Profesori grek: Ja pse “Birra Korça” duhet të synojë tregjet e huaja
Fabiola Çela
Produktet shqiptare janë sot të afta të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare dhe shumë shpejt do të jenë pjesë e këtyre tregjeve. Profesori grek i teknologjisë së prodhimit, rendit të parën nga këto produkte ”Birra Korça”. Profesor Prokopios Papagkikas është zgjedhur nga IFC, si një ndër personat që do të certifikonte produktet shqiptare, në bazë të projektit, me certifikatën ISO 22OOO:2005. Në intervistën për gazetën ai thekson se prodhimi i “Birra Korça” në Shqipëri i ka kapur të gjitha standardet e cilësisë e shijes dhe është sot konkurrues edhe në tregjet ndërkombëtare. Ai nënvizon faktin, se për këtë produkt janë harmonizuar cilësia dhe ruajtja e shijes së traditës 81-vjeçare të produktit më të vjetër shqiptar.
Prof. Papagkikas, ju e njihni mirë tregun dhe produktet shqiptare, duke qenë një konsulent cilësie në IFC dhe udhëheqës cilësie (Quality Lead Auditor) për shumë kompani shqiptare, të cilat janë certifikuar me ndihmën tuaj. Mendoni se produktet tona janë të gatshme të konkurrojnë tregun ndërkombëtar?
Së pari, duhet të qartësoj diçka shumë të rëndësishme për zhvillimet shqiptare. Kontributi që kam sjellë përmes punës sime gjatë gjithë këtyre viteve, por në veçanti prej vitit 2003, është i habitshëm në disa fusha, më së shumti në industrinë e ushqimit. Gjithsesi është shumë e vështirë të diskutosh tani që eksporti shqiptar, të mund të konkurrojë suksesshëm me tregjet ndërkombëtare, ballkanike apo evropiane. Sigurisht ka përjashtime nga rregulli, në prodhime dhe shërbime, të cilat paraqesin një cilësi të lartë.
Cilat nga produktet tona do të veçonit për cilësinë e tyre?
Sigurisht do të konsideroja në veçanti ato prodhime 100% nga ndërmarrje shqiptare, si dhe shërbimet e ofruara dhe prodhimet që janë nën mbikëqyrjen, apo në përgjegjësinë e plotë të personelit shqiptar dhe ekspertëve të trajnuar, që punojnë për investitorë të huaj në Shqipëri.
Stafi lokal ka për detyrë të ruajë cilësinë standarde dhe ky është një favor për zhvillimin e ardhshëm. Një avantazh i madh për punonjësit lokalë është që ata mësojnë shpejt, janë shumë të disiplinuar dhe të gatshëm për t’u zhvilluar, një nga qëllimet më të rëndësishme të Filozofisë së Cilësisë: Përmirësim i Vazhdueshëm. Në përfundim do të doja të konsideroja shërbimet, disa materiale ndërtimi, produkte si mielli, pijet alkoolike, birra, djathi, perimet, ullinjtë dhe vaji i ullirit, disa prodhime mishi, që janë fusha më e mirë për zhvillim, duke ndjekur në mënyrë strikte standardet e cilësisë ndërkombëtare.
Si keni mësuar mbi “Birra Korça”? Çfarë mund të na thoni mbi këtë prodhim tradicional shqiptar?
