Ornela Vorpsi - Kubiste në diskoteka,për të siguruar jetesën
Nëse e kundron me vëmendje, Ornela Vorpsi të duket një grua që i përket një tjetër epoke. Në dukje detaje të papërfillshme, por që pakkujt mund t’i shpëtojnë, teksa ajo nxiton të futet në “Café Zimmer”, në Châtelet. Sapo e takon kupton se distanca që gjen tek parisienët, tek ajo “avullon” tërësisht. E gjatë, fizik për t’u pasur zili, shikim turbullues karakteristike tek lindoret, me sjellje dhe qëndrim prej aristokrateje, Ornela Vorpsi, të kujton profilet e femrave antike. Paraqitja e saj, nuk mund të mos bjerë në sy tek kalimtarët. E ulur në një pozicion, të cilin e mban deri në fund të bisedës sonë, Ornela nuk mund mos të përfshijë me atë italishten e saj ekzotike, të rrallë dhe brilante, gjuha në të cilën në vitin 2004 shpërtheu me debutimin e saj të parë, nën siglën “Il paese dove non si muore mai” (Vendi ku nuk vdes kurrë. Një portret sarkastik i Shqipërisë, nga e cila u arratis, e që nostalgjia ia ka zbutur ato kujtime. Këto ditë del në treg në Itali (gjithnjë nga shtëpia botuese Enaudi), libri i saj i pestë “Bevete cacao Van Houten!” (Pini kakao Van Houten!). Një seri momentesh të fiksuara, në të cilat, përtej kujtimeve nga emigrantët në kërkim të një jete më të mirë, shtyrë nga kufijtë e nevojës. Ndërkaq, në një rrëfim të ndjerë për revistën italiane “Io Donna” (Unë gruaja), për numrin e majit. Shkrimtarja tregon mbërritjen në Itali, zhgënjimet e para nga vendi “i ëndrrave”, i sheqerosur nga reklamat që shfaqeshin në ekranet shqiptare. Gjithashtu, Vorpsi tregon për studimet në Akademinë e Brerës, mbrëmjet si kubiste nëpër diskotekat milaneze të viteve nëntëdhjetë. Më tej ndalet tek Franca e akullt dhe tepër e rreptë, por në të vërtetë mirëpritëse pa paragjykime ndaj diversitetit të saj. Të gjitha këto faza në jetës e saj, shkrimtarja i shpjegon në radhët e mëposhtme....
Si e kujtoni impaktin e parë me Italinë, duke qenë se vinit nga një vend lindor? çfarë ju ra në sy fillimisht?
Zbulimi i botës kapitaliste ishte vërtet tronditës dhe shqetësues, në të njëjtën kohë. Në burgun ku ishte mbyllur Shqipëria, njerëzit ruanin një gjendje shpirtërore tejet të sinqertë, ishin naivë dhe ëndërrimtarë, pa ditur se ç’ bëhej përtej kufijve. E di që mund t’ju duket qesharake, por ne ushqeheshim me shpresën se do të uleshim në një tokë të premtuar, ku më në fund mund të ëndërronim gjithë ëndrrat tona. Të zbulosh se realiteti ishte shumë ndryshe, nga ajo çka prisnim, me pamundësinë për mos e kthyer më kokën prapa në Shqipëri. Të qëndroje me këmbë në tokë ishte shumë e komplikuar, por ja që vendimi ishte marrë. Edhe sot e kësaj dite, unë e konsideroj si një ‘dush të ftohtë’, larg jetës së ëndërruar.
Si ka mundësi që Italia ishte kaq tërheqëse për ju? A kishit menduar se “El Dorado” nuk ekziston?
Njerëzia ishte e lodhur nga “goditjet me çekan” të “idealeve” që impononte regjimi komunist. Askush nuk besonte në deklaratat dhe lavdërimet e partisë së vetme në pushtet. Realiteti ishte i trishtueshëm, ngado mbizotëronte një varfëri që të kallte krupën. Kësisoj reklamat që shihnim nëpër televizionet italiane na helmuan mendjen se përtej detit ishte vendi i ëndrrave, duke na pritur krahëhapur. Imagjinon tek ne personazhet e përrallave, ishte Luani, partizani i vogël si dhe çakalli, fashisti italian. Nga ana tjetër në televizion shihja “Topo Gigion”, teksa bënte akrobaci, duke ecur në atë spangon, e cila e çonte drejt ushqimit të tij, djathit me vrima. Më dalin para syve mamatë e bukura italiane, plot e përplot me fëmijë, të cilat ndenin rrobat aq të bardha, të lara me Ava. Vjetërsia nuk kishte gjurmë, siç ndodhte me nënat tona, nëpër trupat dhe fytyrat e tyre. Kështu që ne e kërkonim me këmbëngulje këtë jetesë, ku të na shkëlqenin rrobat e lara.
Askush nuk e dinte që ato nëna italiane, të zgjedhura nga audicione pa fund, do të shërbenin tek ju si një model mirëqenie. Pasi patë nga afër nënat e reklamave, si përfunduat në ambientet e diskotekave?
Ishte e vetmja mënyrë që më jepte mundësinë të fitoja një shumë të konsiderueshme, për më tepër natën pa i hequr kohë studimit. Në Akademinë e Brerës, frekuentimi ishte i detyrueshëm. Fillimisht, një e njohura ime më çoi në një agjenci modelesh. Aty më thanë se isha më shumë se ç’duhet mesdhetare për shijet e tyre dhe më sugjeruan, se e vetmja mundësi që kisha ishte të bëhesha imazhi i një diskoteke. Më vonë mora vesh se kubistet fitonin shumë më tepër nga sa mund të vlente imazhi im dhe për më tepër nuk kishin asnjë kontakt me publikun. Aty jam njohur me vajza të mrekullueshme, shumë të bukura si fizik, por edhe në shpirt. Sipër, mbi kub, ne krijonim imazhin e prostitutave, edhe pse realiteti ishte kryekëput ndryshe. Një prej vajzave i kishte kaluar 24 vite jetë, por ishte ende e virgjër, megjithëse komente kundrejt saj nuk kishin të mbaruar.
Kur u larguat nga Italia, për të zgjedhur Parisin?
Pas gjashtë vjetësh, zgjodha vetë Parisin, pasi më dukej më liberal sesa Italia dhe ashtu ishte. Aty gjeta një mikpritje dhe asnjëherë nuk hasa më paragjykime. Megjithatë, nuk harroj asnjëherë se Italia më bëri një dhuratë të madhe; gjuhën aq të dashur që më bëri të isha një shkrimtare e përkushtuar.