E Diel, 1 Nëntor 2026

Vera Bushati: Jeta ime në shtëpinë e madhe të Bllokut si vajza e Hysni dhe Vito Kapos

Suplementi Une GRUAJA

Ani Jaupaj

Një kërkesë e vetme, nuk mund të mjaftonte për të bindur Vera Bushatin, të bëhej pjesë, për të rrëfyer copëza të jetës, qoftë fare pak, në faqet e shtypit. As dy. Ndihej mirë në atë rehatinë e punës së saj, larg zhurmave të njerëzve, që zhyten përditë në media, saqë nuk gjente arsye për ta rishqyrtuar këtë vendim. “Nëse do kisha ndonjë projekt timin, nuk do sikletosesha kaq për të folur, po kështu, ç’tju them!”. Për të thënë, për cilëndo kohë të jetës së saj, nuk kishte pak, vetëm se nuk donte t’i kthehej kohërave të një jetese të shkuar. Veçanërisht pse, nuk donte të shpërfaqte lukset e një jetese që dikur, njerëzit as që e ëndërronin.
E bija e Hysni Kapos, arkitektja e pedagogia e hershme e Historisë së Arkitekturës, përpiqej ta përfshinte veten në të njëjtën shkallë me të njohurit a miqtë e saj, madje edhe me studentët. Ishte shqetësimi për të mos e ndjerë veten ndryshe prej tyre, që e bënte të nguronte për të folur. Por sado të kursehej, lexohej fare kollaj në portretin e saj, hijeshia e një zonje, që kishte lindur e tillë.
Dukej kjo, që nga ekrani që ndodhej në hyrje të Fakultetit “Polis”, për të monitoruar të gjitha katet e shkollës. Vera Bushati zbriste prej katit të katërt me hap të ngadaltë. Flokët e verdhë mbajtur përherë me kujdes, e ndihmonin buzëqeshjen të bëhej edhe më mikpritëse. Sytë në ngjyrën e dashur të qiellit, gjithaq. Këto tipare padyshim që bëheshin të dallueshme gjithnjë e më shumë tek shkallët pakësoheshin, po edhe në të kundërt, edhe nëse distanca nuk do ngushtohej, aroma e fisnikërisë, ndihej qysh së largu.
Kurioziteti për përditshmërinë e atyre që ishin pjesë e ish-bllokut, ishte në të njëjtën masë me përçapjet për të sajuar antena me kanoçe për të parë, qoftë edhe me zhurmë e miza, një stacion të italianit. Me gjasë, cilësia e imazhit kërkonte më shumë të imagjinoje se të kuptoje vërtet ç’ndodhte, gjithsesi dukej sikur frymëmerrej ndryshe. Po nëse kjo ndonjëherë bëhej e mundur, përfytyrimi i shtëpisë së një anëtari të Byrosë, i kalonte tangent fantazisë. Bisedat që bëheshin në shtëpitë e tyre, ‘tetat’ e shërbimit, ushqimet që porositeshin sipas shijes..., të gjitha këto, edhe pse më pas u bënë të mundura nga të gjithë, nuk i shpëtojnë kureshtjes. Mbase gërryerja e gjithë atyre viteve për të paprekshmen, është ngulitur aq sa 20 vite nuk kanë shërbyer për ta zbehur. Përpjekja për të hyrë pak në kujtimet e shtëpisë së Hysni Kapos, nëpërmjet së bijës, zhveshi përrallën e 50 viteve të izoluar...
Keni preferuar të merrni mbiemrin e bashkëshortit tuaj Bushati, po le të kthehemi mbrapa, në kohën, kur nga apeli dëgjohej ende mbiemri Kapo...
Tani që e kujtoj, nuk e kam menduar dy herë të merrja mbiemrin e tim shoqi. Ka ndodhur fare natyrshëm. Të ardhmen time pas celebrimit e kisha lidhur gjithnjë me fëmijët, do më dukej e çuditshme që brenda një familjeje, pjesëtarët të kishin mbiemra të ndryshëm. Nuk doja që fëmijët të quheshin ndryshe nga unë. Tani nuk mendon kush, fort, për këtë. Ime bijë për shembull, ka preferuar, edhe pas celebrimit, të mbaj mbiemrin e të atit.
Sidoqoftë, disa emra të dytë, pjesë e kaq viteve histori, sikur nuk ndahen dot nga i pari...
Mbase, ende edhe sot kam mikesha të vjetra, që më thërrasin me mbiemrin e babait, por kur i dëgjoj ta shqiptojnë, ndonjëherë më duhen pak çaste të kujtohem. Kanë kaluar shumë vite.