Gjatë 10 viteve të fundit e kam vizituar rregullisht Shqipërinë dhe tashmë jam rezident i përhershëm, duke qenë një anëtar me kohë të plotë i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë. Lidhjet e mia me “Hysenbelliu Group” u zhvilluan kur fitova tenderin mes IFC për të ngritur dhe zbatuar ISO 22OOO:2005, standard cilësie për sigurinë e plotë të sistemit të menaxhimit të ushqimit në “Birra Korça”. Përpara kësaj kisha realizuar me sukses disa projekte me IFC, apo i pavarur, për shumë kompani shqiptare (si Italcol, Altea & Geostudio 2000 Lab, MT Construction, Atlas sh.p.k, Birra Norga etj.), të certifikuara nga Bureau Veritas (BVQI) apo Lloyds Register Quality Assurance (LRQA), dy nga organizmat më të mëdhenj të certifikimit ndërkombëtar, me të cilët kam bashkëpunuar. Ishte një shans për mua, sepse bëhej fjalë për një investim të madh, që respektonte historinë e produktit dhe zbatonte prej fillimit filozofinë dhe teknologjinë e prodhimit çek, për të arritur cilësinë më të mirë, të ngjashme, por në të njëjtën kohë dhe konkurruese me prodhimin “mëmë”. Dhe besomëni e arritën. Besoj se ju e dini që “Birra Korça” ka një histori 81-vjeçare, duke u kujdesur për traditën në disa shije dhe është nderuar dy herë në konkursin ndërkombëtar të Selanikut në Greqi në vitet ’30!
Sipas jush, është “Birra Korça” e aftë të konkurrojë në tregun ndërkombëtar?
Absolutisht. Kam jetuar disa vite në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani dhe më pëlqen birra. Shekspiri thoshte: “Një gotë birrë është pija e mbretit”! dhe perandori gjerman e shprehte dashurinë e tij për birrën duke thënë: ”Më jepni një grua që dashuron birrën dhe unë do të pushtoj botën”! Dhe ishte pikërisht kjo dashuri për birrën që më shtyu të ndërmarr këtë projekt, kam lexuar tri libra për të mësuar gjithçka mbi birrën dhe tanimë mund të them se unë jam i aftë, të paktën për të mbikëqyrur prodhimin e birrës nga faza e parë deri në fazën përfundimtare dhe, madje edhe të ngre një punishte të vogël birre. Duke u nisur nga puna ime pranë “Birra Korça” dhe njohja e birrërave të tjera në të shkuarën, mendoj se “Birra Korça” prej kohësh është birra më e mirë në Shqipëri, në të gjithë kuptimin, në cilësi, shije, teknologji, sigurinë e prodhimit dhe me premisa të mira për të ardhmen në tregun lokal dhe ndërkombëtar. Sa i përket birrës së zezë, “Birra Korça” është mbi çdo konkurrent, madje edhe në rajon në shumë raste. “Birra Korça” është certifikuar me sukses nga zyra Ndërkombëtare e Certifikimit “Bureau Veritas” (BVQI) për gjithë procedurat e prodhimit, gjë që garanton cilësinë e lartë për produktin final (EN ISO 22000:2005 - ushqim, pije, sistemin e menaxhimit të sigurisë së pijeve).
Cilat janë karakteristikat që e bëjnë “Birra Korça” të pakrahasueshme me çdo birrë tjetër të prodhuar në vend?
Duhet të sqaroj se “Birra Korça” nuk është vetëm e jashtëzakonshme, krahasuar me çdo lloj birre të krijuar në vend, por gjithashtu dhe më e importuara dhe ju duhet të jeni krenarë për këtë. Nuk po kërkoj që t’i bëj reklamë “Birra Korça” në hapësirën e gazetës, sepse nuk paguhem për këtë, por jam duke mbrojtur punën time dhe mbështetjen e IFC-së, përveç personelit dhe drejtuesve, të cilët kanë “vuajtur” prej meje dhe revizorët e BVQI, deri në pikën kur ne kemi thënë: Nuk kemi më vërejtje apo komente për të bërë në procedurat e auditit në tre muajt e fundit. Për më tepër, një nga parimet e IFC-së që financon këtë proces konsultativ dhe auditimi, është cilësia e arritur. Dhe për sa kohë që unë jam interesuar për këtë çështje, shumë shqiptarë në këtë vend kanë arritur gradualisht superioritetin e “Birra Korça”, krahasuar me markat e tjera në treg. Tani, meqë jeni duke folur