Partitë, gati kërkesat për në Kolegjin Zgjedhor
Partitë politike kanë pothuaj gati ankimimet për Kolegjin Zgjedhor, të cilat presin vetëm afatet ligjore për t’u depozituar. Menjëherë pas zbardhjes së vendimeve të KQZ-së, brenda pesë ditëve, partitë politike duhet t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor. Kështu, vendimi i Beratit është zbardhur që para dy ditësh nga KQZ-ja, ndërsa PS-ja ende nuk i është drejtuar Kolegjit, kur i kanë ngelur dhe tri ditë kohë për ta bërë këtë. Sipas Kodit, subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankimim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshme. Ankimimet e subjekteve politike duhet të paraqiten në Gjykatën e Apelit, Tiranë, e cila ia kalon ato Kolegjit Zgjedhor. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankimim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe, kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Për disa nga vendimet që socialistët, por dhe demokratët nuk kanë mbetur të kënaqur nga KQZ-ja, do të jetë Kolegji Zgjedhor ai që do të japë vendimin final.