Bëjmë një vizitë në ato vite... Si ka qenë fëmijëria juaj?
Kujtoj një shtëpi të madhe të mbushur përherë plot. Për shkak të lëvizjeve të shpeshta të babait dhe nënës, unë, bashkë me dy vëllezërit kemi qëndruar gjatë me të dyja gjyshet. Përveç tyre, me ne jetonte edhe halla e pamartuar. Isha mësuar ta shihja përherë shtëpinë me njerëz edhe për shkak të miqësive të prindërve. Përkëdheljet e çdokujt prej tyre kanë bërë që të rritem me dashuri, të jem fëmijë i qeshur.(mbase e ka këtu zanafillën, në këto vite të para të jetës, buzëqeshja që nuk i është zbehur Vera Kapos)
Keni qenë e vetmja vajzë me dy vëllezër. Po të ndërmendim dobësinë e baballarëve për vajzat, a keni qenë më e ‘përkëdhelur’ se dy fëmijët e tjerë?
Kam qenë në fakt më e privilegjuar se vëllezërit. Gjithnjë ndaj meje ishte më kërkues, sidomos kur në mes ishin studimet. Madje kujtoj që i thosha: pse nga unë kërkon kaq shumë e nga ata jo?! Përgjigjja ishte që “ti je ndryshe”. Babai ka qenë autoritar, por dinte ta bënte këtë me butësi. Më dukej, edhe për shkak të afërsisë që kishim bashkë, më i dashur se mamaja. Nuk toleronte për rezultatet e kërkesave, ju qëndronte deri në fund, ama e bënte butësisht. Kërkesat për mësimet nuk zbuteshin as kur kushtet nuk ishin më të mirat. Në shtatzëninë e parë, kam pasur një sezon 7 projekte për të punuar dhe 5 provime për të dhënë. Rezultatet nuk duhet të justifikoheshin nga gjendja, sado që i thosha që nuk mund të përkulem dot për të punuar.
Me gjithë këtë kërkesë, ndihmë ofronte?
Kur më shihte që rrija deri në orë të vona, më thërriste të punonim bashkë. Më pëlqente gjithnjë që të punoja edhe unë atje ku punonte ai, deri vonë. Kjo nuk ndodhte gjithnjë, po kur kalonin orët pas mesnate, rrinim bashkë.
Përpara se të ktheheshit në shoqen, me të cilën ndante dhomën e punës, ende fëmijë, ç’ndjesi ju jepnin angazhimet e prindërve, hyrje-daljet?
Unë isha rritur ashtu, nuk më bënin përshtypje. Nuk ishte se në një çast ndryshoi atmosfera dhe do kisha ndjesitë e ndryshimit.
Ndiheshit ndryshe nga bashkëmoshataret, apo mikeshat ishin po si ju, brenda zonës së bllokut?
Edhe sot ruaj marrëdhënie me mikesha të asaj kohe, që nuk ishin të bllokut. Unë rrija me kë ndihesha mirë. Një nga shoqet e mija të mira ishte e bija e kamerierit të Enver Hoxhës. Kemi qenë afër me shtëpi.
Në ç’mënyrë ishte ndryshe jetesa juaj, shtëpia?
Fëmijë, nuk e kuptoja ndryshimin, mendoja që të gjithë kishin një shtëpi të madhe, me shumë njerëz që s’u mbaronin punët. Pra ishte padyshim hapësira e shtëpisë, ishin përherë gratë e shërbimit, pra as mua, e asnjë pjesëtari tjetër nuk i takonte të bënte ndonjë punë, ishte lehtësia e ushqimeve, bënim një listë me gjërat që donim dhe na vinin.
Po udhëtime jashtë shtetit, coha të reja...
Po, më ka pas marrë babai qysh të vogël me vete në Bashkimin Sovjetik e atëherë ç’të na blinin. E para herë e vërtetë ka qenë në ’78-ën, kur shkova në Itali për një aktivitet të periudhës së Rilindjes. Ishte mbresa e parë lidhur me profesionin tim, sepse ajo kohë e historisë së arkitekturës më bëri të prek ndryshimin mes njeriut dhe objektit.
Bëhej kurioz një fëmijë për largimet e gjata të prindërve?
Ishim mësuar që përpara gjumit të përqafoheshim me prindërit. Edhe nëse ktheheshin vonë, vinin na puthnin te krevati. Të gjitha këto më mungonin gjatë shërbimeve të tyre. Më tregonin në kthim për udhëtimet me ekipe në fshatra.
