Gjyshi i binjakëve: Funeralet biznes me varret e viktimave të tragjedisë
• TIRANE – Gjyshi i dy binjakëve 3-vjeçarë Rei dhe Ersi Osmani, të cilët humbën jetën në tragjedinë e Farkës, akuzon shërbimet funerale sepo bëjnë pazare me parcelën ku Bashkia e Tiranës dhe Qeveria urdhëruan të varrosen viktimat e ngjarjes së 6 marsit. Sedat Sinani, gjyshi nga nëna i dy binjakëve që ndodheshin në varkën e mbytur, është shprehur dje se në Sharrë përsëri është tentuar të hapet një tjetër varr mes varreve ku prehen dy nipërit e tij që humbën jetën në moshën 3-vjeçare si pasojë e tragjedisë. Sipas Sedat Sinanit, ky është një skandal i shërbimeve funerale që veprojnë në Tiranë, të cilat për interesa fitimi shkojnë dhe hapin varre të reja në mes të hapësirës të mbetur bosh mes varreve të dy binjakëve. Gjyshi i viktimave akuzoi shërbimet funerale se po e bëjnë këtë veprim për biznes, duke i lënduar akoma më shumë të afërmit e viktimave të tragjedisë së ndodhur pesë ditë më parë në liqenin e Farkës, 10 kilometra në periferi të Tiranës. Në fakt, ka qenë një parcelë e caktuar me sipërfaqe toke, ku Bashkia e Tiranës dhe Qeveria lejuan varrosjen e viktimave të ngjarjes. Mirëpo kjo hapësirë, e përcaktuar për viktimat që ishin nga fise të njëjta e me lidhje mes tyre, po përdoret nga shërbimet funerale për të hapur varre të reja. Një veprim i tillë është kryer në varrezat e Sharrës edhe dje, por edhe një ditë pasi kishte ndodhur tragjedia. Të afërmit e viktimave kërkuan që shteti dhe Bashkia e Tiranës të mos lejojnë kryerjen e një veprimi të tillë të rëndë dhe lëndues, që bëhet nga punonjës të papërgjegjshëm të shërbimeve funerale. Ndërkaq dje, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vendosur të sekuestrojë edhe barkën e dytë që kishte mbetur në liqenin e Farkës, për të transportuar klientët nga njëra anë e rezervuarit për te bar-restorant “Liqeni”. Mbrëmjen e 6 marsit, 18 persona u mbytën në liqen pasi kishin darkuar në restorant dhe kishin festuar ditëlindjen e Alban Hysës. Shkak i mbytjes dyshohet se ka qenë qëndrimi i 19 personave në varkë, kur kapaciteti i saj ishte vetëm 7 pasagjerë. Dosja penale e kësaj ngjarje pritet të mbyllet, pasi i vetmi i dyshuar si shkaktar i mbingarkesës në varkë është pronari i lokalit, Afrim Dibra, i cili është mbytur bashkë me viktimat. Policia dhe Prokuroria po kryejnë verifikime për dokumentimin e ngjarjes, por në kushtet kur i dyshuari si shkaktar ka vdekur, atëherë sipas ligjit dosja penale duhet të pushohet. tr.so