BE, përgëzon Malin e Zi për zgjedhjet

Mali i Zi mori notë kaluese nga Bashkimi Europian për zhvillimin e zgjedhjeve. Procesin e së dielës, Këshilli dhe Komisioni Europian e konsideruan si të lirë dhe të ndershëm, një vlerësim shumë i rëndësishëm ky për integrimin. Në një komunikate për shtyp, përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë në BE, Havier Solana, përgëzoi zhvillimin e zgjedhjeve të lira, që sipas tij plotësuan rekomandimet e OSBE-së dhe Këshillit të Evropës. "Presim që qeveria e re do të bashkëpunojë ngushtë për realizimin e reformave drejt BE-së", tha Solana. Ndërsa komisioneri për Zgjerimin, Oli Rehn vlerësoi se zgjedhjet nuk patën probleme madhore. Ai shtoi se në këtë vend ku ka konsensus të gjerë për integrimin në Europë prandaj qeveria e re duhet të punojë me opozitën për ta konsoliduar këtë konsensus e për t'u bërë shembull për rajonin.