E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BSH: Shpenzimet e larta gjatë muajit elektoral reduktuan thesarin e shtetit

Banka Qendrore raporton reduktimin e sasisë së arit të depozituar gjatë muajit maj

Ervin KOÇI

Vlera e arit të vendosur në depozitat e Bankës së Shqipërisë pjesë e thesarit kombëtar është pakësuar gjatë muajit maj 2009. Sipas të dhënave zyrtare nga BSH-ja, sasia e arit të depozituar nga 5,878 milionë lekë që ishte gjatë muajit prill, është reduktuar në 5,176 milionë lekë. Këto të dhëna BSH-ja i ka publikuar dje në raportin mbi statistikat e rezervave valutore, ku sipas informacionit, ari është vlerësuar me kursin e këmbimit fiks të Londrës në datën e bilancit. “Më 27 maj 2009, një onz ar u vlerësua me 713.5 dollarë, ndërkohë që në prill ’09 ishte vlerësuar 728 dollarë”- raportohet në të dhënat zyrtare të raportit të BSH-së. Sipas këtyre informacioneve del se sasi e rezervës së arit që disponon BSH-ja është pakësuar prej efektit të kursit të ulët të vlerësimit të arit në bursën e Londrës i cili ka rënë gjatë muajit maj 2009 në ndryshim nga muaji prill i po këtij viti. Por Banka Qendrore nuk jep asnjë arsye tjetër në lidhje me pakësimin e rezervës së metaleve të çmuar, edhe pse disa herë i është dashur që ta prekë atë me urdhër të qeverisë. Vetëm një muaj më parë u fol për përdorimin e kësaj rezerve nga ana e qeverisë gjatë muajit elektoral, ku nevoja e ngutshme për para detyroi Ministrinë e Financave që të kërkonte para nga BSH-ja. Me anë të një urdhri që ka dalë prej Ministrisë së Financave është autorizuar BSH-ja që të përdorë “për nevoja imediate operative” një pjesë të atij që konsiderohet si thesari i BSH-së dhe që është pjesë e rezervës valutore që kjo bankë e mban për situata emergjencash dhe krizash kombëtare. Lajmin e kanë konfirmuar në atë kohë edhe burime konfidenciale nga BSH-ja, të cilat pohuan për “Albania”-n se, “zhvendosjen e disa pjesëve të këtij thesari me urdhër të Ministrisë së Financave është bërë për shpenzime të ndryshme, ndër të cilat edhe ato për shlyerjen e interesave të larta të kredive tregtare që qeveria ka marrë në muajt e fundit”. Në rrugë zyrtare nga dikasteri i Financave, mësohet edhe fakti që një pjesë e këtyre shpenzimeve kanë shkuar për investime strategjike në infrastrukturë, që gjithsesi janë investime elektorale.

Kreditë elektorale

Pasi ka deklaruar se një kontratë e re me FMN-në do të sillte panik në tregun vendas, qeveria ka preferuar më mirë që të marrë kredi të tjera me kosto tepër të lartë nga bankat private. Qeveria mori një dorë të mirë kredish nga bankat tregtare përpara fushatës zgjedhore për të mbuluar shpenzimet e shumta elektorale. Në fund të sesionit plenar për këtë vit dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, qeveria kaloi në Kuvendin e Shqipërisë plot 6 kredi, që shtuan në mënyrë të ndjeshme borxhin e jashtëm të saj. Në total, shuma e këtyre kredive llogaritet 367,5 milionë euro. Kreditë janë marrë në kuadër të disa projekteve në vend dhe në marrëveshje me banka të huaja dhe ndërkombëtare. Këtu përfshihet kredia e butë, si një marrëveshje për mallra eksporti me “Unicredit Bank Austira” (AG), për pajisjen me materiale mjekësore të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, me shumë 7.488.000 euro. Po ashtu, kredia me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEDB), për financimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale, malore, ku shuma e huas së dhënë është 5.000.000 euro. Gjithashtu, kredia me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEDB) për financimin e projektit të rrugëve dytësore dhe vendore, me shumën e huas prej 40.000.000 eurosh. Kredia me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për një financim shtesë për projektin e ofrimit të shërbimeve sociale, me shumë 5.000.000 euro. Në këto kredi përfshihet edhe kredia prej 250 milionë eurosh, si një marrëveshje me bankat “Alpha Bank” dhe “Deutsche Bank”.

Rezerva valutore

Rezerva valutore e vendit ka pësuar një rënie me 131 milionë euro gjatë tremujorit të parë të këtij viti, gjë e cila mësohet edhe prej BSH-së. Sipas të dhënave të fundit të BSH-së konstatohet se kemi një rënie të ndjeshme të të gjithë treguesve, që sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar paraqesin edhe një tablo të qartë të situatës së vështirë ekonomike. Sipas BSH-së mësohet se “mjetet e rezervës valutore kanë rënë me 131 milionë euro”. Stoku i rezervës valutore në fund të tremujorit të parë të vitit 2009 shënoi nivelin 1,595 milionë euro, i mjaftueshëm për mbulimin e 4.7 muajve të importeve të mallrave dhe të shërbimeve. Në tremujorin e parë, deficiti i bilancit të pagesave, i cili mat flukset e hyrje-daljeve të valutës, arriti në 130.9 milionë euro, pesë herë më shumë se tremujori i parë i vitit të kaluar. Sipas të dhënave në tremujorin e parë, deficiti tregtar ra me 2 për qind, si pasojë e uljes së importeve. Ekspertët thonë se, kjo prirje nuk duhet të zgjasë shumë, pasi do të përkeqësonte pozicionin financiar të vendit, siç ndodhi në disa vende të rajonit, ekonomitë e të cilëve i shpëtuan kolapsit falë ndihmës financiare në shuma të mëdha nga FMN-ja.

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›