E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRIZA FINANCIARE Ndihma për Greqinë, vendet e BE-së përplasen sërish

Autori i Lajmit: Redaksia

Aktivizimi i ndihmës financiare për Greqinë ka vënë edhe një herë në lëvizje vendet e eurozonës. Debatet e zhvilluara para miratimit të kësaj pakete financiare, duket se kanë vijuar edhe para aktivizimit të saj. Vendet si Franca dhe Gjermania kanë vendosur kushte për dhënien e ndihmës, ndërsa dy shtete të tjera, Italia dhe Austria janë vendosur përballë tyre. Gjermania insisto në kushte të forta para të cilave duhet të vendoset Greqia për të marrë paketën e ndihmës financiare, ndërsa Italia thotë se plani BE- FMN është shpëtim për eurozonën. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, u shpreh negativisht lidhur me një ndihmë financiare drejt Greqisë, nëse fillimisht Athina nuk paraqet një program të besueshëm për reduktimin e deficitit të saj buxhetor. Ndërkaq ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, tha se plani antikrizë, “nuk është një shpëtim, por një konsolidim i mureve të Evropës dhe euros, pra është një shpëtim për të gjithë ne".
Debatet
Greqia duhet të bëjë “detyrat e saj të shtëpisë” më pas të marrë ndihmën. Këtë ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, në prag të mbledhjes me ministrat e Jashtëm të BE-së në Luksemburg. ”Dhënia e shpejtë e ndihmës do të bënte që Greqia të merrte detyrat e saj të shtëpisë jo me disiplinën e duhur”, - ka thënë Vestervelle. Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, tha se plani antikrizë, “nuk është një shpëtim, por një konsolidim i mureve të Evropës dhe euros, pra është një shpëtim për të gjithë ne".
"Në mesin e krizës e kuptuam se ndihmat ishin të nevojshme dhe këtë e bëmë duke u nisur me Greqinë”, - deklaroi Fratini. "Por kjo nuk është një ndihmë për shtetin. Është një sistem që përforcon euron. Madje, është një forcim i integrimit, sepse shkon pikërisht në drejtimin që të çojnë edhe masat e ndihmave. Nëse aktualisht nuk do të bënim atë që duhet të bëjmë, pra të ndihmojmë Greqinë, ne do të krijonim kushtet që nesër të kishte më shumë ndihma dhe jo më pak",- shtoi Fratini.
Ndihma
Edhe Austria thotë se fondet janë urgjente për të shpëtuar Greqinë nga borxhi i madh që ka dhe se nuk duhet humbur koha. Të premten, qeveria greke kërkoi aktivizimin e një pakete ndihme me vlerë 60 miliardë dollarë nga partnerët në BE dhe FMN. Ajo mund të jetë mjaft entuziaste për përfshirje të FMN, por në rrugë rezistenca po rritet.
Kësaj rezistence i ka dhënë më peshë sapozgjedhja e udhëheqësit të ri të partisë konservatore, Antonis Samaras, i cili ka paralajmëruar se FMN do ta detyrojë Greqinë të vendosë masa të reja që as ekonomia, as shoqëria nuk do të jenë në gjendje të përballojnë. Simptoma të stresit në të cilin po kalon vendi u shfaqën jashtë Ministrisë të Brendshme dhe portit kryesor të grek të Pireut.
Punonjës të portit ndaluan tragetet që udhëtojnë për në ishuj të tjerë, ndërsa ata u hodhën në grevë 24-orëshe. Ndërkohë, unioni kryesor i punonjësve publikë po planifikon një demonstratë të madhe kundër FMN-së këtë javë.
Fjalët e shefit të përgjithshëm të FMN se grekët nuk duhet të kenë frikë nga FMN, duket se kanë rënë në vesh të shurdhët. Ndërkohë, çmimi që qeveria greke duhet të paguajë për huatë po vazhdon të rritet. Ai kapërceu 9% për herë të parë qëkur Greqia iu bashkua eurozonës.

“Bundesbank”, kritika FMN-së

Presidenti i bankës gjermane “Bundesbank”, Axel Veber, kritikoi rolin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në kuadër të një plani shpëtimi për Greqinë, në një intervistë për të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. "Që FMN-ja të jetë aktive jashtë rolit të saj për sa i përket financimit të deficiteve rrjedhëse në valutë të huaj, është diçka problematike. Është një princip i përgjithshëm dhe kjo nuk i përket vetëm rastit të Greqisë”,- deklaroi Veber. Greqia kërkoi javën e kaluar aktivizimin e një plani ndihme parashikuar nga evropianët në lidhje me FMN.

Heqja e rrogës së 13 dhe 14, zhyt në kaos Greqinë

Kaosi mbizotëron në Greqi pas deklaratës së ministrit të Financave, Jorgos Papakonstandinu, se po diskutohet zhdukja edhe në sektorin privat e rrogës së 13-të dhe 14-të. Plaga më e rëndë edhe për emigrantët ishte kjo deklaratë. Me deklarata të njëpasnjëshme kancelarja gjermane, Merkel, thotë se Greqia duhet të paraqesë një program standard që ti jepet ndihma. Kriza thellohet nga dita në ditë dhe duke u bazuar në zhvillimet e fundit në vend, emigrantët, që janë shtresa më e prekur, gjenden në një nga udhëkryqet më të vështira të 20 viteve të fundit.
Me masat e reja të marra në Greqi, shumë vendas do të mbeten pa punë dhe pritet të krijohen probleme midis emigrantëve dhe vendasve. Ndihma nga FMN dhe BE për Greqinë do të thotë që vendi do të “qeveriset” nga ata. Asnjë ministri nuk merr dot vendime pa firmën e FMN-së.

Ky lajm është publikuar: 27/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›