Fillimi i kohës së studimeve përkon me vitin, kur jeni celebruar, ’66-ën, si ka qenë historia?
Historia ka nisur ca më parë. Lidhja ime me Mehdiun ka nisur qysh në kohën e gjimnazit, kur isha 16-vjeç. Fizkulturën atëherë e bënim në stadium, ai ishte sportist, stërvitej. Gjatë vrapimit në pistën e shtruar me zift u rrëzuam e pas larjes, Mehdiu më ofron një peshqir. Sapo ishte kthyer nga Turqia e u ofronte peshqirin e mirë vajzave të “Petro Ninit”. Kaq mjaftoi që të vijonin takimet.
Sa ishte e mundur? Kur dhe ku takoheshit?
Takimet realizoheshin fshehtas dhe nuk ishin të shpeshta. Takoheshim vetëm ditën e hënë të çdo jave. Ai ishte 8 vjet më i madh se unë, që isha fare e vogël dhe bisedat tona, u përngjanin atyre me babanë. Më pyeste për shkollën.. Kjo ngeli edhe në marrëdhënien tonë të mëvonshme, ishte ai që i vinte gjithnjë vulën bisedës. Edhe pse mund t’i pëlqejë ideja ime, vendimin do ta japë vetë.
ç’ndodhi kur fshehtësisë së marrëdhënies i erdhi fundi? Si reagoi babai, me qenë që duhet të plotësoheshin edhe disa kushte atëherë që të bekohej çifti, sidomos në rastin tuaj?
Familja e mori vesh që kur isha në fund të vitit të 4-t të shkollës së mesme. Mehdiu nuk kishte probleme në familje për të mos i përmbushur kërkesat e kohës, kështu që na sugjeruan vetëm të kalonim edhe ca kohë për të vendosur. Duhet të vijoja studimet e larta, pikë ku babai nuk toleronte. U celebruam, pa martesë, kur isha në vitin e dytë e pas gjashtë muajsh martese, Mehdiun e qarkulluan në Lushnje. Shiheshim 1 herë në dy javë, herë vinte ai e herë unë. Sapo përfundova studimet shkova më emëruan edhe mua atje.
Nuk bënte gjë babai për t’iu mbajtur në Tiranë?
Ai na dërgonte vetë. Kur shkojnë të gjithë të tjerët thoshte, pse të mos shkoni dhe ju. Aty u krijua për së pari familja e vërtetë. U bashkova me tim shoq, lindi djali. Në pritje të gjatë të bashkimit, e kujtoj si kohë të bukur.
E bukur vetëm në një aspekt, sepse ju nuk ishit mësuar më parë të mbanit shtëpinë, të bënit punë, të gatuanit...
A, ky ishte problem. Gjellën time të parë e kam bërë në Lushnje. Një herë me kripë njëherë jo, po duhet të pastroja të bëja gjithçka vetë, gjë që nuk e kisha bërë asnjëherë më parë e as nuk dija ta bëja. Ende edhe sot, nuk kam dëshirë të merrem me këto gjëra. Preferoj të lexoj libra të lëndës, apo letrarë. Dëgjoj shoqe, moshatare të mija që janë vërtetë të pasionuara, e flasin gjithë dëshirë për glikonë e sapo bërë. Ju japin kënaqësi, dhe mbase është normale, po mua më habisin. As sot e kësaj dite nuk kam mësuar ta bëj byrekun. Orët e punës në ato 5 vite në Lushnje ishin të zgjatura. Kisha tashmë një mënyrë jetese të panjohur. Duhet të bëja gati djalin herët në mëngjes, ta lija te një grua e moshuar që e mbante e të vrapoja në punë. Po të gjitha mësohen, pavarësisht që unë nuk u bëra asnjëherë kuzhiniere e mirë. Babai na ka mësuar gjithnjë të racionojmë kohën, të rendisim gjithë ç’kemi për të bërë gjatë ditës. Vite më vonë, kur më duhej të dilja zot vet e punëve të shtëpisë dhe bëja racionimin e kohës, i quaja punët, gatimin, orë të këqija.
Kur u rikthyet në Tiranë?
U kthyem në ’73-shin, kur linda dhe vajzën. U caktova pedagoge në Universitetin shtetëror, për degën e arkitekturës. Babai ia kishte arritur qëllimit, pasi diploma ime ishte me rezultate shumë të mira, apo siç thuhej, me shenjë të kuqe. Nisa të merrem me problematika të Historisë së Arkitekturës dhe artit. Më pas, në ’82-shin, bëra doktoraturën për Historinë e Antikitetit. Më emëruan shefe katedre e më pas dekane.
