E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE pro procesit të liberalizimit të vizave me Kosovën

Eurokomisionari për zgjerim, Olli Rehn, tha se Kosovës do t’i ofrohet dhe një marrëveshje tregtare.

Propozimet “ofrojnë një fazë të re të raporteve mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës”, tha Rehn.
Ai shtoi se “këto masa do t’i tregojnë Kosovës se afrimi me BE-në nuk është diçka abstrakte, por, para së gjithash, është real, i prekshëm e me përfitime për të gjithë”.

Rehn kërkoi nga qeveritë e vendeve anëtare të mbështesin propozimin. Pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin që Kosova të mos mbetet pas vendeve të tjera të rajonit në reformat e nevojshme për t’iu bashkangjitur Unionit.

Komisioni Evropian po sheh mundësinë e përfshirjes së Kosovës edhe në një numër projektesh evropiane, me fokus te punësimi, ekonomia, arsimi dhe forcimi i dialogut politik.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›