E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE presion Serbisë: Tani zgjidhni Evropën

• BE-ja po i bën presion të hapur elektoratit serb.Deklaratat e djeshme, pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm tregonin qartë “detyrimin” e Serbisë për bashkëpunim me BE-në. Sipas mediave, zyrtarët e BE-së kanë bërë të qartë disa herë dje se, besojnë që votuesit në Serbi, në zgjedhjet e parakohshme do t’i mbështesin partitë pro BE-së, pasi koalicioni aktual qeverisës u shkatërrua për shkak të pavarësisë së Kosovës. Dmitrij Rupel, ministër i Jashtëm i Sllovenisë, që e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, tha dje se, shpreson se në këto zgjedhje do të fitojnë partitë pro evropiane. “Që të jem i ndershëm nuk mendoj se ka ndonjë mundësi tjetër për miqtë tanë serbë përveç Bashkimit Evropian. Ku do të shkojnë ata”? Sipas ministrit të Jashtëm të Francës, Bernard Kouchner, disa ministra të vendeve anëtare të BE-së kanë treguar vullnet për mundësinë për ta vizituar Serbinë, por u është thënë në mënyrë “shumë brutale” se, vizitat e këtilla nuk janë të mirëseardhura. Ai nuk komentoi më gjerë lidhur me këtë çështje. Ministri i Jashtëm britanik, David Miliband, u shpreh dje se, BE-ja duhet “t’i zgjasë duart e miqësisë” ndaj Serbisë, ndërsa komisionerja për marrëdhënie të jashtme, Benita Ferrero-Waldner, theksoi se, është koha që Serbisë t’i ofrohen procedura më të lehta për viza dhe stimulime të tjera. “Ajo që duhet të bëjmë është t’i tregojmë popullit të Serbisë se ne i duam ata në Bashkimin Evropian”.Qeveria serbe i ka bërë thirrje Presidentit, Boris Tadiç, që të shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja. Thirrja e qeverisë bëhet pasi Kryeministri Vojisllav Koshtunica njoftoi prishjen e koalicionit qeverisës në fundjavë. Sipas të dhënave, zgjedhjet parashikohen të bëhen në maj. Partia e Tadiç, e cila kërkon anëtarësimin e vendit në BE, ka lënë të kuptohej se do ta përmbushte kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Javën e kaluar, Koshtunica, një nacionalist, thirri një mbledhje të posaçme për të propozuar shpërndarjen e Parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›