E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE mbështet EULEX, tjetër mision në Kosovë

Autori i Lajmit: Redaksia

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian shprehën kënaqësinë me rezultatet e deritashme që misionit EULEX në Kosovë ka realizuar “në mjedis të vështirë në mbështetje të drejtësisë dhe trupave për zbatimin e ligjit”. Sipas konkluzioneve nga takimi në Luksemburg, “Këshilli i Ministrave të BE-së e mbështet vendosmërinë e EULEX-it për të ushtruar mandatin në tërë territorin e Kosovës”. Në tekst thuhet se EULEX-i këtë e ka arritur kur bëhet fjalë për “zbatimin e reformave për sundimin e ligjit, përfshirë ngritjen e aktpadive dhe gjykimin e rasteve kriminale të ndjeshme”. Shefat e diplomacive të BE-së “përshëndetën përpjekjet për rritjen e pranisë dhe aktiviteteve të misionit në veri të Kosovës dhe së bashku me faktorët e tjerë të BE-së, duke përfshirë edhe krijimin e Zyrës së BE-së në Mitrovicë”,- transmetojnë agjencitë. Në dokumentin përfundimtar, shefat e diplomacive “mbështesin përpjekjet e EULEX-it për thellimin e bashkëpunimit në rajon”.
Veriu i Kosovës
Pavarësisht interesimit të autoriteteve vendore e evropiane për rritjen e pranisë në veri të Kosovës, në misionin EULEX thonë se nuk ka plane për një gjë të tillë. Por, çështja e pazgjidhur e gjykatave në veri mund të ndryshojë veprimet e misionit në këtë drejtim. Mungesa e një zgjidhjeje për rifunksionimin e tërësishëm të gjykatave në veri të Mitrovicës, duket se mund ta detyrojë misionin e Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë që ta rrisë praninë e vet në këtë pjesë të vendit. Aktualisht, në tërë rajonin e Mitrovicës, EULEX-i ka personel prej 534 personash, prej të cilëve 381 janë pjesë e komponentit të policisë, 30 të komponentit të drejtësisë, 57 të komponentit të doganave dhe 66 të angazhuar në administratë dhe në zyrën e shefit të misionit. Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë se për momentin nuk ka plane për rritjen e numrit të misionarëve evropianë në veri, por një gjë e tillë mund të ndryshojë.
Misioni
Ndërkaq, dje EULEX ka marrë një vendim jo pak të rëndësishëm. Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë nuk do të udhëheqë task forcën kundër korrupsionit. Zyrtarë të këtij misioni, në kushte anonimiteti, i kanë thënë gazetës se misioni do të jetë i angazhuar në këtë task forcë, mirëpo evropianët me mision në Kosovë, nuk janë pajtuar shumë me publicitetin që i ka dhënë Qeveria krijimit të task forcës, duke potencuar se publiciteti i madh vetëm sa do ta dëmtojë punën e këtij organizmi. Megjithatë, burimet kanë thënë se ka qenë misioni i BE-së, ai që ka kërkuar krijimin e grupit të ekspertëve që do të merret ekskluzivisht me luftimin e korrupsionit. “Të gjithë e dimë tashmë se korrupsioni është problem i madh në Kosovë. Ne kemi këmbëngulur në krijimin e task forcë, me qëllim që të ngrihet lufta kundër korrupsionit”,- i ka thënë gazetës një zyrtar i lartë ndërkombëtar, duke mos e fshehur kënaqësinë që pikërisht lufta kundër korrupsionit ka arritur që në kohët e fundit të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit.

Ky lajm është publikuar: 27/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›