E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ky, sezoni i fundit me Riedin”

 

Leonard Karaj

Premton më shumë gola se sezonin e kaluar. Premton se do të jetë protagonist absolut tek skuadra e tij. Por premton gjithashtu se në fund do ti japë lamtumirën Riedit. Pas golit të parë sezonal të shënuar ndaj kampionëve të Salzburgut Hamdi Salihi zbulon detaje të verës së nxehtë të merkatos dhe jo vetëm. Në fokusin e interviustës sonë me sulmuesin kuqezi ka qenë edhe e ardhmja e futbollistit, e cila shihet më së shumti larg Riedit dhe kampionatit austriak të futbollit. “U lodha me oferta e tratativa ndaj kam vendosur që ky të jetë sezoni vedimtar te Riedi dhe në fund të shikoj për një kampionat më prestigjioz”, ka pohuar Salihi në linjë telefonike për gazetën “Panorama Sport”.
Një fillim i mbarë kampionati me një gol trepikësh ndonëse gjatë kësaj jave keni pasur probleme shëndetësore...
Po, është e vërtetë kam pasur probleme me bajamet dhe për disa ditë kisha edhe temperaturë të lartë. Deri të enjten e javës së shkuar nuk munda të dal nga shtëpia e jo më të stërvitesha. Vetëm të premten shkova në klub dhe u stërvita me shokët e skuadrës. Kisha shumë dëshirë të luaja ndaj Salzburgut.
Një gol i shkëlqyer në fund të takimit, çfarë iu tha më pas?
Natyrisht që më përgëzoi. Por mua më tepër se lëvdatat e trajnerit më erdhi mirë që shënova gol ndaj një skuadre si Salzburgu dhe për më tepër i dhashë ekipit tim tre pikë të rëndësishme.
Ried, në vend të parë me 6 pikë, ndonëse janë luajtur vetëm 2 javë kampionat, do të synoni diçka më tepër sivjet?
Objektivi primar i kësaj skuadre ka qenë dhe mbetet mbijetesa. Kjo gjë shihet edhe nga buxheti që ka në dispozicion kjo skuadër por ne si futbollistë jemi zotuar dhe i kemi vënë synim vetes që këtë sezon do të kapim me patjetër Kupat e Evropës. Natyrisht që Kupa e Kampioneve do të ishte ëndrra por edhe Europa League do të konsiderohej një sukses për Ried.
Sezonin e kaluar shënuat 14 gola, po sivjet i keni vënë një objektiv vetes suaj? Do të mund të shohim një Salihi si në kohët kur luante te Tirana?
Ajo periudhë kur luaja te Tirana dhe shënoja më shumë se 20 gola është shumë e vështirë që të përsëritet tek Riedi. Fakt është se kjo skuadër luan për mbijetesë dhe përgjithësisht mbrohet me shumë forca dhe mendon pak për sulmin ndaj edhe rastet për gola janë të paktë, ndërsa te Tirana ishte krejt ndryshe. Por gjithsesi unë i kam vënë si objektiv vetes që të shënoj të paktën një gol më shumë se sezoni i kaluar dhe kam përshtypjen se do t’ia arrij.
Keni kaluar një sezon shumë të mirë por si është e mundur që nuk kaluat gjatë kësaj merkatoje në një skuadër më të mirë?
Të them të drejtën kam pasur shumë, shumë oferta gjatë kësaj vere, aq sa u mërzita duke i dëgjuar dhe duke bërë tratativa. Në një moment të caktuar isha gati me valixhe te dera për të ikur nga Riedi dhe gëzohesha dhe më pas vinte zhgënjimi sepse përmbysej gjithçka. U lodha ndaj i thashë vetes jepi gaz edhe këtë sezon te ky ekip dhe më pas shiko një mundësi edhe më të mirë në një kampionat më prestigjioz.
Cili ka qenë problemi kryesor, ose problemet që nuk arriheshin marrëveshjet në këto tratativa?
Problemi i vetëm ka qenë Riedi. Drejtuesit e këtij klubi kanë kërkuar më shumë se 1 milionë euro për kartonin tim dhe asnjë skuadër nga ato që ka kërkuar shërbimet e mia duke parë edhe krizën financiare që ka pushtuar botën, nuk ka dashur të harxhojë kaq shumë.
Pra, edhe një sezon te Riedi?
99 përqind po. Vetëm në rast se vjen ndonjë ofertë marramendëse gjatë kësaj kohe ose në merkaton e dimrit, por gjithsesi unë nuk e ushqej veten me iluzione. Do të rri tek kjo skuadër do të bëj edhe më mirë se sezonin e shkuar dhe më pas do të kukoj një ekip më të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›