E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE mbështet protokollin EULEX-Serbi, Kosova kundër

 

Bashkimi Evropian ka mbështetur plotësisht punën e EULEX-it në Kosovë, përfshirë edhe “marrëveshjet teknike me Beogradin”, që do të thotë se protokolli me Serbinë e mori mbështetjen e Brukselit me gjithë kundërshtimet e forta të Prishtinës zyrtare. Autoritetet në Kosovë kanë lënë të kuptojnë se nuk janë kundër punës së EULEX-it, por sipas tyre, me rastin e protokollit, EULEX e ka keqmenaxhuar situatën, duke përjashtuar vendimmarrjen e Prishtinës. Pas raportimit të djeshëm në Bruksel të përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Piter Feith, Komiteti Politik dhe i Sigurisë i BE-së i ka dhënë mbështetje të plotë punës së EULEX-it në Kosovë. Zëdhënësja e misionit, Karin Limdal, theksoi se në lidhje me çështjen e Protokollit do të vazhdojnë konsultimet me të gjitha palët e përfshira në proces. “Ambasadorët e Bashkimit Evropian mbështetën plotësisht punën e pranisë së BE-së në terren, atë të EULEX-it dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së, përfshirë aranzhimet teknike me Beogradin. Ky është një element thelbësor në luftimin e krimit të organizuar dhe do të jetë i dobishëm për të gjithë qytetarët e Kosovës. Konsultimet me të gjitha palët relevante në këtë proces do të vazhdojnë”, tha Limdal. Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri komentoi se, “ne nuk paragjykojmë kurrfarë rezultati apo marrëveshjeje në mes të EULEX-it dhe palës serbe. Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është bërë i qartë. Ajo marrëveshje për Kosovën është e papranueshme”, tha Beqiri.

Ahtisari: Serbia jashtë BE-së pa njohur Kosovën

Ish-kryenegociatori i OKB-së mes Kosovës e Serbisë, nobelisti i paqes Marti Ahtisari, tha se Serbia nuk duhet të anëtarësohet në BE pa njohur pavarësinë e Kosovës. Në një intervistë për të përditshmen austriake “Die Press”, Ahtisari është shprehur se Kosova e menaxhon me sukses veten pa tutorët e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa bën thirrje edhe për investitorë të huaj në Republikën e re. Për sa i përket shpresave të Serbisë për t’u anëtarësuar në BE para se të njohë Kosovën, Ahtisari theksoi se BE-ja nuk do të lejojë të bartë probleme të tilla. “Ne kemi problemin e Qipros dhe problemin e kufirit mes Sllovenisë dhe Kroacisë, nuk bartim dot të tjera”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›