për karakteristika të veçanta, “Birra Korça” ka teknologjinë më të mirë, sipas industrisë çeke të birrarisë dhe një dhuratë të natyrës, ujin e Korçës. Birra është më shumë se 90% ujë. Ky ujë i mrekullueshëm, një dhuratë e natyrës, që rrjedh direkt nga malet, mban të pastër të gjithë rrugën nga burimi deri në tubacionet e “Birra Korça”, duke përdorur sistemin më të mirë të filtrimit (prodhim shumë cilësor gjerman). Prodhimi i birrës bazohet në 3-4 përbërës të thjeshtë dhe uji i shton disa elementë të tjerë (kripëra), të domosdoshëm në disa lloje të whisky-t. Zhvillimi i teknologjisë ka ndihmuar prodhuesit të kapërcejnë të gjitha limitet tradicionale dhe pengesat që gjeologjia nxjerr në krijimin e cilësisë së birrës. Aplikimet teknologjike lejojnë të ndërhyjnë dhe të ekuilibrojnë krijimin e birrës, që janë identifikuar vit pas viti si përbërësit e birrës/ materiale të papërpunuara, elbi, uji, PH etj. Ata ruajnë stabilitetin në shije. Ndryshe me prodhimin e verës, birra ka shije më të mirë kur prodhohet. Janë bërë kërkime, me qëllim zgjatjen e freskisë së birrës.
As Prof.Charles Bamfort në Universitetin e Kalifornisë thotë: “Perceptimi i shkencëtarëve mbi birrën është më i plotë se për verën. Është studiuar për vite me radhë në detaje në shumë rajone të botës”. Në poemën epike të Gilgameshit, duke iu referuar një mbreti në një krahinë, që përkon me Irakun e sotshëm, del se 3 mijë vjet përpara Krishtit, birra ishte e njohur. Në verën e shkuar, arkeologët në malet e Andeve, në Peru, zbuluan një dhomë me 20 depozita birre, të ndërtuara 1 mijë vjet më parë.
Ju jeni profesor në universitet, por në të njëjtën kohë edhe një specialist i sistemit të cilësisë. A i flisni studentëve tuaj mbi prodhimet dhe shërbimet shqiptare, apo raste si “Birra Korça”?
Një profesor, i cili nuk është vetëm një akademik, por ka edhe eksperiencë në jetën reale të biznesit, për mendimin tim, është gërshetimi më i mirë. Profesorët nuk duhet të qëndrojnë në “folenë” e tyre akademike, por duhet të marrin pjesë në jetën reale, në mënyrë që të jenë të aftë për të qenë sa më të afërt me studentët e tyre, të cilët kanë nevojë të prekin botën e “pathyeshme”, në të cilën ne i shtyjmë të hyjnë dhe të njohin realitetin e vendit të tyre. Ndihem me fat, sepse pasi kam qenë në biznes për 40 vjet, përreth gjithë botës, kam mundësinë që përmes karrierës së mësimdhënies në universitet, t’u jap më të mirën e eksperiencës sime dhe njohuritë e mia, të rinjve shqiptarë. Veç kësaj unë ndihem njëkohësisht grek dhe shqiptar (familja ime e origjinës nga gjyshi është shqiptare dhe qindra vjet më parë mbiemri i tyre ishte Gkika) dhe ndihem shumë mirë në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse unë jetoj këtu dhe do jem për vite, nëse studentët e mi në UNYT dhe miqtë e mi shqiptarë do të ma japin këtë mundësi.
Unë besoj se Shqipëria po ndryshon, jo sepse politikanët e thonë këtë, por sepse shqiptarët e meritojnë dhe po përpiqen për këtë, sidomos gjenerata e studentëve, të cilët në të vërtetë kanë një vizion për vendin e tyre. Semestrin e shkuar, përdorëm në leksione raste reale nga zhvillimet e biznesit shqiptar, si Italcol, Tirana Bank, Atlas Sh.p.k etj. Por për çështjet e menaxhimin e përgjithshëm të cilësisë, thuajse në të gjitha leksionet më së shumti jemi përqendruar në dy kompani, që meritojnë dhe besimin më të madh: “Birra Korça”, shumë herë e nderuar me çmime për cilësinë e shkëlqyer dhe Altea–Geostudio 2000 (laborator privat për testimin e materialeve të ndërtimit dhe tokës), të certifikuar tërësisht nga LRQA dhe akredituar nga organizmi shqiptar i akreditimit dhe e vlerësuar në një konkurs ndërkombëtar për cilësinë në Londër, 2006, me Çmimin e Artë.
