E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE mbështeti Kushtetutën e Kosovës, pritet po-ja e Kuvendit

• Kosova tashmë ka të dokumentuar aktin më të lartë ligjor që përkufizon një shtet të vërtetë, Kushtetutën, e cila pret vetëm vulën e Kuvendit.

Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës e miratoi dje me konsensus të plotë tekstin përfundimtar të Projekt Kushtetutës së republikës më të re në kontinent. Komisioni Kushtetues ka deklaruar në fund të miratimit të këtij akti ligjor se e ka punuar atë me përkushtim të madh, pas një debati të frytshëm publik, duke mbledhur, analizuar dhe shqyrtuar të gjitha komentet, vërejtjet dhe propozimet e bëra nga qytetarët, ekspertët dhe diskutimet në tryeza të rrumbullakëta me grupe të interesit në gjithë Kosovën. Teksti përfundimtar i Projekt-Kushtetutës i reflekton të gjitha komentet, vërejtjet dhe propozimet e qytetarëve të cilat Komisioni Kushtetues i ka vlerësuar të jenë në pajtim me Deklaratën e Pavarësisë dhe në harmoni me obligimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Por ky dokument nuk u vlerësua pozitivisht vetëm nga përpiluesit e tij. Gjatë pasdites së djeshme Projekt Kushtetuta e Republikës së Kosovës u dërgua për shqyrtim me kërkesën e certifikimit edhe në zyrën e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar. Teksti përfundimtar i miratuar i Projekt Kushtetutës së Republikës së Kosovës do të publikohet në faqen e internetit të Komisionit Kushtetues para miratimit të saj nga Kuvendi. Deri tani thuhet se parashikuar që Kushtetuta e Kosovës t’i japë më shumë kompetenca presidentit të vendit. Në një deklaratë të një dite më parë, zv/kryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se afati më i largët në të cilin pritet të miratohet Kushtetuta e Kosovës, duke marrë edhe miratimin e Kuvendit, pritet të kryhet brenda datës 15 të këtij muaji. 
Miratimi nga BE
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian në Kosovë Pieter Feith ka dhënë pëlqimin për kushtetutën e re të Kosovës. Feith, i cili drejton misionin civil të BE-së në Kosovë, tha se dokumenti i garanton të drejtat e pakicave, përfshirë edhe të pakicës serbe. “Kosova do të ketë Kushtetutë moderne, e cila plotësisht i garanton të drejtat individuale dhe të bashkësive, përfshirë edhe të serbëve të Kosovës”, tha Feith në një deklaratë. Kushtetuta, e cila duhet të pranohet formalisht nga Kuvendi i Kosovës, pritet të hyjë në fuqi në 15 qershor.
Ban Ki Mun
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun ka diskutuar një ditë më parë mbi përpilimin dhe miratimin e Kushtetutës së Kosovës, për të cilën Ban kujton anëtarët e Këshillit të Sigurimit se autoritetet e Kosovës do të miratojnë aktin më të lartë ligjor në prill dhe ai do të hyjë në fuqi në qershor.

Kushner, Rupel
“Nëse dëshiron të jetë anëtare e BE-së Serbia duhet të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian në Kosovë dhe jo të pengojë punën e tij”, deklaruan ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner dhe homologu i tij slloven, Dimitrij Rupel. Në një letër të hapur të dy ministrat kanë thënë se Beogradi duhet të ndalë kundërshtimin e misioni të BE-së në shtetin e ri.

Peruja njeh Kosovën 
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka marrë letrën zyrtare të Presidentit të Republikës së Perusë, Alan Garsia Perez, me të cilën konfirmohet njohja e pavarësisë së Kosovës nga ky vend latino-amerikan. Perez ka përcjellë urimet e tij dhe të Qeverisë së Perusë për hapin që ka bërë populli dhe Parlamenti i Kosovës duke deklaruar pavarësinë e Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›