E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, një vit afat për heqjen e vizave

 

adi shkëmbi

“Nëse Shqipëria do të ruajë këtë ritëm reformash do të përfitojë liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian brenda vitit 2010”. Deklarata u bë dje në Bruksel nga komisioneri për Zgjerimin, Oli Rehn, gjatë konferencës për shtyp ku u prezantua raporti i komisionit sipas të cilit Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi do të jenë të parat që përfitojnë liberalizimin e vizave. “Udhërrëfyesi që BE iu dha këtyre vendeve vitin e kaluar, është ende i vlefshëm dhe ende i realizueshëm, nëse autoritetet e këtyre dy vendeve do t’i kushtojnë vullnetin e tyre të mirë për të dhënë rezultate”, theksoi Rehn. Sipas tij: “Besoj se këto dy vende Shqipëria dhe Bosnja do të ruajnë hovin e fituar muajt e fundit dhe rrjedhimisht do të mund të jenë në gjendje të përmbushin kushtet për udhëtimin pa viza përgjatë vitit 2010, me preferencë mesin e vitit 2010. Ne nuk mund të ndëshkojmë qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor për shkak të lëvizjes së ngadaltë në vende të tjera”. Në të njëjtën kohë komisioneri për drejtësinë, Jacques Barrot vlerësoi si shumë të rëndësishëm vendimin e fundit të BE-së. “Ky është një moment historik në marrëdhëniet tona me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ky moment është diçka që e kemi pritur prej një kohe të gjatë dhe ne do të bëjmë të mundur, që marrëdhëniet tona të jenë edhe më të mira në të ardhmen. Unë besoj se propozimi ynë do të pranohet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, sapo të konsultohemi me Parlamentin Evropian. Çfarë ndodh?! Një pasaportë biometrike do të jetë e mjaftueshme për të udhëtuar përmes vendeve nënshkruese të Marrëveshjes Schengen”, deklaroi Jacques Barrot, Komisioneri për Drejtësi i BE-së.
Raporti
Propozimi i djeshëm u mundëson shtetasve të tre vendeve Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë të udhëtojnë drejt vendeve “Schengen” me pasaporta të reja biometrike. Propozimi i Komisionit Evropian duhet të miratohet nga Këshilli, pasi ky i fundit të jetë këshilluar me Parlamentin Evropian. “Komisioni e ka monitoruar imtësisht përgatitjen e vendeve. Kushtet janë po ato për çdo vend. Ish-republika Jugosllave e Maqedonisë i ka përmbushur kushtet e nevojshme. Heqja e vizave për Serbinë dhe Malin e Zi do të varet nga arritja e standardeve të mbetura, të specifikuara në udhërrëfyesit përkatës brenda afatit të miratimit të këtij propozimi nga Këshilli. Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina duhet të vazhdojnë më tej me përpjekjet e tyre për të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni”, thuhet më tej në raportin e Komisionit. “Dhënia e mundësisë së udhëtimit pa viza është një arritje thelbësore e politikës së integrimit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Lehtësimi i kontakteve njerëzore rrit mundësitë e biznesit dhe i mundëson qytetarët e rajonit ta njohin BE-në më mirë. Megjithatë, udhëtimi pa viza është i mundshëm vetëm nëse përmbushen kushtet e sigurisë”, vijon më tej raporti.

Basha: Jemi në fund të realizimit të kushteve

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha vlerësoi dje qëndrimin e Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi si dhe angazhimin që pjesë e procesit të jetë shumë shpejt dhe Shqipëria. Në një prononcim për mediat kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se pajisja e qytetarëve me pasaportat biometrike është një nga prioritetet kryesore të qeverisë, çka do të bëjë të mundur, sipas tij, kthimin në kohë të angazhimit për heqjen e vizave me vendet e hapësirës “Schengen”, brenda qershorit të vitit të ardhshëm. “Dëshiroj të përshëndes propozimin e bërë sot nga Komisioni Evropian në konferencën për shtyp të z. Jacques Barrot dhe z. Oli Rehn, për liberalizimin e vizave, i cili është një tregues i qartë për procesin e liberalizimin e vizave është një proces i besueshëm. Në veçanti dëshiroj të përshëndes angazhimin e Komisionit Evropian për të vazhduar brenda një kohe sa më të shkurtër propozimin për Shqipërinë dhe të siguroj në të njëjtën kohë se Shqipëria është në përfundim të procesit të realizimit të së gjithë kushteve dhe kritereve për të përfituar nga procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Shqipërisë”. “Në tërësi problematikat e kufirit janë adresuar në mënyrë të plotë nga pala shqiptare. Kemi fituar kredibilitet ndaj ndërkombëtarëve. Shqipëria dhe Bosnja janë të ndryshme dhe kriteri kryesor janë pasaportat biometrike. Ne jemi në rrugë të mbarë për ta përmbushur këtë kriter”, pohon Basha. Duke u ndalur pikërisht në procesin e pajisjes së qytetarëve me pasaportat e reja biometrike kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se ky proces po ecën me ritme shumë të shpejta. Në të njëjtën kohë Basha saktësoi se pavarësisht se tre vendet fqinje do të përfitojnë më herët heqjen e vizave, qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë njësoj si tani drejt këtyre vendeve. “Nuk do të ketë asnjë ndryshim në regjimin e lëvizjes të qytetarëve shqiptarë ndaj Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, sepse procesi i liberalizimit të vizave, i cili nisi në qendrën e Ballkanit Perëndimor dhe kishte për synim kryesor përmirësimin e komunikimit të qytetarëve mes vendeve të Bashkimit Evropian. Pra, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë kufizim për qytetarët”, theksoi Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›