Në të vërtetë, sa shqiptarë, veç politikanëve e njohin dhe e çmojnë këtë përpjekje të pavarur private? Kjo është fytyra e ndryshuar e Shqipërisë dhe është 100% e mbështetur në angazhimin e investitorëve dhe përpjekjet e pun-ëdhënësve që zbatojnë dhe adoptojnë sisteme cilësie.
Si e shihni të ardhmen e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE?
Së pari, si fqinj grek dhe rezident në Shqipëri, përgjegjës për shumë të rinj shqiptarë në UNYT, uroj Shqipërinë, e cila prej pak kohësh është pranuar në NATO, të mund të përfitojë prej kësaj. NATO nuk është vetëm një organizëm ushtarak, por gjithashtu një organizatë, e cila ka kontribuar shumë në zhvillimin e vendeve pjesëmarrëse nën procesin e paqes, pavarësisht gabimeve të së kaluarës dhe gabimeve të mundshme të së ardhmes. Mbi të gjitha duhet të them se filozofia ime si individ dhe qytetar grek, duke ndjekur linjat e historisë së Greqisë dhe principeve filozofike, të pranuar gjithandej, nuk dua të kem gjithçka në jetën time, nëse fqinjët e mi vuajnë. Kjo është arsyeja pse unë mbështes aplikimin e Shqipërisë dhe hyrjen e ardhshme në BE me ndihmën e shtetit grek.
Kemi nevojë për paqe, miqësim, bashkëpunim dhe përparim për të gjithë në Ballkan dhe, sipas mendimit tim, gjithçka fillon këtu. Gjithsesi, politikanët shqiptarë, duhet të marrin në konsideratë gabimet e administratës greke, kur ne hymë në BE, sidomos në menaxhimin e fondeve, zhvillimi i infrastrukturës, edukimit, administratës publike, shëndetësi dhe sektorë të tjerë. Të shohin rastin aktual të Bullgarisë dhe mohimin e procedimit me paketën e parë të fondeve, caktuar për administratën e rënduar publike, por më së shumti prej korrupsionit. Sipas mendimit tim, Bullgaria nuk ishte gati për të hyrë në BE. Pas zgjedhjeve që sapo u zhvilluan, Evropa shpreson që Bullgaria gradualisht të gjejë vendin e vet. Integrimi është një proces i gjatë, në të gjitha kuptimet, por mendoj se Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të tejkaluar barrierat dhe vështirësitë.
Në përfundim, do të doja të rendisja disa avantazhe që ka Shqipëria, sipas opinionit tim modest.
1) Një ambient natyror për zhvillimin e turizmit dhe të shërbimeve, sigurojnë që këtu do të ketë investime në infrastrukturë. Investime nga Evropa, FMN, Banka Botërore, USAID, investime private dhe ndërmarrje ndërkombëtare do të ndihmojnë. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se në botën ku jetojmë, askush nuk i ka borxh askujt, kështu që ata duhet të luftojnë dhe të punojnë për progresin. Dhënësit e sotshëm do të jenë marrësit e së nesërmes.
2) Shqipëria mund të bëhet një serrë e Evropës për kultivimet biologjike, prodhime me cilësi e siguri të lartë, me kusht që shteti të zgjidhë problemin e madh të pronësisë dhe mbështetjen, duke subvencionuar me anë të fondeve të BE-së, fermerët e shqetësuar, të cilët humbën identitetin e tyre, duke migruar në qytete të tjera dhe duke u bërë më të varfër seç ishin më parë.
