E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE miraton “njësinë e ndërhyrjes”



Liderët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord mbi miratimin e një plani mbrojtjeje financiare në përpjekje për të shpëtuar Eurozonën nga sulmet spekulative që nisën me krizën e borxheve greke. Kancelaria gjermane, Anxhela Merkel dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, thanë dje se një “njësi ndërhyrjeje” ishte formuar tashmë për të ruajtur stabilitetin financiar në 16 vendet e eurozonës dhe hyn në fuqi të hënën, kur të rihapen tregjet financiare. Krijimi i kësaj njësie, e cila ka vlerën e 70 miliardë eurove, ka si detyrë të mbrojë euron kundër spekulimeve të mëtejshme në tregje dhe vjen pas lëkundjeve që ka pësuar monedha e përbashkët evropiane si dhe frikës se vende si Spanja dhe Portugalia mund të përballen me të njëjtin problem si Greqia. Duke njoftuar planin e stabilitetit, Sarkozi tha: “Euro është element esencial në Evropë. Ne nuk do të lejojmë të tjerët të prishin atë që kanë krijuar gjeneratat”. Ndërsa Merkel u shpreh se, mekanizmi do të dërgonte një sinjal shumë të qartë tek spekulatorët e tregjeve që ata të tërhiqen. Merkel kishte kontaktuar më parë në telefon edhe me Presidentin amerikan, Barak Obama, i cili bëri thirrje për një “përgjigje të fortë”, që përfshinte komunitetin e gjerë ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›