E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre aksidente brenda ditës, dy të vdekur, një rëndë

• Tre ngjarje aksidentale të ndodhura paraditen e djeshme shkaktuan 2 të vdekur dhe një të plagosur rëndë.Në Korçë e Tiranë humbën jetën dy vetë, ndërsa një grua e përplasur nga makina në Përrenjas është në gjendje të rëndë. Rreth orës 14:15, në buzë të superstradës në ndërtim Korçë-Qafë Plloçë është gjendur i vdekur 52-vjeçari Yllson Beqari, nga fshati Symiz, i cili po udhëtonte me biçikletë. Policia i zbuloi atij një plagë të madhe në kokë, duke hedhur dyshimet se një makinë mund ta ketë përplasur atë e më pas autori është larguar. Megjithatë, asnjë dëshmitar nuk e ka parë skenën, as punëtorët e firmës së ndërtimit të cilët ndodheshin 100 metra larg. Ndërsa dyshohet se vdekja mund t’i ketë ardhur dhe nga një rrëzim i papritur i 52-vjeçarit nga biçikleta që i shkaktoi plagën në kokë, pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të zbardhë të vërtetën. Sipas ekspertëve të policisë, firma ndërtuese nuk ka vendosur shenja sinjalistike për kryerjen e punimeve për zgjerimin e rrugës që mund të shmangnin aksidentin. Një tjetër aksident me vdekje ndodhi në Tiranë, në unazën e qytetit, pasi një makinë goditi 83-vjeçarin Veli Cara. Polica shoqëroi drejtuesen e mjetit për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Në gjendje të rëndë për jetën është 62-vjeçarja Nasipe Bogani, e cila u përplas nga një makinë me targë të Tiranës në aksin Librazhd-Përrenjas, në kohën kur po tentonte të kalonte rrugën.        j.gj/a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›