3) Çështja madhore për aktivitetet është cilësia. Kompanitë shqiptare duhet të realizojnë dhe të kuptojnë, që ata asnjëherë nuk do të pranohen në tregjet ndërkombëtare, rajonale dhe evropiane, pa treguar dhe provuar besueshmërinë e tyre në cilësi dhe sigurinë e produkteve (duke kuptuar eksportin), duke balancuar deficitin tregtar të Shqipërisë. Shqipëria duhet të zhvillojë përparësi konkurruese, për t’u bërë një lojtar i mirë në treg. Një tjetër çështje e madhe në Shqipëri është që shumë kompani nuk adaptojnë standardet origjinale të cilësisë dhe metodat e sistemeve të cilësisë, por “blejnë letra për muret e zyrave të tyre” dhe kjo në tregjet e zhvilluara është e lehtë për t’u zbuluar dhe përjashtuar. Kjo ndodh, sepse ata mendojnë se nuk kanë nevojë për to dhe kryesisht, sepse nuk duan të paguajnë koston e cilësisë. Për biznese të vogla, shteti shqiptar mund të subvencionojë disa nisma, me donatorë të tjerë siç është IFC-ja. Një program për ndërmarrje të vogla e të mesme, sigurisht që do të rriste ekonominë dhe do të krijonte klasën e mesme të domosdoshme, shtyllën kurrizore të çdo kombi dhe pragu për rritjen konstante të një vendi.
4) Shqipëria mund të tërheqë investime nga jashtë, përmes krahut të lirë të punës, por në të shumtën e rasteve me eksperiencë dhe njohës të shumë gjuhëve të huaja, por mbi të gjitha të disiplinuar. Siç thonë ekonomistët francezë, Shqipëria e “vogël”, mund të bëhet Kina e Evropës, me norma rritjeje më të mira se Kina, madje.
5) Projektet e tregtisë, ndotja e mjedisit, shkarkimi i mbeturinave: Shqipëria mund të përfitojë shumë nga të gjitha çështjet e mësipërme, nëpërmjet të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare për shkak të mungesës së industrisë së rëndë. Një çështje mjedisore mund të bëhet përfituese. Shqipëria mund të ndryshojë dhe të mos tregojë fytyrën e botës së tretë, së cilës nuk i përket. Përpjekjet e shumë njerëzve tregojnë se përtej përfitimeve, fatmirësisht ka një vizion. E kam parë Tiranën gjatë viteve ’90, në fillim të viteve 2000 dhe shumë herë deri më sot. Është tërësisht një qytet tjetër, më i mirë dhe më i keq në të njëjtën kohë, por ky është progresi, kur nuk menaxhohet duke marrë në konsideratë cilësinë e jetës së qytetarëve. E njëjta gjë ka ndodhur në gjithë Shqipërinë me një krizë të rritjes. Është koha kur Shqipëria të bëhet më selektive dhe të fokusohet më shumë te shqiptarët.
Prof. Papagkikas është momentalisht këshilltar për EFG Group në Evropën Juglindore, me qendër në Tiranë. Ai ka qenë këshilltar i lartë për kompani të ndryshme në Greqi e jashtë saj, si në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Ukrainë, Bullgari, Rusi, Turqi etj., ku është marrë me çështje të ndryshme, që nga ato bankare, te sigurimet, shitblerjet, zbatimi i sistemeve të cilësisë etj. Ka botuar artikuj të ndryshëm në Greqi dhe në Britaninë e Madhe, gjatë 30 viteve ka ndërmarrë studime e kërkime në punën e tij në universitet, apo në vende të tjera, ku ka shërbyer si këshilltar i pavarur, apo në bashkëpunim me firma të mëdha. Ka drejtuar shumë konferenca dhe ka qenë i ftuar të referojë për çështje me rëndësi për biznesin. Është këshilltar në organizma të rëndësishme certifikuese, anëtar i Shoqatës amerikane të Cilësisë dhe shumë organizatave të tjera.