimi, me ankesa të vazhdueshme nga qytetarët. Betonizimi i të gjithë damarëve të sipërm të qytetit. Nga rrugët tradicionale me kalldrëm tani nuk ka më asnjë gjurmë. Ndërtimi i pallatit shumëkatësh pranë konviktit të djemve, pa zbatuar fare distancat dhe normat e lejuara, me investitor kunatin e z. Bime, z. Isaraj”, - denoncoi ndër të tjera kjo lëvizje.
12 Nentor 2008