E Diel, 1 Nëntor 2026

Tmerr në Gjirokastër, rrezikon shembjen edhe pallati ngjitur

Mbeten pa strehë edhe 25 familje të tjera pranë pallatit të shkatërruar

GJIROKASTËR - Rriten dëmet nga rrëshqitja e pallatit ku gjetën vdekjen tre persona në qytetin e Gjirokastrës. Burimet zyrtare pohojnë se edhe pallati ngjitur me ndërtesën që u shemb tri ditë më parë është i pabanueshëm, duke lënë pa shtëpi edhe rreth 25 familje të tjera. Ekspertë gjeologë që kanë inspektuar zonën këto tri ditë kanë dalë në konkluzionin se edhe një tjetër pallat, që gjendet shumë pranë pallatit ku ndodhi tragjedia, rrezikon shembjen. Sipas ekspertëve, në pallatin në fjalë janë dhënë shenjat e para të dobësimit. Muret kanë treguar shenja dobësimi dhe në disa vende janë konstatuar çarje dhe krisje të tyre. Për siguri, 25 familje janë larguar në panik duke mos dashur të rrezikojnë aspak. Ndonëse specialistët janë shprehur për shenja dobësimi të këtij pallati, ende asnjë nga zyrtarët apo institucionet e varura nga Bashkia e Gjirokastrës nuk ka paracaktuar ndonjë plan për marrjen e masave. Madje, vetëm ditën e djeshme filloi aksioni për rrëzimin dhe demolimin e pjesës së mbetur të pallatit ku ndodhi tragjedia që mori tre jetë njerëzish.
Shembja
Dje, rreth mesditës, filloi shembja e pjesës së mbetur të pallatit në Gjirokastër. Operacioni për prishjen e tij është bërë i ditur nga prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera. Sipas tij, është vendosur që prishja të bëhet me mjete të rënda dhe jo me shpërthim, për të mos shkaktuar panik te banorët. Ndërsa major Neflli Devolli, nga Ministria e Mbrojtjes, ka siguruar: “Punimet për shembjen e objektit nuk do të kenë asnjë rrezik për banorët që jetojnë pranë kësaj ndërtese”. “Pas konsultimit me ekspertë të Regjimentit të Infrastrukturës, në Ministrinë e Mbrojtjes, u ra dakord që për të shmangur dëmet e tjera të mundshme dhe pasigurinë te banorët, rrëzimi i objektit të mos bëhet me lëndë plasëse por me mjete të rënda”, - tha Ksera.
Protesta
Banorët e Gjirokastrës kanë zhvilluar dje një protestë në sheshin kryesor të qytetit. Ashtu siç ishte lajmëruar, në Gjirokastër ka nisur protesta e banorëve, që kërkojnë zbardhjen e ngjarjes së rëndë, e cila mori tri jetë të pafajshme dhe la pa strehë e të traumatizuar dhjetëra të tjerë. Protesta ka nisur në sheshin kryesor të qytetit, “Çerçiz Topulli”, ku banorët janë mbledhur me parulla në duar. Ata kërkojnë largimin e drejtuesve lokalë, të cilët i bëjnë përgjegjës për ngjarjen. “Jemi këtu për t’u dhënë lamtumirën e fundit viktimave të pafajshme të korrupsionit dhe të kërkojmë largimin e drejtuesve lokalë që drejtojnë klanet ndërtimore”, - kanë thënë protestuesit. Ditën e djeshme janë përcjellë për në banesën e fundit nënë e bijë, që vdiqën nën rrënojat e pallatit të shembur në Gjirokastër. Familja Dalani ka përcjellë dje në mesditë Valbona dhe Anxhela Dalanin, në një ceremoni ku janë bashkuar qindra qytetarë dhe drejtues të pushtetit lokal në Gjirokastër.

Shërbimi gjeologjik jep alarmin për licencat e specialistëve

Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kërkon me insistim përfshirjen e një gjeologu në radhët e Këshillit të Rregullimit të Territorit për çdo bashki apo komunë. Studimi Gjeologjik kur dorëzohet në dosje bashkë me dokumentacionin tjetër për lejen e ndërtimit nuk kontrollohet. Në rastin e Gjirokastrës, studimi gjeologjik ishte bërë privatisht nga një ish-punonjës i këtij shërbimi, por ai nuk është përfillur nga ndërtuesi. “Problemi mbetet te licencat që jepen nga Ministria e Punëve Publike. Nuk ka asnjë gjeolog specialist që të marrë licencë, ndërkohë që me dokument janë pajisur kryesisht ata që sapo kanë mbaruar shkollën”, - u shpreh Adil Neziraj, drejtor i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Një grup gjeologësh po bëjnë ekspertizën e Studimit Gjeologjik që iu bë zonës në Gjirokastër ndërkohë që po studiohet edhe për vazhdimësinë e shembjes së dheut në rrugën në drejtim të kalasë.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›