E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, mësim në shtëpi për 52 fëmijë të ngujuar

• Ngujimi i fëmijëve në banesë nga frika e hakmarrjes është një nga pasojat e rënda me të cilat po ballafaqohen 62 familje në Qarkun e Shkodrës.SHKODER/ RITVAN DIBRA  Krahas frikës dhe traumës që përjetojnë, një faktor tjetër që ndikon negativisht në jetën e tyre është privimi nga arsimimi normal si gjithë bashkëmoshatarët. Për të krijuar mundësinë e dhënies së arsimit të detyrueshëm 9–vjeçar për fëmijët që janë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes, në Shkodër zbatohet projekti “Shansi i dytë”, i cili përfshin dhënien e njohurive kryesore të programit mësimor për këta fëmijë, duke aktivizuar mësues në kushte shtëpie. Një fakt të tillë e ka bërë publik vetë drejtoresha rajonale e arsimit në Shkodër, Atrida Ferketi. Sipas Ferketit, në Shkodër janë 52 fëmijë të moshës 6-14 vjeç që qëndrojnë të ngujuar dhe nuk ndjekin rregullisht procesin mësimor. Të gjithë këta fëmijë janë të përfshirë në këtë projekt të Ministrisë së Arsimit, i cili është në vitin e dytë të zbatimit të tij. Drejtoresha e Arsimit pohon se për të realizuar një projekt të tillë janë angazhuar 21 mësues, të cilët janë të shpërndarë në 18 banesa që quhen vatra mësimi, ku ka fëmijë të ngujuar dhe zhvillojnë aty mësim 3 herë në javë me nga 3 orë në ditë. Brenda këtij afati kohor synohet që fëmijëve të ngujuar t’u jepen njohuritë kryesore duke shmangur prapambetjen e tyre në mësime. Mësuesit e aktivizuar janë mësues në pritshmëri ose provizorë siç njihen ndryshe, pra të diplomuar por që akoma nuk kanë një vend pune definitiv, ndërsa pagesa e tyre bëhet nga shteti. Në qytetin e Shkodrës ka 4 fëmijë të ngujuar, të cilët zhvillojnë mësim në kushtet e shtëpisë nga mësues të shkollave ku ato kanë qenë më parë, ndërsa 48 të tjerë janë fëmijë të fshatrave të ndryshëm në Rrethin e Shkodrës. Ndër këta fëmijë të ngujuar ka dhe vajza numri i të cilave është 17 dhe ky fakt tregon atë që gjakmarrja nuk ka prekur vetëm meshkujt por dhe femrat. Ndërkohë, shoqata të ndryshme që merren me pajtimin e gjaqeve referojnë shifra kontradiktore lidhur me fëmijët dhe familjet e ngujuara. Kështu Misioni i Pajtimit Mbarëkombëtar Shqiptar dega Shkodër pohon se janë të evidentuara 109 familje të ngujuara me 273 persona. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës referon për 62 familje të ngujuara gjatë vitit 2007 ose 92 më pak se një vit më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›