Komisioneri i PS: Numërimi ishte korrekt
Berat / Dilaver Xhelili
Komisionerët socialistë të KZAZ-së Berat hedhin poshtë pretendimet se kanë pasur presione dhe trysni gjatë procesit të numërimit të votave. Krenar Suku, kryetari i kësaj KZAZ-je u shpreh dje për “Panorama”, se “nuk kemi pasur asnjë presion dhe numërimi i votave është kryer normal brenda të gjitha rregullave ligjore. Thashethemet që janë hapur në qytet e më gjerë se kemi patur presione nuk qëndrojnë dhe disa akuza të ulëta që janë bërë për korruptim të komisionerëve janë të ulëta dhe të pabaza”.
“Nëse ndonjë drejtues partie apo deputet ka fakte le t’i drejtohet gjykatës dhe të ndëshkohen këta persona, nga unë i pari, nëse kam marrë para në këto zgjedhje. Votimet janë kryer në parametrat e kërkuar. Ky ka qenë rezultati me përjashtim të 21 fletëve të votimit që ne kemi kërkuar të rishikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, u shpreh Suku. Pak ditë më parë, në Asamblenë Socialiste të bashkisë Berat, ku janë dhënë falënderimet lidhur me fushatën dhe procesin zgjedhor, janë ngritur dhe shqetësimet në lidhje me akuzat për deformim të rezultatit zgjedhor në këtë KZAZ nga ana e komisionerëve socialistë. Aty është kërkuar që të bëhet një analizë e hollësishme e të gjithë procesit dhe fushatës zgjedhore dhe të ndahen përgjegjësitë aty ku duhen. Për këtë është kërkuar të jenë prezentë dhe deputetët e qarkut të Beratit, që u konfirmuan në zgjedhjet e 28 qershorit. I pyetur nga gazeta rreth analizës së zgjedhjeve, Suku u shpreh se, “kemi bërë një analizë ku kemi kërkuar që të merrnin pjesë dhe deputetët, por ata nuk kanë mundur të vijnë. Në të ardhmen do të bëhet një analizë e zgjeruar, ku do të dilet dhe me masa konkrete ndaj Partisë Socialiste të Beratit”. Një nga numërueset e KZAZ-së Berat, Vjollca Hoxha, u shpreh për gazetën se procesi në këtë KZAZ ka qenë mjaft i qetë dhe shumë profesional. “Numërimi fletëve të votimit ka vijuar në mënyrë të qetë e të rregullt dhe është parë që populli i Beratit ka votuar për Partinë Socialiste. Akuzat e hedhura nga persona tashmë të njohur nuk qëndrojnë. Ne si numërues kemi qenë në nivelin e lartë dhe nuk kemi konstatuar shkelje”, është shprehur Hoxha. Ndërsa Fatos Zotka i ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë dyshime për blerje të komisionerëve që t’i drejtohen gjykatës. “Numërimi i fletëve të votimit ka qenë normal, pa presione e trysni. Akuzat e hedhura për blerje të anëtarëve të komisionit nuk qëndrojnë. Këto akuza bëhen për të mohuar humbjet. Nëse ndonjë deputet apo drejtues partie ka konstatuar një veprim të tillë, le t’i drejtohet gjykatës dhe atje ai do të përballet me ne. Një akuzë e tillë është shumë e ulët dhe e poshtër”, u shpreh Zotka.