E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza greke, ndikim në rritjen ekonomike



Pavarësisht ndihmës që po i jepet Greqisë për të kaluar krizën, rajoni nuk mund të konsiderohet se ka shpëtuar nga efektet e saj. Prestigjiozja “The Economist” në një shkrim të fundit thekson se ekonomitë e rajonit mund të vuajë pak nga “dhimbja greke”, duke pasur parasysh ndërthurjen që kanë ekonomitë më njëra-tjetrën në një sërë aspektesh si për sa i përket sistemit bankar, eksporteve apo investimeve. Ulja e besimit tek investitorët sigurisht që do ketë pasoja negative në kërkesën e këtyre të fundit për të parë mundësitë në rajon. Nga ana tjetër, vështirësinë e bankave greke mund ta shfrytëzojnë grupe bankarë të vendeve të tjera për të blerë asete në rajon duke përfituar. FMN-ja ditë më parë vuri në dukje që kriza greke nuk përbën kërcënim, por ndryshe mendojnë titullarë në Bankën Evropiane për Rikonstruktim dhe Zhvillim. Gjithsesi “The Economist” bën një pasqyrim të pikave ku mund të preket rajoni, duke e konsideruar ndihmën dhënë Greqisë si një ogur të mirë, edhe pse mund të jetë i përkohshëm. “Ulja e tensionit në Greqi për krizën, të paktën përkohësisht, është një lajm i mirë për fqinjët e saj delikatë ish-komunistë. Shqetësimi i tyre më i madh është për bankat greke, asetet e të cilave zënë një vend të rëndësishëm në të gjithë sistemin bankar. Bankat greke në rajon janë përballur me një tërheqje të depozitave, për shkak të shqetësimit mbi krizën. Autoritetet financiare në disa nga vendet e rajonit kanë vendosur rregulla për rastet emergjente për të anuluar (ose nëse është e nevojshme të parandalojnë) bankat lokale të zbrazen nga “uria” e bankave mëmë në Athinë”, shkruan “The Economist”. Edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur më optimist për mundësinë e mospërhapjes së krizës greke në rajon, sërish ka dyshime. Fondi i Shpëtimit i akorduar nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian përfshin 10 miliardë euro për rikapitalizimin e bankave greke, por ky fond shoqërohet me kushtin për të mbajtur shtojcat e tyre në rajon të gjalla dhe kredituese. “Rritja e mëtejshme e mosbesimit në atë që mund të quhet ‘rajoni grek’ mund të jetë edhe më i ashpër” shkruan “The Economist”. Të tjera banka të huaja mund të zgjerojnë pjesëmarrjen e tyre në treg, ndërkohë që asetet greke kontraktohen. Por Greqia nuk është vetëm një zotëruese kapitali, është edhe një treg i madh eksporti. Po kështu, ajo punëson edhe shumë emigrantë, sidomos nga Shqipëria, ku remitancat përbëjnë rreth 6 % të GDP-së. Një recension në Greqi me siguri që do të kufizonte si rritjen, edhe besimin në fqinjët e saj veriorë. Për më tepër disa mendojnë se problemet në Greqi mund të sjellin edhe skepticizëm përballë zgjerimit të BE-së me të tjera vende. Mungesa e një menaxhimi të mirë të politikës monetare nga ana e Greqisë, e cila është një anëtare e hershme e BE-së, rrit frikën se anëtarët e rinj mund të mos jenë të aftë të përballojnë me politikat e tyre monetare futjen e euros dhe të kthehen në një kërcënim për Bashkimin Evropian. Ndërkohë që ekziston edhe ana tjetër e medaljes që vende që nuk ndjehen të sigurta për të futur në qarkullim euron, mund të tërhiqen nga synimi i tyre, sepse nuk ka më mirë se kur në një krizë je i aftë të zhvlerësosh dhe të kontrollosh politikën tënde monetare, çka përbën avantazh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›