E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, paga mesatare 242 euro, më e ulëta në rajon



nertila maho

Shqiptarët kanë pagën mesatare më të ulët në rajon, e cila është vetëm 242 euro. Ky është konkluzioni, nëse u referohemi statistikave për vitin 2009 publikuar nga Instituti i Vjenës për Studimet Ekonomike. Krahasuar me një vit më parë, paga mesatare është rritur vetëm me 6 euro nga 236 euro që ishte, por sërish mbetemi populli me jetesën më të varfër. Ky nivel mesatar me një rritje kaq të ulët vjen në një kohë çmimet e produkteve të konsumit pothuajse janë dyfishuar. Kjo nënkupton që për shqiptarët një pagë e tillë mbulon vetëm shpenzimet më imediate të familjes, duke evituar këtu shpenzimet e luksit. Ndërkohë që kjo zbeh entuziazmin për t’u bërë pjesë e BE-së, ku një pagë e tillë konsiderohet nën standardin e saj. Diferenca e pagave me rajonin është e ndjeshme dhe nuk rezulton asnjë pagë mesatare nën 300 euro. Maqedonia, që është edhe fqinji ynë më i afërt edhe sa i përket profilit ekonomik, ka një pagë mesatare 488 euro. Bullgaria, edhe pse një anëtare e Bashkimit Evropian, prej vitesh është ende nën standardin e BE-së, por sigurisht më mirë se ne, me një pagë mesatare 303 euro. Mesatarja e Serbisë është në nivelin 469 euro, Mali i Zi 643 euro, Bosnjë-Hercegovina 615 euro, Rumania 445. Vendet që mbajnë rekord në vlerën e pagës mesatare të vendeve që janë marrë në studim nga Instituti i Vjenës janë Kroacia dhe Sllovenia me përkatësisht 1051 euro dhe 1439 euro. Gjithsesi, nëse ngushëllimin për pagën mesatare të një shqiptari do ta kërkojmë më gjerë sesa rajoni, sërish do të zhgënjeheshim, sepse pas kemi lënë vetëm Ukrainën, paga mesatare e së cilës shkon në 175 euro. Ajo që mund të vlerësohet si pozitive është tendenca që kanë pagat në vendin tonë. Referuar statistikave të vitit 2008, sipas Institutit të Vjenës, vihet re një tendencë rritjeje, edhe pse në nivel modest prej 6 eurosh, por duhet theksuar që gjatë 2009-ës një seri vendesh të Evropës kanë pësuar rënie të pagës mesatare. Kjo ndarje më saktë vihet re mes Ballkanit dhe vendeve të tjera të Evropës Qendrore e Lindore. Kështu, nëse për Maqedoninë, Kroacinë, Shqipërinë tendenca e pagave nga njëri vit në tjetrin ka qenë në rritje, për vende të tjera si çekia, Hungaria, Polonia, Rusia tendenca ka qenë në rënie të konsiderueshme. Kjo në fakt u adresohet faktorëve negativë, që vinë si rrjedhojë e krizës ekonomike, e cila solli me vete një rritje të papunësisë, një performancë ekonomike jo të kënaqshme për shumicën e vendeve, edhe pse Shqipëria u klasifikua si një ndër vendet e pakta me rritje ekonomike pozitive në Evropë bashkë me Poloninë. Gjithsesi, në një raport të fundit të Institutit të Vjenës vihet në dukje fakti që tashmë kriza ka kaluar dhe, edhe pse faktorët e saj negativë do të japin efektin e tyre, pritet një përmirësim ekonomik, çka mund të shoqërohet me një rritje të pagave.

Vendet dhe paga në Euro

Shqipëria 242
Bosnjë Hercegovina 615
Bullgaria 303
Kroacia 1051
çekia 893
Estonia 781
Hungaria 713
Letoni 653
Lituani 594
Maqedoni 488
Mali i Zi 643
Poloni 717
Rumani 445
Rusia 426
Serbia 469
Sllovakia 745
Sllovenia 1439
Ukraina 175

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›