Investimet e huaja, vendet e BE mbeten dominues
Vendet e Bashkimit Europian vazhdojnë të mbeten investuesit kryesorë në Shqipëri, me rreth 77 për qind të ndërmarrjeve me kapital të huaj. Ndër to, vendin kryesor e zë Italia, me rreth 40 për qind të ndërmarrjeve të huaja në vend, e ndjekur nga Greqia me rreth 26 për qind. Afërsia gjeografike me Shqipërinë është vetëm njëri faktor që shpjegon dominimin e investitorëve nga këto dy vende. Faktor tjetër i rëndësishëm është roli kryesor që kanë Italia e Greqia ndër partnerët tregtarë të Shqipërisë, pasi pjesa më e madhe e eksporteve të vendit është e destinuar për këto vende. Vendet e rajonit kanë investuar në rreth 13 për qind të ndërmarrjeve me kapital të huaj e të përbashkët në Shqipëri dhe përfaqësohen me Turqinë, si investuesin kryesor me 8 për qind të ndërmarrjeve. Edhe ndërmarrjet me origjinë nga Maqedonia janë shtuar në numër vitet e fundit. Në përgjithësi, mund të thuhet se ndërmarrjet me kapital të huaj që kanë aktivitet në Shqipëri kanë një shtrirje të gjerë gjeografike. Këto janë edhe vendet me të cilat Shqipëria kryen edhe aktivitetin kryesor tregtar. Italia mbetet edhe vendi kryesor jo vetëm për sa u përket ndërmarrjeve që janë krijuar në Shqipëri (382 të tilla), por edhe për sa u përket eksporteve dhe importeve që vendi realizon me jashtë. Italia mbetet partneri kryesor i Shqipërisë për sa u përket importeve dhe eksporteve. Në vend të dytë vjen Greqia, vend me të cilin sërish kemi një histori të gjatë tregtie dhe investimesh në ndërmarrje të ndryshme biznesi. Ndërsa nga vendet e rajonit tonë, të tretët që vijnë në radhë për sa i përket investimeve në ndërmarrje apo me kapital të përbashkët është Turqia, me 73 të tilla. Vendet e rajonit kanë një numër prej 127 ndërmarrjesh në Shqipëri, investime këto tërësisht me kapital të huaj apo të përbashkët.
28 Korrik 2009