E Shtunë, 31 Tetor 2026

GSHDNJ: Policia shkeli ligjin ndaj aleancistëve

• VLORE – Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut ka dalë dje në mbrojtje të aleancistëve të arrestuar nga policia e Vlorës për tubim të paligjshëm.

Sipas një deklarate për shtyp, ky grup ka kërkuar nga drejtori i policisë lënien të lirë të 6 të ndaluarve, pasi protesta e tyre është cilësuar e ligjshme. Mbrëmjen e së hënës, përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës u shoqëruan pas bllokimit të rrugës së Skelës, ndërsa dy ditë më parë u komunikua masa e arrestit të tyre në flagrancë. Protestave të bëra nga anëtarët e tjerë të grupit që reagojnë ndaj ngritjes së Petroliferës në Vlorë dje i është bashkuar dhe GSHDNJ-ja. “Pas investigimit të kryer në vend nga përfaqësues të Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut u konstatua se: pas protestës së zhvilluar në mënyrë paqësore, punonjësit e policisë kanë ushtruar edhe dhunë fizike mbi tubuesit, me qëllim për të shpërndarë turmën. Si rezultat, ata kanë realizuar shpërndarjen e turmës së protestuesve dhe zhbllokimin e aksit automobilistik”. Duke vazhduar me veprimin e ndalimit të aleancistëve, GSHDNJ-ja e ka cilësuar të paligjshëm arrestin në flagrancë të 6 personave aktivistë dhe drejtues të AMGJ-së dhe konkretisht: Sadrit Danajt, Besnik Lulajt, Eneid Hamzajt, Alfons Bilalit, Viron Seratit e Viktor Lagjit. “Pas analizimit të fakteve konkrete, bazuar te dëshmitë dhe tek pamjet filmime gjatë protestës, GSHDNJ-ja mendon se punonjësit e policisë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për të shpërndarë tubimin paqësor të AMGJ-së. Këto veprime cenojnë mënyrën e funksionimit ligjor të strukturave të policisë së shtetit dhe risjellin imazhe të rënda që cenojnë hapur të drejtat e njeriut në Shqipëri. GSHDNJ i kërkon drejtorit të policisë së Qarkut Vlorë, Vehbi Bushati që të mbajë një qëndrim profesional dhe jopolitik ndaj kësaj çështjeje, në mënyrë që të merren masa konkrete ndaj punonjësve të policisë që kanë abuzuar dhe dhunuar protestuesit”, pohohet në deklaratën e GSHDNJ-së.

Shkeljet sipas GSHDNJ

• Policia e Qarkut Vlorë ka ushtruar dhunë ndaj disa protestuesve dhe aktivistëve të AMGJ me qëllim shpërndarjen e turmës protestuese
• Ndalimi i 6 aktivistëve u krye disa orë më pas dhe jo në çast dhe nuk konceptohet si gjendje flagrance
• Izolimi i aktivistëve në ambientet e komisariatit të Vlorës është në kundërshtim të hapur me ligjin, pasi ata janë vendosur në mjedise qe nuk lejojnë një trajtim human dhe në mungesë të kushteve higjieno-sanitare.
• Duke patur parasysh rëndësinë dhe pasojën e veprave penale që aktivistët mund të kenë konsumuar, ndjekja penale e tyre duhej të aplikohej në gjendje të lirë
• Personat e ndaluar janë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ana e punonjësve të policisë së qytetit Vlorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›