Largimi nga jeta i babait, ç’ndryshime solli?
Së pari nuk arrija ta besoja, sepse e kisha parë gjithnjë vital. Largimin e tij e kam përjetuar gjatë edhe për shkak të natyrës sime të ndjeshme. Kam dalë shumë vonë nga gjendja e dëshpërimit që më la ikja e tij. Po përtej kësaj, jetesa ndryshoi për nënën dhe vëllezërit, sepse unë nuk jetoja me ta. Gjithë lehtësirave të jetës së deriatëhershme, ju erdhi fundi.
Vijuat punën në fakultet deri sa...
Deri në ’92-shin, kur më pushuan. S’kish nevojë të thuhej motivi. Pushimin nga puna ma pat komunikuar një shok i imi, me të cilin kemi qenë studentë bashkë dhe kolegë. Në të dyja rastet, kam qenë superiore ndaj tij, sepse ai vetë i kish parë rezultatet e përgjigjeve të mija, por ja që karrigia e fshin kujtesën.
Mbetët pa punë?
Po, edhe unë edhe im shoq. U larguam nga Shqipëria. Në fillim shkuam në Liban, pastaj në Kongo. Në të dyja vendet punova si inxhiniere me projekte të ndryshme, deri sa u riktheva në ’97-ën.
Përveç se për ju peshë më e rëndë duhet të ketë qenë për nënën...
Dukej qartë, nuk e fshihte dot ndjenjën e fajësisë, megjithatë qoftë unë, qoftë vëllezërit përpiqeshim ta qetësonim. Angazhimi në politikë ka pasojat e veta. Im atë sikurse e ka ditur, sepse na ka përgatitur gjithnjë për këtë. Gjithnjë na thoshte që “këto privilegje që keni sot, mund t’i humbisni nesër. Mos më kujtoni perëndi”.
Kur u kthyet nga jashtë e gjërat nuk ishin më siç i kishit lënë, rinisët mësimdhënien?
Jo, u mora më shumë me arkitekturë interieri, me mobilime banesash, pak kohë më pas bëra projektin e “Blurit”.
Kur e rinisët mësimdhënien te “Polis”?
Qysh kur është hapur, në vitin 2006. E mirëprita menjëherë propozimin, megjithëse më bënte të druhesha nga shkëputja e gjithë atyre viteve. Në këtë kohë teknologjia kishte ecur shpejtë, metodat e mësimdhënies kishin ndryshuar, më duhej të punoja edhe unë me kompjuterin, me punët që paraqiteshin me videoprojektor, solidet, e gjithë ç’i nevojitesh kohës.
Sot, sa ka mbetur nga marrëdhëniet me miqësitë e dikurshme? Keni mikesha të asaj kohe, për t’ju rikthyer bisedave të shkuara të rrethit tuaj?
Siç ju thashë miqësitë i kam ende, disa prej shoqeve jetojnë jashtë, janë shtuar të reja. Nga banorët e ish-bllokut ruaj miqësi të mirë me Teuta Hoxhën. Për një periudhë 7- vjeçare hapëm së bashku një biznes perdesh, duke qenë pak brenda fushës, por nuk na eci dhe e ndërpremë.
Jeni spikatur gjithnjë për kujdes të vëmendshëm ndaj pamjes. Përveç portretit, shoh vëmendje edhe në aksesorë... Krahasimisht me të shkuarën, ç’raport keni sot me koherencën e modës?
Më ka pëlqyer dhe më pëlqen ende të kujdesem për veten. Atëherë, sepse tani mund ta bëjnë të gjithë, ne kishim avantazhin për të pasur jetesën e mirë dhe për ta kënaqur veten edhe me gjëra të reja, veshje, aksesorë. Më ka pëlqyer edhe t’i ricikloj gjërat. Vajzës për shembull, i modifikoja veshjet e mija. Më pëlqen që sot edhe meshkujt i kushtojnë vëmendje imazhit. Ajo që s’më pëlqen është tejkalimi i kësaj përkujdesje. Ajo që vë re gjithnjë e më dendur te femrat, është që e kthejnë të dukurit bukur në qëllim në vetvete. Mendoj shpesh, në kanë gjë tjetër për të bërë. E harxhojnë kohën pas disa vaniteteve të tepruara, flasin vetëm për thonjtë e rinj që kanë vënë, orët në palestër, veshjet e reja që kanë blerë. Personalisht qëndroj në stilin sport, ndërthurur me eleganten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›