E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanoviq: Ndarjen e Kosovës po na imponojnë të huajt

Mitrovicë, 3 gusht – Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kosovës të qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq, i ka thënë agjencisë FoNet, se temën e ndarjes së Kosovës “po e imponojnë të huajt”, të cilët po i brenë ndërgjegjja për shkak të qëndrimit “joparimor rreth pavarësisë së Kosovës”.

Për Ivanoviqin “është më se e qartë se Perëndimi po e kupton se ishte ngutur me pavarësinë e Kosovës dhe se kjo nuk do ta zgjidhë problemin”.

“Aty nuk ka stabilitetit politik, e as sundim të drejtës”, ka shtuar Ivanoviq, duke shtuar “Serbia nuk do të pajtohet me një zgjidhje të tillë”.

“Ata, duke biseduar me dikë, kanë kujtuar se Serbia do të pranojë pavarësinë”, është shprehur Ivanoviq, i cili konsideron se “as oferta momentale që të bëhet anëtare e BE-së, nuk do ta detyrojë Serbinë të ndryshojë qëndrimin”.

Mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, Ivanoviq e sheh si “një përpjekje ruse për afrimin e qëndrimeve” dhe sqaron se “pozicioni i kryesuesit i jep mundësi të mëdha rreth çështjes së kësaj iniciative”.

“Mendoj se këtë duhet marrë si përpjekje ruse që të afrohen qëndrimet, në mënyrë që rezoluta që ka propozuar Serbia të kalojë më lehtë”, ka saktësuar Ivanoviq.

Kërkesën e Kosovës për ndryshimin e Rezolutës 1244, Ivanoviq e ka vlerësuar “krejtësisht të pakuptimtë” dhe ka shtuar se ky dokument “nuk mund të ndryshohet, duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë e të Kinës, por edhe të disa vendeve të tjera të Këshillit të Sigurimit”.

I pyetur nëse është koha për të filluar negociatat serbe-shqiptare, për probleme jetësore në Kosovë, Ivanoviq është përgjigjur se “më parë do të fillojnë disa negociata të tjera, mbi personat e zhdukur e të kidnapuar, që është shumë thelbësore”.

Ivanoviq “nuk mund të besojë” se do të mund të nisin bisedat teknike “pa çështjen e statusit”.

Sipas fjalëve të tij, “të gjitha çështjet teknike nga hapi i parë, ndoshta edhe i dyti, mbështeten në statusin”.

Prandaj, mendoj se të dy palët do të detyrohen të jenë fleksibile me atë vështrim që të gjendet një zgjidhje, që do të ishte e pranueshme për të dy palët. Kjo që tani kemi është statusi, i cili për Serbinë e serbët është “absolutisht i papranueshëm”, i ka thënë FoNetit Ivanoviq.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›