Kriza, Berisha pas INSTAT: Rritja ekonomike 6 për qind
Ekonomia shqiptare i rezistoi pasojave të krizës ekonomike botërore dhe tremujori i parë dhe më i vështirë i vitit, shënoi një rritje ekonomike prej 6 për qind. Kështu është shprehur dje Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Madje, sipas tij, në tremujorët e ardhshëm rezultatet do të jenë edhe më optimistë. “Rritja në tremujorin e parë prej 6 për qind është një ogur i mbarë për Shqipërinë, pasi dihet se ky tremujor, për disa arsye, është tremujori i vështirësive të natyrshme. I krahasuar me tremujorin e tretë, tremujori i parë ka diferencën e madhe të fluksit turistik, i krahasuar me të dytin, ka diferencën e madhe të fuqisë së pranverës, në të gjitha aspektet”, është shprehur Berisha. Sipas tij, tremujori i dytë dhe i tretë janë qartësisht më optimistë. “Dy tremujorët që vijnë, mars-qershor dhe qershor-shtator, janë qartësisht shumë më optimistë. Nuk mund të them sa do të jetë rritja, pasi nuk mund ta paragjykoj dhe do të varet shumë nga kriza botërore e tremujorit të fundit, i cili ka peshën e vet”, ka thënë ai. Sipas të dhënave nga INSTAT, aktiviteti bujqësor në tremujorin e parë të 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë është rritur me 3.5 për qind. Ndërkohë që Industria ka rezultuar me rënie. Grupi i industrive pësoi një rënie 13.2 për qind në tremujorin e parë të 2009, krahasuar kjo me tremujorin e parë të 2008. Një rritje të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe ka pasur sektori i ndërtimit. Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2009 u rrit me 8.0 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2008. Dega e tregtisë pësoi një rritje prej 0.9 për qind në tremujorin e parë të vitit 2009, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Aktiviteti i transportit në tremujorin e parë të vitit 2009 u rrit me 3.3 për qind, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Si dhe Post-telekomunikacioni ka pësuar një rritje prej 22.0 për qind në tremujorin e parë të vitit 2009, përkundrejt tremujorit të parë të 2008. Gjithashtu dhe Dega e shërbimeve në tremujorin e parë të vitit 2009 pati rritje me 15.3 për qind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2008.