Milo: Në këto zgjedhje dështoi lidershipi i PS, Rama të largohet
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, gjatë emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në “Tv Klan”, bëri përgjegjës për humbjen e së majtës lidershipin e PS-së, Edi Rama. Milo tha se pas këtij dështimi Rama duhet të largohet nga drejtimi i PS-së për t’i hapur rrugë njerëzve të tjerë në këtë parti, të cilët qëndruan gjatë gjithë kësaj periudhe në heshtje për të lënë Ramën të vejë në jetë filozofinë e tij, e cila në fund rezultoi e gabuar. “Nuk ka dështuar Paskal Milo si politikan në këto zgjedhje dhe as PDS, por ka dështuar alternativa e koalicionit të majtë, dështoi PS si partia më e madhe e këtij koalicioni dhe lidershipi i saj, Edi Rama”, tha Milo. Sipas tij, Rama duhet të largohet pas këtij dështimi për t’i hapur rrugë një riorganizimi të plotë të së majtës, pasi përpara ka beteja të rëndësishme. Duke analizuar shkaqet që çuan në këtë humbje të së majtës, Milo tha se koalicioni ishte fare formal dhe u krijua me nxitim vetëm në afatet e fundit të deklarimit të tyre në KQZ. Ky koalicion sipas tij nuk kishte një marrëveshje bashkëpunimi siç zakonisht funksionojnë koalicionet. Madje, kreu i PDS-së u shpreh se koalicioni nuk kishte as dhe program të përbashkët qeverisës, të cilin duhet ta diskutonim dhe detajonim me elektoratin gjatë fushatës. Duke i bërë një analizë dhe opozitës së katër viteve që shkoi, Milo u shpreh se ajo shpeshherë ka kaluar në qëndrime ekstreme. “Në parlament ka pasur raste kur grupi i deputetëve socialistë ka qenë i detyruar të ngrejë kartonët dhe pse kanë qenë kundër një vendimi të tillë. Kjo ka ndodhur me ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor”, u shpreh Milo.